Një ditë në sportelet e shtetit

Postuar në 24 Qershor, 2013 08:08

Nisem që në 08:30 për të mbaruar punë sa më herët në zyrat rajonale të shërbimit të transportit dhe të automjeteve, me qëllim që të mund të shfrytëzoja ditën ku më prisnin studentët e mi që  përgatiten për mbrojtjen e
masterit. Arsyeja? Krejt idiote: gjatë kontrollit të fundit teknik të makinës, u gjet se në lejen e qarkullimit kishte një germë gabim në numrin e shasisë: në
vend të C-së, punonjësi i shërbimit përkatës e kishte bërë L. Gabim që ishte pasqyruar në të gjithë sistemin.
- Makinën e ke në rregull, – më pat thënë tekniku, – por s’ta jap certifikatën
sepse duhet të ndërrosh lejen e qarkullimit ku të pasqyrohet shifra e saktë si dhe certifikatën e pronësisë së makinës. Më ra pika se duhej të llogarisja një ditë tjetër për këtë punë. Dhe dita ishte dje. Hyj në sallën e madhe afër autostradës Tiranë-Durrës. Mbushur burra plot. Burra me shapka, burra me
brekë plazhi, burra me barqe, fare pak burra me pamje urbane dhe burra të tjerë që hyjnë e dalin matanë sporteleve të shërbimit me letra në duar.
S’dija nga ta filloja. Pashë në mur një ekran me shifrën e ndriçuar 62 dhe mendova se duhet të kishte një sistem radhe me numër. Kërkova të gjej aparatin ku tërhiqet numri, hiç.
“Ku merren numrat?” – pyes njërin nga burrat më të afërt. Ai më hodhi një vështrim përqeshës sikur t’i kisha kërkuar qumësht dallëndysheje
dhe më tha:
- Lëre atë se ka ngel kot. Shko tek ai burri atje te sporteli i parë, e të thotë ai.
Futem dhe unë në sistemin tonë të mbajtjes së radhës grushtbashkuar rreth sportelit. I qaj hallin e shasisë së makinës burrit të sportelit 1. Ai më merr shënim targën e makinës e më thotë:
- Nesër apo sot?
- Si nesër?! Duhet të mbaroj sot, tani.
- Eja në ora 11:00 te sporteli X.
- T’i dorëzoj dokumentet tani?
- Jo, jo, s’ka problem se të sqaron ai burri për të gjitha.
Kisha pak më shumë se një orë kohë deri në 11:00. Një orë e gjysmë në atë saunë djerse ishte torturë. Kthehem në Tiranë. Trafiku i rënduar. Kur mbërrita në fakultet pashë që pas pak duhej të merrja sërish rrugën e kthimit për në autostradë. Trafiku ishte edhe më i rënduar. Futem sërish në sauna. Mbaj sërish radhën me burra të vendosur gjerazi para sportelit të paracaktuar. Ndjek me kureshtje halle e tema nga më të ndryshmet:
– Ke 4 vjet që s’ke paguar taksat e këtyre 3 makinave.
Të bëjnë x lekë, tani shko paguaji te arka e pastaj hajde prapë, – i thotë një punonjës sporteli burrit me një tufë letra që varej në të djathtën time.
- Ashtu ë? – Bën ky i fundit, a thua se s’e dinte që kishte aq vite që u shmangej taksave, e po bënte hesapet sa para kishte me vete.
- Po sikur u falën taksat deri në 30 qershor, – ia shti unë në vesh se m’u dhimbs xhepi i tij.
- Po pra, – mori zemër borxhliu.
– Aman, të gjitha votat ia jap po m’i fali taksat e gjobat!
‘Uh, ç’popull delenxhi që jemi”, thashë me vete, ndërsa atij s’m’u durua pa ia kthyer:
- Po ti një votë ke o burrë, pse thua “të gjitha”?
Mirëpo delenxhiu kishte hallin të kalonte lumin, e jo të mbante kalin. Punonjësi me durim i shpjegoi se në kuadrin e premtimit elektoral, tashmë të kthyer në
ligj, atij i faleshin vetëm gjysmat e të gjitha taksave të papaguara. Unë që e kisha paguar taksën në kohën dhe në masën të parashikuara nga ligji, m’u duk befas vetja në situatë të paligjshme!
- Po unë që e kam paguar taksën të plotë kur e kisha afatin, në shkurt, si t’ia bëj që të jem në rregull me ligjin sot?
