Media e Ballkanit (dhe ajo shqiptare) -lost in transition

Postuar në 09 Maj, 2013 03:37

Shtypi ballkanik i ditëve të sotme është më shumë një zgjatim i politikës sesa përfaqësues i opinionit publik. Një pjesë e konsiderueshme e medias vazhdon të kontrollohet nga grupe të fuqishme politike. Në njëfarë kuptimi, ato lloje komentesh që një numër autorësh (të tillë Karol Jakubovicz, Mihai Coman, Colin Sparks dhe Tomasz Goban-Klas) kanë përdorur për të karakterizuar situatën e medias në shoqëritë pas-komuniste kanë vlerë edhe për rajonin e Ballkanit: ‘Shtypi u bë pluralist, por jo i pavarur’, dhe ‘Shtypi u bë i lirë, por jo i pavarur’.
Zhvendosja nga ‘modeli i medias sovjetike’ tek ‘modeli i përgjegjësisë shoqërore’ (p.sh. McQuail, 2000) duket se ka qenë më e vështirë se sa ishte menduar. Zakonet e trashëguara nga koha e komunizmit duan të thonë që politikanët dhe partitë politike rreken pa pushim të ndikojnë – në fakt, të kontrollojnë – median, sepse vazhdon të mbetet e fortë bindja që kushdo që kontrollon informacionin ka edhe pushtetin. Klasat politike, të cilat nga natyra e kanë obsesion mbajtjen e pushtetit, ‘e konsiderojnë median jo si instrument madhor, por kryesor për politikën’ (Goban-Klas 1997, f. 37). Goban-Klas komenton, ‘Ky vizion për median është njëdimensional, i tejpolitizuar dhe i thjeshtëzuar; ai beson në rolin misionar të gazetarëve dhe në shtypin e ideologjizuar’ (1997, f. 37).
Po të më kërkohej të ofroja dy fjalë kyçe për të përshkruar problemin themelor me të cilin përballet media në Ballkanin e sotëm, këto fjalë do të ishin pa dyshim ripolitizim dhe klientelizëm. Në fakt, këto mund të shihen si dy anët e së njëjtës monedhë.
Për të ndjekur dialektikën e marrëdhënies midis medias dhe politikës, mund të pohohet pa hezitim që gjatë dhjetëvjeçarëve të tranzicionit paskomunist, politika ka ndikuar dhe i ka dhënë formë medias më shumë sesa media ka ndikuar dhe i ka dhënë formë politikës.
Është fakt i pashmangshëm që një shoqëri e mbushur me konflikte dhe tejet e politizuar (çka vazhdon të qëndrojë për shoqëritë e Ballkanit) e infekton median e saj dhe e përfshin në konflikte e luftëra, si dhe e përdor si një mjet të rëndësishëm për zhvillimin e këtyre konflikteve, duke shkatërruar kështu pavarësinë, paanshmërinë dhe profesionalizmin e saj gjatë këtij procesi. Një pjesë e medias është treguar e paaftë t’i rezistojë presionit dhe joshjes së politikës (dhe jo vetëm politikës); një pjesë e medias thjesht e sheh të pamundur të imagjinojë rolin e vet jashtë kësaj anshmërie.
Kjo anshmëri, mbi të gjitha, është pasqyrim i natyrës së politikës, e cila perceptohet më shumë si konflikt se sa si dialog. Është edhe pasqyrim i faktit që shoqëritë e Ballkanit janë shoqëri më politike sesa shoqëri të informacionit, shoqëri më politike sesa shoqëri civile.
Format më të zakonshme të klientelizmit politik gjenden tek transmetuesit publikë, të cilët në Shqipëri, IRJ të Maqedonisë, Kosovë dhe Malin e Zi vazhdojnë të jenë nën kontrollin e qeverive qendrore, të cilat i përdorin e keqpërdorin ato gjatë dhe përtej fushatave politike. Megjithëse do ishte e pamundur të krahasoheshin transmetuesit e sotëm publikë me bastionet e propagandës që ato kanë qenë gjatë periudhës së autoritarizmit të ri, prapëseprapë, në shumicën e rasteve, kanalet televizive të ashtu-quajtura publike mbeten televizione të ‘tapetit të kuq:’ pra, janë të mbushura me mbulim të protokollit dhe informacionit të qeverisë. Këto kanale publike më shumë i ngjajnë një Ministrie Propagande sesa medias normale.
