Nji kontribut i ri në lamijen e studimeve tona historike

Postuar në 23 Qershor, 2013 18:16

Para pak kohësh doli në qarkullim botimi i dytë i monografisë së studjuesit arbëresh Italo Sarro, me titull “L’insediamento albanese di Pianiano” (Viterbo 2013, ff. 277, ISBN 978-88-97955-20-7).

Autori, arbëresh prej San Giacomo di Cerzeto në provincën e Kozencës, ka botue edhe dy vëllime të vlerta me titull: “Insediamenti albanesi nella valle del Crati” dhe asht i njohun edhe për monografinë: “La politica agraria pontificia fra ‘700 e ‘800”; gjithashtu ai ka botue nji seri artikujsh për historinë kishtare të Shqipnisë veriore në shekujt XVII-XVIII dhe madje ka zbulue disa dokumente të shqipes së shkrueme të asaj periudhe.

Libri i tij rreth ngulimit shqiptar të Pianianos (prov. Viterbo) flet për nji grup prej 208 shqiptarësh prej katundit Brija në afërsi të liqenit të Shasit, të cilët të stërlodhun prej keqtrajtimeve, vjedhjeve, përdhunimeve, vrasjeve të autoriteteve osmane e sidomos të beglerve vendas, nji natë janarit të vitit 1756 u nisën prej Tivarit drejt Ankonës, ku shpresonin me nisë nji jetë e re.

Në fakt historia asht shumë ma e ndërlikueme, pse kishte kohë që Selija e Shenjtë ishte vu në dijeni nepërmjet autoriteteve kishtare vendase për nevojën që kishin katolikët shqiptarë të asaj zone me gjetë strehë në territore të sigurta, larg persekutimit osman. Dihet se të paktën në nji rast nji grup shqiptarësh prej Hotit kishin gjetë strehë në territoret e Perandorisë, ma saktësisht në Istrie. Kësaj rradhe familjet e Brisë ishin organizue në kohë, udhtimi i tyne drejt lirisë do të zgjaste plot 33 ditë, me erën kundër, derisa anija e vogël do të mundte me shkarkue ato 50 familje që ishin në gjendje të mjerë në portin e Ankonës. Vatikani kishte gjetë edhe katundin ku do t’i vendoste dhe madje kishte organizue edhe mënyrën e re të jetesës. Tue qenë se shqiptarët ishin kryesisht bujq e blegtorë, ishte gjykue me i dhanë çdo familjes bagti të imta e të trasha, nji ndihmë fillestare në të holla dhe nji copë tokë simbas formulës juridike të enfiteuzit, ku shqiptarëve u jepej falas në përdorim nji tokë që nuk ishte e tyne.

Menjiherë mbas zbarkimit në Ankona, Shtetit Papnor kishte ngarkue autoritetet e Markës me mendue për gjithçka, tue nisë tek karantina e detyrueshme disajavore që aplikohej për të gjithë ata që vinin prej detit, madje edhe për mallnat, e tue vijue tek rruga që do të përshkonin me disa etapa për me shkue në zonën e caktueme. Italo Sarro ka zbulue dhe ka botue të gjithë dokumentacionin përkatës të kësaj zhvendosje të organizueme në detaje, ku për çdo ditë marshim parashikohej ushqimi, ndalesat dhe strehimi i refugjatëve.

Tragjedia e atyne familjeve të mjera, të detyrueme prej persekutimit osman me lanë shtëpiat e tyne, ndërthuret edhe me probleme tjera të randsishme: me dobësinë dhe mosbindjen e klerit shekullar vendas, me nepotizmin dhe etjen për pasuni, me presionin që ushtronte kisha ortodokse sllave, me vorfninë, injorancën dhe egërsinë e atyne kohnave.