– Lëshova pyetjen budallaqe për të cilën mora një përgjigje shumë të zgjuar: “Vetë e ke fajin, pse u tregove e paduruar? E dije që do fillonte fushata”.
Mea culpa!
Kur u gjenda përballë me punonjësin vullnetmirë, ai hapi dosjen time.
- Si është puna? – më tha, ndërsa unë mendova se atij i ishte përcjellë tashmë çështja nga rrëfimi im i mëngjesit. Por jo. I tregova nga e para pasaktësinë në
numrin e shasisë së makinës, për çka s’kisha asnjë faj.
- Aaa, po për këtë s’të kam faj unë, ta ka bërë ai i kontrollit fizik kur ke bërë letrat e makinës. Shko bëj dhe një herë kontrollin që ta pasqyrojë ai gabimin dhe pastaj eja prapë tek unë.
Heq këmbët zvarrë e shkoj te kontrolli fizik. Radha e makinave të reja që prisnin në pikë të diellit ishte aq e frikshme, sa era e djersës që sapo lashë m’u duk lule. Aty për aty i thashë vetes që ishte e padrejtë të mbaja sërish
një radhë për një gabim të kryer nga shërbimi dhe jo nga unë. Futem në kioskën-zyrë, prapë me burra me barqe dhe me burra me shapka. Ndalem te sporteli i parë. E filloj hallin nga e para…
- Eee, po duhet të bësh kontrollin fizik. Prit aty!
I shpjegoj që nuk kam pse pres njësoj me të tjerët që regjistrohen për herë të parë, se nuk është faji im.
– As i imi! – Më vjen përgjigjja.
- Nuk kam ardhur të gjej fajtorin, fajin ta mbajë shërbimi. Tani shërbimi jeni ju dhe duhet të kuptoni që unë s’duhet të mbaj radhë nga e para…
- Shko fol me atë burrin.
Kthej kokën e shoh dhjetë burra.
- Me cilin?
- Ja, me atë aty.
Hamendësova që kompetenti ishte zotëria i tretë. Fillova sërish nga e para odisenë time. Sërish u përballa me goditjen: “Ooo, duhet të bësh kontrollin fizik!” Sërish bëra të njëjtën qëndresë.
- Ah, ah… Një grua është kjo.. Ik, ik e thuaj Filan
Fistekut ta bëjë pa radhë.
- Po kush është filani?? Ku ta gjej? Si t’ia kërkoj? Pse duhet të ma bëjë filani mua ndërkohë që s’e ka dosjen time? Prapë të filloj historinë nga e para?!
– Ngrita zërin unë.
- Po unë kam punë të miat! – Ma ktheu kompetenti, ndërsa e ndjeva që me vete më dha të drejtë.
- Po pse kjo që po kërkoj unë punë e kujt është?!
Buzëqeshje… “Eh mirë, eja, eja….”. Ngrihet dashamirësi dhe vjen te makina ime e verifikon shasinë. Merr shënim. Kthehet në zyrë. Bën shkresën.
- Shko paguaj tani!
Falënderova dhe pagova faturën e gabimit të tyre. Kthehem mbrapsht te sporteli i saunës së djersës. Mbi kokën time vëzhgonin burra që kullonin edhe më shumë djersë dhe tundnin letrat pa duruar sa t’u vinte radha.
Plotësohet dosja.
- Tani duhet bërë leja dhe certifikata.
- Të vij prapë?!!! – Ulërima ime ishte e tillë që tjetri
reagoi aty për aty.
- Prit se ta bëjmë tani, sa ta fusë ajo në sistem e të më dalë mua këtu….
Prita një orë. Hiç.
- Ç’të të them unë?! E ka ajo…
Pas një gjysmë ore, del ajo-ja rastësisht nga një derë:
- Ç’të të them unë?! E kam çuar atje, pres përgjigje…
- Përgjigje nga kush?!
- Nga ajo atje!
- Po kush është ajo atje?! Si quhet? Çfarë është? Ku
është? Sa kohë duhet? – Shpërtheva unë.
- Atje lart, te drejtoria…. unë e kam çuar, s’kam ç’bëj. Instinktivisht ngrita kokën lart, ku veç tavanit të qelbur s’pashë gjë.
- Më jepni një emër, një telefon…
- S’ka, s’e merr dot ti atë…
- Kush është “atë”, ia, pra?!
- Është ajo e kompjuterëve, se tani ka ndërru sistemi, është bërë “online” dhe futet n’sistem që ta bëjnë ndryshimin e shkronjës C! Po s’e bëri ajo, s’m’del mu.
- Nëse është online do duhej të bëhej më shpejt, nuk mund të komunikoni ju me “atë”?
- Eeeee! Ashtu thu ti! Prit aty!
