Në kërkim të një “vendi” pune

Postuar në 31 Janar, 2012 13:12

Duke folur për një televizion, ditë më parë, pyetjes se si e priste fushatën e vitit 2013, Kryeministri Berisha iu përgjigj se e konsideronte mandatin e tretë, si një magnet. Pra, si një tërheqje thuajse hyjnore, fatale e të pashmangshme. Ky teatralitet i kreut të shumicës nuk është as i ri e as i padëgjuar më parë. Ai është përbetuar historikisht se do të bënte një gjë, për të bërë të nesërmen krejt të kundërtën. Edhe kur thotë se nuk do të jetë ai kreu i shtetit, kjo duhet besuar vetëm për momentin kur Berisha shprehet ashtu. Një e vërtetë momentale, e cila ka pak lidhje me atë që mund të ndodhë në të vërtetë.

Përballë këtij qëndrimi që duket i ndërtuar për të humbur gjurmët e për të fshehur skemën e vërtetë, qëndron opozita, e cila formalisht ka hedhur qysh tani në treg nevojën e një presidenti të negociuar. Duke u kapur fort pas precedentëve Moisiu e Topi, PS po tenton edhe një herë që të ulë në postin e presidentit një person që s’do të ketë militantizmin banal të Jozefina Topallit, apo urtësinë e depersonalizimin e verbër të dikujt tjetër pranë vathës së Kryeministrit.

Për opozitën e sotme, në një moment të parë, artikulimi i emrit të Berishës si president të ardhshëm, ka efektin e një krisme arme në mes të një koncerti. Për arsye historike dhe aktuale, socialistët janë të gatshëm t’i binden instinktit të tyre të vjetër, i cili i sugjeron luftë totale kundër çdo posti ku kandidon qytetari me emrin Sali Berisha. Kjo është e kuptueshme, duke parë dëmet që ka sjellë pushteti i tij në dy dekada, jo vetëm për opozitën direkt, por shumë më gjerë se kaq.

Por ka edhe një anë tjetër të medaljes. Është ajo që ka hedhur në faqet e shtypit, në mënyrë të ndrojtur e si pa dashje, një deputet verior i mazhorancës, Sherefedin Shehu, duke përkrahur rikthimin e Berishës në Presidencë pas 15 vjetësh, shprehet ndër të tjera se kjo do të ishte njëkohësisht edhe një dalje e butë e tij nga politika.

A mund të jetë Sali Berisha president i ardhshëm i Republikës?! Padyshim, për çdo përfaqësues të PD-së! Kurrsesi për secilin prej opozitarëve të sotëm, që kanë njëfarë emri dhe roli brenda korpusit të pakicës. Këtu duket se harrohet vazhdimisht diçka, e cila është sa e thjeshtë, aq edhe e vërtetë. Një Sali Berishë i lënë në postin që mban aktualisht edhe pas zgjedhjes së presidentit, do të ishte një Kryeministër në moshë të thyer, i cili do të përpiqet që ta përdorë sa më mirë fishekun e fundit që i ka mbetur në vezme. E thënë ndryshe, Berisha Kryeministër do të ishte një prezencë eksplozive në verën e ardhshme, e duke pasur parasysh atë që ndodhi verën e shkuar me gjykatat dhe KQZ, nuk është e tepërt të supozohet se do t’i fitonte sërish zgjedhjet.

Nga ana tjetër, duke fantazuar pak (nuk kushton asgjë, veç të tjerash), mund të imagjinohet se një president Berisha, i larguar nga qeveria dhe formalisht edhe nga partia e tij (e thotë Kushtetuta), do të ishte së pari një prezencë jo aq mbytëse në fushatën e ardhshme. Së dyti, duke lënë ekzekutivin dhe drejtimin e mazhorancës në Kuvend, ai do të shtrëngohej të qëndronte në një cep, në pritje të rezultatit të një fushate zgjedhore, e cila do ta shihte protagonistin historik në një pozicion jo më primar.