Klientelizmi në media përbën një fenomen kompleks që duhet parë si i lidhur ngushtë me kontekstin e zhvillimit shoqëror dhe politik në vendet e rajonit. Politika në Ballkan është shndërruar në tele-politikë. Në përgjithësi, debati politik dhe publik është zhvendosur nga sheshet e tubimeve në ekranet debateve televizive, çka është sigurisht një zhvillim pozitiv. Ndërkohë që fillimisht politika zhvillohej në rrugë, tani ka kaluar në debatet në studio televizive. Megjithatë, duket se medias i është dashur të paguajë një çmim për këtë ndryshim.
Kjo ‘tele-politikë’ mund të shihet si një aspekt i mediatizimit të politikës, çka është një zhvillim tërësisht normal. Mirëpo duket se në vend të mediatizimit të politikës, në fakt, tele-politika përbëhet më shumë nga klientelizmi politik i medias. Duke qenë se fokusi i medias kalon nga publiku tek politika, për rrjedhojë, kjo i shërben politikës në vend që t’i shërbejë publikut. Ajo që vërehet në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni është përdorimi, keqpërdorimi dhe abuzimi i medias nga politika.
Për ta përshkruar këtë situatë, analisti shqiptar Fatos Lubonja përdor termin ‘regjim mediatik.’ Sipas Lubonjës, ‘ndërsa në regjimet e ashtuquajtura policore apo ushtarake, përdoren policia, ushtria, apo shërbimet sekrete që regjimi të qëndrojë në pushtet, në rastin tonë përdoret media’ (2009, f. 10). Ndoshta termi më i saktë për t’u përdorur në këtë rast është media-kracia. Megjithëse në teori, çështjet që kanë të bëjnë me median paraqiten si çështje të demokracisë, në realitet, ato shndërrohen në çështje pushteti. Siç shkruajnë Sandra B. Hrvatin dhe Brankica Petkovic, ‘sot duket e pamundur të qëndrosh në pushtet pa mbështetjen e medias’ (2004, f. 10). Samuel Huntington ka folur mbi rreziqet që i kanosen demokracisë nga vetja. Në fakt, instrumentalizimi i medias e bën median pjesë të kësaj loje. Nëse keqpërdoren, mediat shndërrohen nga mekanizëm i demokracisë në një mekanizëm që punon ‘për të pakësuar apo shkatërruar demokracinë’ (cituar tek Sartori, 1999, f. 173).
Ekziston edhe një prirje tjetër, e cila, në pamje të parë, mund të duket si e kundërta e kontrollit dhe presionit, por që në fakt të çon tek e njëjta gjë. Në disa raste, gazetarët mund të shkruajnë çfarë të duan, mund të kritikojnë sa të duan, mirëpo paskëtaj askush nuk reagon dhe nuk ndodh kurrgjë. Kjo gjendje është vëzhguar në Shqipëri, ku reagimi i dikurshëm nervoz ndaj kritikave tani po zëvendësohet me indiferencën totale ndaj këtyre kritikave. Njerëzit mund të shkruajnë çfarë të duan, por askush s’e vret mendjen. Në dy vitet e fundit janë botuar artikuj të rëndësishëm investigativë, por si autoritetet ashtu edhe sistemi ligjor as nuk kanë reaguar e as nuk kanë filluar hetimet që artikuj të tillë kërkojnë. Me fjalë të tjera, gazetarët kanë të drejtën të flasin, por jo të drejtën për t’u dëgjuar. Indiferenca ndaj kritikave çon në zhvlerësimin e fjalës së lirë.

Një aleancë e pashenjtë: media, biznesi, politika
Kur analizon situatën e medias në Ballkan, duhet mbajtur mend që klientelizmi dhe instrumentalizimi politik në media përbëjnë vetëm një aspekt. Tabloja nuk do të ishte e plotë nëse analiza do të kufizohej vetëm tek këto dy elemente. Në realitet, në vendet e Ballkanit Perëndimor, media është në një pozicion sanduiç midis politikës dhe biznesit, hera-herës për shkak të presioneve me të cilat përballen, por herë të tjera sepse e vendosin vullnetarisht veten në këtë pozitë. Kështu, media duket të jetë një zgjatje e politikës nga njëra anë dhe një aneks i bizneseve të ndryshme nga ana tjetër.
Terreni mediatik i mbingarkuar dhe fragmentarizuar në Shqipëri, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë, nuk shpjegohet dot nga pikëpamja e logjikës së tregut. Për shembull, Shqipëria mban vendin e parë në Europë për nga numri i gazetave të përditshme për frymë (26 të tilla, në një vend me një popullsi prej afro 3.5 milionë banorë), por renditet e fundit në Europë kur bëhet fjalë për tirazhin e gazetave të përditshme për frymë, sepse në total, këto 26 të përditshme prodhojnë më pak se 100 000 kopje.