Mbas vendosjes në Pianiano, kolonia shqiptare u organizue dhe nisi jetën e vet edhe pse territori i Viterbos prekej prej malarjes dhe disa sish u sëmurën dhe vdiqën. Prej këtij problemi u lindi mendimi me u zhvendosë dikund tjetër.

Nji aventurë tjetër do t’i priste shqiptarët e Pianianos, të cilët me premtimin e nji të afërmit të grupit të tyne u bindën se ishte ma mirë me u shpërngulë në Mbretninë e Napoli. Personi që i kishte joshë dhe madje financue ishte nji kolonel-lejtnant me origjinë shqiptare, njifarë Nikollë Mida, efektiv i të ashtuquejtunit “Regjimenti Maqedonas” i mbretit të Napolit Karlit III.

Regjimenti quhej “maqedonas” por ishte i përbamë prej shqiptarësh, të cilët gjindeshin me shumicë në Mbretninë e Karlit III dhe ishin ushtarë të shkëlqyeshëm, siç e kishin diftue në betejën e Velletrit (1744), të Guastalla-ës (1746) etj.

Tue e pa veten pa asnji të ardhme në Mbretninë e Napolit, grupi i shqiptarëve rikthehet në Pianiano, ku mbas shumë mundimesh dhe me ndërhymjen e autoriteteve kishtare mbërrin me marrë rishtas në dorzim tokat dhe me shfuqizue dekretin e dëbimit për shkak të braktisjes së vendbanimit. Asht për t’u shenjue fakti se nji prej faktorëve që luejti rol në zbutjen e Selisë së Shenjtë dhe ndikoi në heqjen e dekretit të dëbimit ishte fisnikëria e grave shqiptare, e cila nënvizohej veçmas në letrën e ndërhymjes së ipeshkvit italian të Acquapendente-s.

Odiseja e tyne e pafund i humb gjurmët e veta në arkivat e ndryshme, ajo që ban përshtypje asht fakti që Selija papnore mbërrinte asokohe me mobilizue njerëz dhe struktura për organizimin e nji shpërnguljet relativisht të madhe, tue kujdesue në detaje çdo moment të sajin.

Asht interesant me pa emnat e shqiptarëve që përbanin koloninë e Pianianos: Gjon Kabashi,  Pjetër Kabashi, Nikollë Kallmeti, Nikollë Kodeli, Jak Kola, Pjetër Gega,  Jak Gjini, Simon Hala, Nikollë Logoreci, Gjon Mida, Anton Sterbini, Nikollë Trushi etj.

Prej dokumentave që Italo Sarro ka zbulue, përdorë dhe pjesërisht edhe botue del në pah figura e jashtëzakonshme e ipeshkvit të Shkodrës Pal Kamsi, ashtu si edhe figura negative e priftit Shtjefën Remanji dhe nepotizmi i arqipeshkvit të Tivarit Lazër Vladanji.

Shkaku i vetëm i shpërnguljes së shqiptarëve të Brisë ishte dhuna dhe presioni i vazhdueshëm që osmanët dhe veglat e tyne vendase ushtronin mbi ta për me i detyrue me ndrrue fenë e të parëve, tue i grabit dhe tue i dhunue vazhdimisht.

Kjo monografi i Italo Sarro-s ka meritën e madhe që ka zbulue nji ngulitje të panjohun deri më sot, e së dyti ka meritën që asht shkrue me kritere shkencore, tue respektue vetëm të vërtetën që buron prej dokumentacionit të gjanë që autori ka gjetë në Arkivin e Shtetit në Viterbo dhe në Arkivin Historik të Propagandës Fide.

Mapo

Comments

Submitted by Italo Sarro (not verified) on

desidero ringraziare l'autore della nota per aver messo in luce gli aspetti salienti del saggio in cui per la prima volta una migrazione di Albanesi verso l'Italia è descritta da quando le famiglie decisero di fuggire fino all'ingloriosa fine dell'insediamento.
Cordiali saluti
Italo Sarro

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.