Pyetja e thjeshtë që shtrohet në këtë rast, do të ishte përse Kryeministri do ta pranonte një zgjidhje të tillë?! Përgjigjja është, të paktën në dukje, po kaq e thjeshtë: sepse do t’ia impononin ndërkombëtarët. Padyshim, përkundër garancive përkatëse, të cilat imagjinohet se cilat mund të jenë në këto raste.

Në këtë vend nuk ka funksionuar asnjë zgjidhje, në 20 vjet, pa vulën e të huajve. Aq më pak duket se do të funksiononte tani, kur dy krerët politikë po shkojnë drejt një dyluftimi për jetë e vdekje! Duke hequr (më mirë, mënjanuar) Berishën nga fushata e 2013-s, qoftë edhe duke i dhënë atij Presidencën, të huajt kanë rastin që me anë të një pakti të fortë të pakthyeshëm me partitë e mëdha, të japin një leksion ndërmjetësimi, i cili do të ishte pikënisja e çmontimit të një ngërçi politik disavjeçar, që do të sillte rotacionin politik vitin e ardhshëm dhe do të përmbyllte ciklin e mbetur përgjysmë të largimit nga timoni i punëve, të lidershipit historik. Kjo skemë ka padyshim risqet e veta, por jo për këtë arsye nuk vlen të merret në konsideratë.

Shumëçka në rebusin politik të zgjedhjeve të ardhshme mbetet pezull. Një element i tij megjithatë duket i paravendosur qysh tani: në një pjesë të mirë të tij, fati i zgjedhjeve do të vendoset në verën e këtij viti, kur të zbulohet emri i pasardhësit të Bamir Topit. Ka për të qenë kjo garë emrash, që do të influencojë direkt apo indirekt mënyrën sesi do të sillen partitë e mëdha në fushatën e vitit të ardhshëm, kandidatët për kryeministër dhe intensitetin e garës elektorale. Kjo garë presidenciale, në dukje pa histori dhe pa fabul (PD po e përsërit deri në mërzi se kreun e shtetit do ta vendosë mazhoranca e thjeshtë e shifrave), do të jetë me shumë gjasë një mesazh i kriptuar për votimet e përgjithshme dhe një shfaqje direkte e kalkulimeve që po fillojnë të bëhen qysh tani, për ndarjen e madhe të pushtetit politik në Shqipëri, për vitet e ardhshme.

Në këtë lojë taktike globale, përfshihen padyshim edhe ndërkombëtarët, të cilët po tregojnë se kanë filluar të meditojnë seriozisht rreth impaktit që zgjedhja e presidentit do të kishte, mbi rregullimin tërësor të punëve në skenën tonë politike. Deri tani diplomatët e huaj në Tiranë e kanë treguar edhe publikisht, në daljet e tyre, se janë në reflektim e sipër, rreth identikitit të presidentit të ardhshëm. Nga ambasadori Arvizu, i cili muaj më parë tha se ishte pak e mundshme një “figurë konsensuale”, te kolegët e tij europianë, të cilët janë shprehur njëzëri për një kandidaturë bashkuese, mes PD-së e PS-së, duket se luhatjet janë të mëdha dhe se bashkësia ndërkombëtare ende nuk e ka vendosur as metodologjinë, e aq më pak emrin konkret të bujësit të Presidencës. Në këtë situatë që evoluon papushim, sa më shumë afrohet sezoni presidencial, pasqyrohet dilema e Perëndimit, për të identifikuar një zgjidhje të butë, për një vit e gjysmë të ashpër, me të cilin pritet të përballet Shqipëria. Dhe nyja më e vështirë, në këtë litar të pleksur keq, është padyshim ajo e fatit politik të Sali Berishës, i cili, ashtu si Edi Rama, është në kërkim të një “vendi” pune, pas vitit të mbrapshtë 2013.

 

Skënder Minxhozi, Shqip

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.