Për një opozitë ndryshe

Postuar në 06 Shkurt, 2012 07:19

Cilido mund ta kujtojë fare mirë sloganin opozitar ‘përtej së majtës dhe së djathtës’ në zgjedhjet e fundit parlamentare, fiaskon që prodhoi, jo aq në rezultatin e përgjithshëm, sa në mënyrën se si u interpretua nga media dhe u prit nga publiku në përgjithësi. Në fakt, qe hiç më pak sesa një dëshirë e mirë për të imituar të paktën në nivel retorike frymën progresiste që përcolli i njëjti slogan në Britaninë e Madhe gjatë qeverisjes Blair dhe SHBA përgjatë qeverisjes Clinton. E kuptuar gjerësisht si një frymë reformatore që mbante për bazë politikat e tregut dhe mbështetjen e sipërmarrjes së lirë, në të njëjtën kohë që ndihmonte njerëzit të përshtateshin në kushtet e një kapitalizmi konkurrues, kjo ‘rrugë e tretë’ nuk ka qenë as diçka rishtare në terma teorikë, sa në motivimin praktik dhe kapërcimin e ndarjeve sektare, të ngurta dhe shpesh kundër-produktive ku ishin barrikaduar politikat respektive.
Në fakt, fantazia amerikane për një politikë post-partizane i ka rrënjët që në themelimin e republikës atje, siç na kujton historiani i Universitetit Princeton Sean Wilentz te një artikull kohët e fundit në New Republic. Por në fakt, të gjithë ata që e kanë provuar dhe njëkohësisht besuar tejkalimin e diferencave ideologjike, po ashtu edhe kanë dështuar, siç shkruan Corey Robin në një artikull tjetër te New York Books Revieë. Ndërkohë që ata që e kanë përdorur për slogane elektorale, por në politika publike kanë ndërmarrë një kurs tradicional në përputhje me dëshirat e elektoratit bazë apo populiste për të zgjeruar bazën e votuesve, kanë rezultuar të suksesshëm dhe kanë arritur rezultate vërtet befasuese. Të paktën deri në erën Blair-Clinton, e cila rezultoi e suksesshme pa rënë domosdoshmërisht në kurthet e demagogjisë. Natyrisht është një debat i tërë nëse ishte cikli ekonomik që përkoi me bumin e dot-comeve dhe rritjen stratosferike të tregjeve, ajo që solli dhe suksesin relativ të axhendave të reja që kapërcenin binomet tradicionale, apo ishte si rezultat i këtyre politikave që bazoheshin në ristrukturim, plus reformë, përtej ndasive sektare, të cilat sollën dhe rritjen e mirëqenies.
Në rrafshin filozofik dhe konceptual, prirja e re post-ideologjike argumenton se ideologjitë konvencionale të së majtës dhe të së djathtës kanë dalë jashtë funksioni në një shoqëri të karakterizuar nga globalizmi, rënia e traditës dhe përhapja e refleksivitetit social. Në fakt, “përtej së majtës e së djathtës” në modelin anglo-sakson ishte diçka anames që bazohej në mbajtjen dhe stimulimin e një ekonomie tregu dinamike, por ku edhe qeverisë i njihet një rol i rëndësishëm socio-ekonomik. Kjo e fundit mund ta bëjë këtë duke ndërmarrë reforma të qenësishme në lëmin e edukimit dhe trajnimit të vazhdueshëm për ta bërë forcën punëtore konkurruese me kushtet e reja të punës, me teknologjinë e re dhe me kërkesat e reja të tregut. Parime të tilla si “të ndihmojmë njerëzit, të ndihmojnë vetveten” apo “një dorë e shtrirë, jo një dorë e mbledhur” nga ana e qeverisë, i vesh një fytyrë njerëzore dhe sociale kapitalizmit tradicional dhe preferohet si rrugë e tretë më elastike dhe produktive sesa politikat e tipit “Welfare” që shpërndajnë gratis ndihmë ekonomike dhe nxisin dembelizmin apo politikat e ashpra neoliberale, që mund të lënë grupe të caktuara të përjashtuara dhe në varfëri. Një kombinim i filozofive jo domosdoshmërisht të kithëta, për të rritur harmoninë shoqërore dhe përballuar sfidat tashmë sa lokale aq dhe globale në mënyrë më sintetike dhe me bashkëveprim.