Shumica e këtyre të përditshmeve mund të konsiderohen ‘buletine të kompanive të ndërtimit.’ Kompanitë i furnizojnë këto gazeta me fonde jo që ato t’iu shërbejnë interesave të publikut, por që të mund t’iu shërbejnë interesave të bizneseve përkatëse. Po t’i pyesësh këto kompani se pse harxhojnë para çdo muaj për një veprimtari që nuk u sjell asnjë përfitim, përgjigja që merr rëndom është që, me anë të këtyre gazetave ‘ato mbrojnë bizneset e tyre’. Kjo ndoshta është pjesërisht e vërtetë, por vetëm pjesërisht. Me anë të këtyre gazetave, bizneset mund të ushtrojnë presion dhe të sigurojnë favore. Dhe, hera-herës, ajo çka nuk botohet (për shembull, hollësi për një ryshfet të dhënë për të marrë një kontratë) është më e rëndësishme sesa ajo që botohet. “Media nuk është fitimprurëse, por shihet si fitimprurëse tërthorazi. Media bëhet fitimprurëse vetëm si mjet për të siguruar leje ndërtimi dhe favore të tjera nga qeveria. Me fjalë të tjera, në llogaritë e tyre, bilanci është në tërësi pozitiv”, thotë një aktivist i medias, cituar në raportin e fundit të organizatës spanjolle FRIDE mbi Shqipërinë (FRIDE, 2010). Një raport i OSI nënvizon faktin që ‘Sektori i tejngopur i medias në Serbi shkon përtej potencialit tregtar të ekonomisë dhe shumë organe të tjera mbijetojnë vetëm falë raportimit të anshëm. Konkurrenca e padrejtë e bën të vështirë lulëzimin e gazetarisë së pavarur premtuese’ (2010).
Ajo së cilës i jemi dëshmitarë sot është një aleancë e pahijshme midis politikës, biznesit dhe medias, e cila, në rastet më ekstreme, mund të çojë në një formë të rrezikshme të kapjes së shtetit. Siç vinte në dukje me të drejtë gazetari kroat Drago Hedl, teksa komentonte vrasjen e Ivo Pukanic, gazetar dhe botues i revistës ‘National’, në tetor 2008, kjo vrasje ofron prova ‘mbi vijën e hollë që ndan politikën, biznesin dhe median nga mafia, krimi dhe korrupsioni’ (Hedl, nd). Në një kuptim, mund të thuhet se jo rrallë, presionet politike janë shndërruar në ekonomike. Siç thotë eksperti bullgar i medias, Ivan Nikolchev, gazetarët ‘po përballen me zgjedhjen e vështirë midis punës nën presion politik ose ekonomik. Shpesh, as këtë zgjedhje nuk e kanë dhe punojnë nën të dyja ato’ (2000, f. 23). A mund të thuhet se fatorinot e rinj ekonomikë kanë zëvendësuar ish-rojet politike? Deri në një masë, po.
Media në rajon nuk përballet më me presionin e qeverisë deri në atë masë sa disa vjet më parë. Tani media përballet me rryma kapitaliste dhe presione financiare të tilla si kapitali i huaj, shpërndarja, transparenca, pronësia, politika e punës dhe korrupsioni. Kështu, proletariati i medias është një fenomen në lindje e sipër në Ballkan tani. Ditët e sotme, pronarët dhe redaktorët përbëjnë një kërcënim më të drejtpërdrejtë apo të afërt ndaj gazetarëve sesa qeveritë. Për rrjedhojë, çështjet e nxehta në rajon tani përqendrohen tek marrëdhëniet midis organeve të medias dhe punonjësve të tyre, tregut të punës, sindikatave profesionale dhe pronësisë së medias. Kjo është një axhendë që duhet trajtuar.
Kjo situatë ka çuar në atë që mund të përshkruhet si auto-censurë. Gazetarët, disa prej të cilëve punojnë pa kontrata, duhet t’iu përshtaten interesave dhe shijeve të pronarëve të tyre dhe të zbatojnë axhendat e atyre. Më tej, në një situatë kur reklamat qeveritare vazhdojnë të jenë një prej burimeve kryesore për shumicën e organeve të medias (për shembull, në IRJ të Maqedonisë, qeveria është reklamuesi i dytë më i madh), pronarët e medias përpiqen t’u vënë fre kritikave të gazetarëve të tyre ndaj qeverisë në këmbim të më shumë reklamave qeveritare.
