Primitivizmi neo-liberal i qeverisë

Postuar në 22 Prill, 2013 08:14

Ideja e Berishës për të ulur shpenzimet që të fillojë të barazohet borxhi, është tejet primitive. Ideja për të zvogëluar administratën me anë të një diete metaforike, se kjo dietë do të sjellë më pas përmirësim të situatës së borxhit publik, duket se nuk është as efikase e as logjike. Borxhi u rrit, por ndërkohë dhe prodhimi u ul. Vërtetë zvogëlimi i administratës u shoqërua me privatizime, por vetë privatizimet përveç se rritën shanse përfitimi për miqtë e qeveritarëve, nuk sollën asnjë investim që do të rriste prodhimin e më pas në rend logjik edhe punësimin. Idesë se mund të jetojmë vetëm me shitjen e gjithçkaje duket se po i vjen fundi. S’kemi se çfarë t’u shesim më miqve tanë anëmbanë globit. Jemi vend i vogël, që prej 22 vjetësh vetëm shet shapka të blera në Stamboll. Minierat, hidrocentralet, ish fabrikat, ish uzinat u shitën. Pemët u bënë pallate dhe paratë e gjetura në banka janë harxhuar pa asnjë lloj kriteri. Kemi ngrënë gjithçka kishim nga ish rregjimi dhe gjithçka mund të kursenim përgjatë gjithë jetës. Fitimet që do të kishim në të ardhmen na i ofruan me bujari të pazakontë bankat. Me përqindje kriminale, por tani është vonë për t’u ankuar.

 

Meqë logjika e Berishës si kryeministër është të trajtojë shtetin si histori individësh apo familjesh me pak vetë, zgjidhja u gjet tek shkurtimi i shërbimeve shtetërore, që gjithkush t’i bëjë llogaritë me xhepin personal sa herë i duhet një shërbim. Pra çdo individ do harxhojë për shërbime sa i mban xhepi. Ndryshimi nuk do shkojë më tek shteti, por tek një privat i zakonshëm, duke zhdukur mundësinë që shteti me fitimin të investonte diku tjetër. Sidoqoftë ideja për të gjetur lekë në xhepat që i ke harruar prej vitesh, është tejet naive. Nëse një individ ul shpenzimet (del pa makinë) kjo nuk i krijon automatikisht dhe ulje të të ardhurave. Kurse me një qeveri ndodh ndryshe. Ajo ul shpenzimet publike, dhe rrjedhimisht kjo ndikon mënjeherë tek investimet. Mungesa e investimeve sjell ulje të prodhimit dhe të të ardhurave.

 

Dëgjova Berishën që në një takim me studentë në Fier tha se si shtet kemi rritur me një herë prodhimin dhe me tre herë punësimin. Që do të thotë se prodhohet një plus një herë më shumë se më parë, por punohet një plus tre herë më shumë se më parë. Ndërkohë shpenzimet janë ulur. Gënjen, se nuk ka logjikë. Ulja e shpenzimeve publike çon në ulje të prodhimit. Kur prodhohet më pak edhe punohet më pak. Nëse punon më pak fiton më pak. Ose me borxhin publik që rritet magjishëm paguan lart e poshtë që të mos krijojë idenë e krizës. Bën e thotë gjithçka në emër të fushatës. Ndërkohë që kostoja e një ekonomie drejt dizintegrimit të plotë është shumë më e lartë. Duhet të mbash me pagesa gjithë jo efiçencën që është krijuar nga mungesa e investimeve. Privatët investojnë vetëm tek dyqanet e qofteve, nëse shitja e qofteve sjell fitim. Mungesa e fantazisë dhe e mjeteve për shkak të mos investimit të shtetit, çon shpesh në falimentim. Shteti që ka ulur shpenzimet nuk ka mundësi as në këtë situatë të ndërhyjë, duke ekstremizuar shanset për papunësi kronike.

 

Privatizimet nga ana tjetër vetëm shtyjnë krizën me disa muaj, por ndërkohë eliminojnë mundësitë për të prodhuar. Të na rronte Theçeri të paktën, e të mos shanin më se na pëlqen Uejn Runi.

 

 

Jeta pas privatizimeve, që do të vijë shumë shpejt, do të jetë gjithashtu edhe më e zymtë. Pasi të kemi shitur gjithçka, do na mbetet si mundësi e fundit vetëm krahu i punës. Nga ana tjetër nuk është se jemi gati për tregun e ri neo-liberal, meqë qeveria nuk ka investuar që krahu i punës, pasuria e vetme që do të dispononim, të jetë e kualifikuar në industri të caktuara, në informatikë (si ndodh në Indi) apo qoftë dhe art apo turizëm. Kësisoj “çmimi” përkatës i krahut të punës do të jetë tejet i ulët. Pa dash me qenë ogurzi, po konkurrenca e Kinës me duket e pakapërcyeshme kur behet fjalë për oferta të ulëta.