Në një shkrim të mëparshëm kemi vënë theksin te ideologjizimi i partive politike dhe rreshtimi i tyre reciprok në krah të interesave të kategorive shoqërore që mbrojnë, i cili është një hap fillestar i domosdoshëm që mundëson zhvillimin e politikave koherente dhe programeve qeverisëse me tone jo populiste. Në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, kjo do të eliminonte ndarjen e votës në vija krahinore, nepotike, klienteliste dhe rriste nivelin e përfaqësimit politik, duke ndihmuar njëkohësisht cilësinë e tij. Programet qeverisëse që bazohen në filozofi të caktuara djathtas apo majtas, në vetvete janë modele që kanë prodhuar si sukses (kur janë zbatuar siç duhet dhe me konsistencë), ashtu edhe dështim (kur janë ndjekur politika populiste dhe me idenë për të rritur fiktivisht koshin e votave). Evidenca, qoftë nga vendet perëndimore, qoftë edhe nga ish-vendet e Lindjes, tregojnë qartë suksesin e reformave të kryera sipas një qëndrimi të qartë ideopolitik dhe përfaqësues. Por duke parë lëvizjet e fundit politike, shohim që vazhdohet me dozat e populizmit masovik, duke e larguar gjithnjë e më tepër vëmendjen nga programet dhe duke u pasur si synim kryesor nga partitë kapja e një elektorati sa më të gjerë.
Për të qenë më të qartë, shohim që dy lëvizjet e reja politike, qoftë Aleanca Kuqezi, qoftë një parti e re e djathtë që mendohet të konfigurohet rreth Presidentit Topi (për mos të folur për pjesën dërrmuese të partive ekzistuese të vogla), nuk duket se po sjellin ndonjë risi ideologjike, projekt-ide, cikël reformash apo axhendë qeverisëse që do ndryshojnë konstelacionin aktual bipolar të politikës shqiptare. Vëmë re se ka thirrje për mobilizim, për një ‘politikë ndryshe’, për konsumim të klasës politike ekzistuese dhe për një ripërtëritje apo qarkullim elitash, por nuk dimë çfarë programi konkret, real dhe zgjidhjesh afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata do të garantohen nga aktorët e rinj në skakierën politike. Nga ana tjetër, kemi Partinë Socialiste dhe opozitën në përgjithësi, që me të drejtë vë theksin te dështimet e qeverisjes aktuale, madje kërkon edhe zgjedhje të parakohshme, duke shprehur gatishmërinë për të ardhur në pushtet sa më shpejt, por shohim pak alternativa të besueshme në terma të propozimeve konkrete, shoqëruar me fatura bindëse. Partia Socialiste u duk se dha një sinjal të ri duke folur për taksimin progresiv dhe për më shumë investime në arsim, por nuk është zgjidhje (dhe aq më pak e vetme) rritja e taksave, veçanërisht ndaj klasës së mesme vulnerabël, por rritja e aftësisë konkurruese dhe prodhuese e ekonomisë shqiptare. Shtresa e mesme duhet inkurajuar, mbështetur dhe zgjeruar, ndërkohë që shteti duhet të mendojë si të garantojë infrastrukturën e nevojshme ku konkurrimi të bëhet i lirë, i drejtë dhe me rregulla loje të barabarta, jo si të gjobisë iniciativën e lirë dhe të rrisë peshën specifike të (pu)shtetit në shoqëri. Gjithsesi, do ishte e preferueshme që politika shqiptare të ishte më së fundmi e përqendruar te debati i shifrave, projekteve dhe ideve, jo te sulmet personale, banalitetet e thashethemeve dhe rrotullimin me top në vend, pa sjellë asnjë risi në debatin publik dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje. Po e mbyll këtu me një thënie të Tony Blair në librin e rij të kujtimeve: “Nëse je në opozitë, njerëzit nuk presin që t’i dish të gjitha. Ata nuk kërkojnë detaje, por duan të dinë se ku qëndron- në shpenzime dhe politikat e taksimit, në drejtësi, në çështjet europiane dhe në shërbimet publike. Opozita duhet të bëjë vetëm dy gjëra: duhet ta mbajë [retorikën] të thjeshtë dhe koherente. Dhe me thjeshtësi nënkuptohet vetëm një gjë: qartësia”.

Ilir Kalemaj, Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.