M’u përhit Procesi i Kafkës, i cili thotë “kur i hap derën së keqes, ajo të kërkon vetëm të kesh besim tek ajo”. Një orë më pas gjendesha ende para punonjësve
që s’dinin të më jepnin përgjigje veç përemrave pavetorë, por edhe të sikletosur nga reagimet e mia që, me ç’kuptova, nuk u ndodhnin shpesh. Prova për këtë ishin edhe ngushëllimet që më vinin nga bashkëvuajtës në saunë, të cilët më thoshin se duhej durim, se aty kështu është dhe se ata kishin ardhur nga 2, 3, 4 herë e mezi kishin mbaruar punë.
- Po pse vjen vetë për t’i bërë këto punë? – Më thotë, duke më mëshiruar por edhe i habitur, një nga punonjësit.
- Dërgo ndonjë njeri.
S’dija si ta përktheja këtë. Kjo është mënyra se si i zgjidhin kësi angarish shumë prej nesh, për të mos shpenzuar kohë në mënyrë idiote, për të kursyer nervat
dhe për të shpëtuar frymën. Ky është ai zanati i famshëm i sekserit. Një formë e ndërmjetme punësimi korruptiv.
– Sepse jam në të drejtën time, – i them.
Kërkoj të flas me autoritetin e atij shërbimi. Më në fund pas zhurmës që bëra me ata që u paraqitën si shefa të vegjël, më shoqërojnë në një zyrë te “shef Gjova”, i cili më pret pas tryezës, anash së cilës ishin dystuar edhe dy burra të tjerë. Të tre më këqyrën me vështrimin: “hë ç’ke?”. Fillova të shpjegoj nga e para. Një çast shef Gjova më thotë:
- Po, po. Pres të më njoftojnë nga sistemi.
- D.m.th. jeni në dijeni të rastit tim?
- Po, – më thotë me një qetësi që ia pata zili ndërsa vërejta dosjen time ndër duart e tij.
- Po unë si t’ia bëj?
- Ja tani, duro pak…
E ndjeva që s’ia vlente fare t’i kujtoja se ishte aty për të më ofruar një shërbim që e paguaja, që isha aty se sistemi që ai drejtonte më kishte shkaktuar dëm, se kisha që në pikë të mëngjesit që rrija në sauna të detyruar, ndërsa studentët e mi prisnin etj., etj.
- Sa vonohet? – I them.
- Vetëm një çerek ore!
U ktheva në sauna. Hallexhinj të tjerë më shihnin si të vija nga Marsi, në fakt vetëm sa kisha kërkuar një të drejtë. Më falni, nuk e bëj më! Treçerek ore më pas i drejtohem sërish sportelit për të pyetur ç’bëhej.
- Po pse më thua mua?! Unë e kreva!
S’kisha ç’t’i thosha më. Del shef Gjova, e shoh në sy.
“Dy minuta” ma bën me shenjë. Nuk flas. Ai vazhdon punët e veta. Njëzet minuta më pas rikthehet shef Gjova me dosjen time. Punonjësi i sportelit hedh shënime sërish në kompjuter. Shoh lejen time të qarkullimit. Erdhi
fundi më në fund. “Shko paguaj në arkë!”. Kthehem te sporteli, dorëzoj mandatin e pagesës dhe mbaj dorën zgjatur të marr lejen e re. Por në vend të saj më vjen përgjigjja:
- Tani do e çojmë për firmë!
Nuk e di se si u çakërrit fytyra ime, por ndjeva si më dhembën nofullat.
- Kështu është procedura! Do presësh nja gjysmë ore.
- Për një firmë?!
- Procedura!
O shoku Zylo, ku je thashë me vete…
- Po kush e firmos?
- Drejtori.
- Po ja drejtori, – dhe bëj me dorë nga shef Gjova që kuvendonte me dikë për diçka në një cep tjetër.
– Pse duhet gjysmë ore akoma?!
- Po s’e firmos ai moj zonjë!
- Po kush, pra?!
- Është një tjetër, pra, mos u fut kaq thellë! S’kam ç’bëj unë, unë punën time e bëra. Kjo është procedura. E kishte bërë i ziu, ç’t’i thosha! Isha në shtet. Në zyrën e shërbimit publik që mbahet me taksat tona. Ku prita dhe treçerek tjetër për firmën e drejtorit misterioz. Aty nuk mund të mos i dorëzohesha mendimit të urryer se kisha bërë gabim që pretendova ta kryeja vetë atë shërbim minimal që po më kushtonte një ditë pune, dhe se do duhej t’u isha drejtuar edhe unë sekserëve.
Në orën 15:30 dola që andej për të hipur në makinën time të vjetër, që pas asaj aventure po më dukej si Ferrari.