 

Një debat normal, një diskutim mbi domosdoshmërinë e prezencës së shtetit në shoqërinë shqiptare, është thuajse i pamundur. Provokimet klishe që provokojnë vetëm efektin e Pavllovit në shumicën e shikuesve, janë të menjëhershme. Berisha përdor me sukses ende fjalët “demokraci”, “bllok”, “ish bllokmenë”, “taksë marksiste”, “neo-liberalizëm”, “Shqipëria 1 euro”. Jo vetëm kaq, por çdo situatë kundërshtuese kriminalizohet sakaq me propagandë agresive, e gatshme në çdo moment të justifikojë deri në neveri ulje pensionesh, vjedhje votash, papunësi, rritje çmimesh, shitje për dy lekë. Gjuha e përdorur nuk përkon fare me përmbajtjen. Kur thua të drejtat e njeriut, vetëm sa ke kujtuar se në emër të një biznesi si ai i demontimit të armëve, e drejta për jetën, shëndetin, apo punën e sigurtë nuk ka asnjë vlerë. Viktimat nuk dëmshpërblehen e ndërkohë terminologjia në fjalë përdoret ende me seriozitet, duke dëshmuar për vlerën e vërtetë të përpjekjes.

 

Politika neo-liberaliste të cilën Berisha ndjek me vendosmëri, zhbën në mënyrë të pashmangshme edhe arsimin, duke e bërë cilësinë e tij gjithmonë e më të dobët. Dikur arsimi nënkuptonte dijen cilësore, ndërkohë që sot konsiderohet vetëm si biznesi i Çilit, Titit apo kujtdo që paguan për të. Individualizmi dhe prona private mbeten dy shtyllat ku përqendrohet dija e sotme, për të shmangur mundësinë që pragamatizmi që pason logjikshëm, të zëvendësohej nga kërkesa për njohuri cilësore.

 

Absurde po të shikosh se si Berisha bën maksimumin që të ndihmojë me prezencat e veta universitetet private gjatë shpërndarjes së diplomave. Prodhohen pa fund të diplomuar, megjithëse dihet tashmë perspektiva e punësimit të mundshëm në ndonjë call center. Gjë që Berishës i intereson për disa arsye. Periudha disa vjeçare e investuar në studime prodhon studentë të mbrujtur e të frymëzuar nga teoritë neo-liberale. Nuk janë në kërkim të një punësimi fiks, për shkak se janë në kërkim të informacionit që do t’i katapultojë në një botë hipotetike më të mirë. Presioni ndaj qeverisë ulet. Fitimi i lartë i pronarëve si Çili dhe Titi, krijon iluzionin se si funksionon sistemi. Në këtë mënyrë edhe në një të nesërme studentët do të mundohen ta gjejnë problemin tek vetja.

 

Në analizë të fundit, Berisha apo njerëz si ai, janë jo vetëm arkitektë të këtij mashtrimi, por shumë shpesh dhe aksionerët e tij kryesorë. Nga sistemi që vetëm privatizon dhe shet ajër mund të përfitojë vetëm kontrolluesi politik. Në kushtet e privatizimeve të të mirave publike të prodhuara dikur, nëse nuk je politikan, mundet vetëm të jesh Xholi që mer përsipër të mbajë peshën e shitjes. Si dhe të përgjegjësisë ligjore për “vjedhjen” e legalizuar. Ndërkohë që në një sistem të majtë të bazuar në prodhim, duhet minimalisht produkti punë, për të arritur tek produkti që do të jetë e mira për t’u kaluar në treg. Kjo e komplikon qenien aksioner vetëm falë kontrollit të spektrit politik. Nga perspektiva e majtë, përndryshe, politika nuk mund ta krijojë prodhimin nga hiçi, gjë që sjell konvertimin e rëndësisë së roleve.

 

Ndërkohë, besimi se koha dhe tregu neo-liberal kanë një plan të padukshëm rezervë (si dora e tregut, që ngjan gjithmonë e më shume si dorë xhepisti në autobus) që t’i përmirësojë gjërat, është utopi, siç është utopi dhe tregu me fytyrë njeriu.

 

Politikat e neo-liberalizmit të përfaqësuara me sukses nga qeveria e sotme kanë minuar çdo të ardhme për mirëqënien ekonomike e sociale të shoqërisë shqiptare. Ato duhet të ndalen dhe të kurohen nëpërmjet një ridimensionimi të rolit ndërhyrës dhe kontrollues të shtetit. I një shteti të përgjegjshëm, larg modelit të tenderave modeluar me përkushtim nga teoricienët e terapisë së Shock-ut. DITA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.