Nevojë për pak shtet

Postuar në 03 Shkurt, 2012 04:51

Jemi në nji krizë të thellë institucionale, e ndoshta kjo asht kriza jonë vendimtare, ajo që mund të zgjidhë nji herë e mirë, pozitivisht ose negativisht, problemet aktuale. Enti në krizë asht shteti, pra ne të gjithë, madje diçka ma shumë se ne të gjithë të marrun së bashkut, pse në krizë asht edhe e ardhmja jonë. Jo e nesërmja, ajo që vjen mekanikisht si pasojë e rrotullimit të Tokës, por e ardhmja e qytetarëve që kanë me banue mbas disa vitesh në vendin tonë. Tashma mund të themi se asnji segment i jetës shqiptare s’ka mbetë jashtë kësaj krize shumëfaqëshe, e cila asht: politike, ekonomike, ndërinstitucionale, morale, kulturore, identitare, komunikative. Të gjithë: politika, gjyqsori, pushteti legjislativ, instituti i presidencës, arsimi në përgjithsi, mediat, familja, shëndetsia, strukturat e besimit fetar, shoqnia civile – janë të përfshimë në ketë krizë e asnji prej tyne nuk mund të dalin prej kësaj gjendje tek pullë. Reputacioni dhe kredibiliteti i të gjithëve asht në lojë dhe rrezikohet randshëm, prandaj metoda e strucit (ideal i shumëkujt në Shqipni) nuk asht frytdhanëse në kushtet aktuale. Para pak ditësh u festue, në të vërtetë pa shumë entuziazëm, përvjetori i Kongresit të Lushnjes. Do të duhej që festimi i atij përvjetori të nënkuptonte edhe respektin ndaj vlerave që ai kongres ka prodhue aty për aty dhe idealisht në kohë. Por s’asht e thanun që të jetë kështu! Viti 1920 ka qenë vendimtar për të ardhmen e Shqipnisë, prandaj ka disa analogji me krizën shkatrrimtare që po përjetojmë sot. Prej Kongresit të Lushnjes lindi shteti i mirëfilltë shqiptar, nji foshnje e dobtë e rrethueme prej qindra gjarpnijsh helmues, disa prej cilëve mbrenda në djep. Kronika e atij viti asht me të vërtetë rrëqethëse. Me 11 mars qeveria e S. Delvinës mori në dorzim Shkodrën prej gjeneralit francez Albert Bardi de Fourtou. Në Shkodër e në Vlorë u formuen Komitetet e mbrojtjes kombtare. Ndërkaq Ahmet Zogu me nji forcë ushtarake të drejtueme prej tij zmbrapsi jugosllavët në luftën e Koplikut. Në maj francezët lëshuene Korçën dhe grekët vrapuen me e pushtue, por u pritën me luftë dhe u detyruen me nënshkrue me 15 maj protokollin e Kapshticës. Prej marsit në qershor Bajram Curri shtypi në Shqipninë e Mesme lëvizjen esadiste të kryesueme prej Osman Balit, ndërsa i riu idealist Avni Rustemi vrau me 13 qershor në Paris tradhtarin Esad Pashë Toptani. Në qershor forcat e Qazim Koculit dhe Spiro Kolekës sulmuen italianët në zonën e Vlorës dhe i detyruen me u tërheqë. Kjo gja u ba e mundun falë edhe ndryshimit të kursit të qeverisë socialiste të Giolitti-t, e cila denoncoi traktatin e mshehtë Tittoni-Venizellos, i cili parashihte ndamjen e vendit tonë. Në gusht forcat dibrane të Elez Isufit sulmuen serbët dhe i nxorën jashtë kufijve të Shqipnisë së 1913-s. Me 9 nandor Konferenca e Ambasadorëve i njohu Shqipnisë kufijtë e vitit 1913 dhe me 17 dhjetor vendi ynë u ba antar i Lidhjes së Kombeve. Kishte kalue viti ma i vështirë për fatet e Shqipnisë, shqiptarët ishin çue në kambë, prandaj anmiqtë s’bashku me të shitunit nuk kishin mujtë me e fundos shtetin tonë. Si në vitin 1912, edhe më 1920 ishin shqiptarët që u ngritën peshë; ishin Hasan Prishtina, Bajram Curri, Qazim Koculi, Ahmet Zogu, Xhemal Naipi, Hilë Mosi, Ramiz Daci, Qazim Kokoshi e shumë tjerë që rrokën armët për me shpëtue Shqipninë. E kjo s’asht retorikë, por thjesht histori, madje ende bashkëkohore. Prandaj s’na bajnë përshtypje mbetjet megaloideiste, vllahokompromisaxhinjtë, serbofilët, turkofilët, të cilëve s’u thashka gja himni ynë kombtar! Kanë kalue 92 vjet qysh atëherë, por ne prapë se prapë e nisim vitin shkollor me abetare në dorë. Historia s’na ka mësue asgja. Kriza e sotme na rrezikon tue paralizue shtetin ligjor, tue e largue gjithnji andrrën e hymjes në Europë, tue na vorfnue ekonomikisht si popull, tue e rrafshue kredibilitetin e vendit tonë në arenën ndërkombtare, tue ba që shqiptarët të humbin besimin te klasa politike e korruptueme. Kur mendoj klasën tonë politike: injorante deri në palcë dhe grykëse deri në vetëshkatrrim, të korruptueme dhe pa kurrfarë parimi moral dhe vizioni politik, frikacake e njikohsisht gjakatare, më vjen ndër mend ajo pema makabre për të cilën flet G. K. Chersterton te “The man Who was Thursday”, e cila i hante zogjtë që ndaleshin në degët e saj dhe në pranverë në vend të gjetheve mbushej me puplat e zogjve të shkretë. Ka dy dekada që politika shqiptare përtyp me gojën e vet të qelbun prej leviatani monstruoz andrrat e shqiptarëve, dhe me paturpsi zbukuron fjalimet e veta demagogjike me puplat që i kanë mbetë nepër dhambë. Edhe pse historia nuk përsëritet, prapseprap ajo ka “rrjedhje dhe rikthime” (corsi e ricorsi) siç thonte filozofi G. Vico. Sot, të gjithë e perceptojmë ketë krizë të thellë, megjithatë s’e dijmë mirë nëse kemi nevojë për nji Sulejman Delvinë, nji Ahmet Zog, nji Qazim Kocul, nji Avni Rustem apo për dikënd tjetër që të sintetizojë shpirtin e Kongresit të Lushnjes dhe të na ndihmojnë me e kapërcye këtë gjendje vdekjeprurëse që tashma na ka mbërthye krejtësisht!

Ardian Ndreca, Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.