Panorama

Comments

Submitted by PoorAlbanianBoy (not verified) on

<p>Nuk eshte me mire as &#39;&#39;Jashta&#39;&#39; qe nga shteti e privati. 1) Oret qe humbim me &#39;&#39;press option - No 5&#39;&#39; dhe &#39;&#39;you are 4-th in the queue&#39;&#39; derisa harron cfare deshe ne fillim kur te del &#39;&#39;nje human&#39;&#39; ne anen tjeter.</p><p>2) Blerjet, deliveries, riparimet etj. Hidrauliku apo dollapi do vijne nga 8AM-2PM, ndodh qe vijne ne 5.30 PM. Ti humbet diten e punes duke pritur. Mungese komunikimi, keqkuptime dhe vonesa masive. Nje here bleva nje dollap femijesh qe i kishin ngaterruar ngjyren, puna eshte se asgje qe te vjen nuk e kthen dot mbrapsh aty per aty. Duhet te lajmerosh dhe vijne te tjere ta marrin. 4 here e bene lemsh, &#39;&#39;orderin&#39;&#39; bile prune dhe nje krevat. Ngela duke kthyer, kthyer e kthyer vete &#39;&#39;gabimet e tyre te renda&#39;&#39; ne dyqan. Po ti presesh humb 4 dite pune! Firma ishte Argos, kompani serioze.</p><p>3) Shteti - humb kali me karroce. Sidomos nese nje gje e vogel shkon gabim...dhe jo per fajin tend. Garazhi im eshte No35, ngaqe do beheshin punime ne catine afer meje me thane: shko tek 27 per 5-6 jave.&nbsp; U kry. Nje vit me pas, mora vesh se une figuroj dhe paguaj qirane per 27!!&nbsp; Si dhe kush e nderroi, pa me thene, akoma nuk dihet. Kam 1.5 vjet megjithese perdor 35, nuk e kane rregulluar. Pa asnje faj nga ana ime. Kam shkuar 7-8 here, ngrejne supet e kerkojne falje, por eshte nje &#39;&#39;subcontractor&#39;&#39; qe i ka bere punet rremuje. Tani per &#39;&#39;anen estetike dhe burrat me shapka e qe djersijne, nuk e ka fajin shteti, por vete ata dhe grate e tyre&#39;&#39; Ndoshta titulli do ishte me mire &#39;&#39;Open Letter&#39; per Grate, &#39;&#39;Ndihmoni burrat tuaj etj..etj..etj&#39;&#39;</p><p>Simpatizohem me kalvarin e zonjes Mirela, por kete ndodhin kudo, bile dhe ne forma me ekstreme. Nga pervoja ime ne udhetime,&nbsp; Hungaria ngelet shembull. Sado konfirmime te marresh ne advance, kur je sy-me-sy, asnje nuk mban pergjegjesi dhe askush nuk thote &#39;&#39;me fal&#39;&#39; as per aparence. Po shkoi qofte dhe nje gje mbrapsh...kot lodhesh me. Burokracia, pergesat, mungesat e gabimet e shtetit, radhat dhe trafiku kudo qe jemi; po na hane jeten...e s&#39;kemi asgje ne dore per kete. Te pakten ne Shqiperi jane Sekseret...Rrofshin!! :)</p>

Submitted by Agon (not verified) on

<p>(deleted)</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.