Një studim i kryer nga Rrjeti i Europës Juglindore për Profesionalizimin e Medias (SEENPM) në 17 vende ish-komuniste, përfshi të gjitha vendet e Ballkanit, arriti në disa përfundime interesante lidhur me pronësinë e medias dhe ndikimin e saj mbi pavarësinë dhe pluralizmin e medias (Hrvatin dhe Petkovic, 2004). Nuk janë faktorët ekonomikë që vënë në lëvizje tregjet mediatike në Ballkan. Një numër relativisht i madh gazetash të përditshme erdhën në jetë me qëllim mbështetjen e interesave të caktuara politike. Disa pronarë blejnë organe të medias me qëllim që të sigurojnë mbështetje për linjat e tjera të bizneseve të tyre (Hrvatin dhe Petkovic, 2004, f. 22-3). Në fakt, media në Ballkan duket se funksionon në një fazë para-treg, duke pasur parasysh që termi ‘treg’ nënkupton ekzistencën e një sistemi, i cili në fakt mungon.
Studimi arrin përfundimin që pronësia e medias në vendet ish-komuniste, përfshi Ballkanin, është e paqartë dhe jotransparente. Megjithëse në shumicën e vendeve të tilla ka legjislacion të miratuar që, përgjithësisht, është mjaft i përparuar, dhe që ndalon përqendrimin e pronësisë së medias në pak duar, individë të fuqishëm, shpesh me lidhje të dyshimta, mbizotërojnë gjithmonë e më shumë në tregun e medias, duke anashkaluar legjislacionin ekzistues. Sipas sondazheve, pas partive politike, media është institucioni më jotransparent në Shqipëri (shih www.institutemedia.org). Ndodh jo rrallë që i njëjti pronar (që interesin kryesor ka industrinë e naftës apo ndërtimit, në mënyrë tipike) të ketë në pronësi një gazetë, të ketë aksione në një kompani televizive, të ketë kompaninë e vet të internetit, dhe sigurisht klubin e vet të futbollit. Ndërkohë që kjo mund të jetë përjashtimi nga rregulli në disa vende, në Shqipëri, ky fenomen përbën rregullin.
Nga ana tjetër, në thuajse të gjitha vendet mund të vihet re një prani e madhe e pronarëve të huaj të medias. Grupi gjerman Westdeutsche Allgemeine Zeitung (WAZ) kontrollon gazetat kryesore në të gjitha vendet e Ballkanit. Nëse dhjetë vjet më parë njerëzit në Ballkan filluan të flisnin mbi privatizimin e medias, sot mund të flasin fare mirë për pri-Waz-izimin e medias.
Prania e pronarëve të huaj të medias është shoqëruar me probleme dhe debate në rajon. Botuesit vendas të gazetave janë ankuar për pozicionin monopolist të WAZ dhe çmimet damping të aplikuara nga gjiganti gjerman i medias, të cilat e kanë vështirësuar pikërisht mbijetesën e tyre. Të tjerë mendojnë që WAZ është i gatshëm të flirtojë me qeveritë në rajon, apo të paktën t’i lërë rehat në mënyrë që fitimet e kompanisë të mos preken.
Të tjerë mendojnë se prania e pronarëve të huaj mediatikë ka pasur një ndikim pozitiv. WAZ dhe të tjerë janë përpjekur të nxisin vendosjen e rregullave në tregje ku, në fakt, këto rregulla ose nuk ekzistonin ose thjesht shkeleshin. Pronarët e huaj përgjithësisht janë më të distancuar sesa ata vendas nga interesat politike të ditës. Siç u shpreh në një intervistë Përfaqësuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) për Lirinë e Medias, Miklós Haraszti, ‘më mirë pronari i huaj sesa oligarku vendas; më mirë investim nga një kompani profesioniste mediatike sesa, ta zëmë, bankat vendase, kompanitë vendase të naftës, kompanitë vendase të energjisë, secila prej të cilave ka median e vet për qëllimet e veta në të cilat mund t’u kanosen apo të censurojnë gazetarët e tyre’ (Haraszti, nd).
Nëse do të ndaleshim tek çështja e transparencës në pronësinë e medias (kush zotëron çfarë), thjesht do gërvishtnim sipërfaqen. Pronësia mediatike mund të jetë e fshehtë, por nuk është mister. Nuk është e vështirë të kalosh regjistrat e pronësisë së medias dhe të zbulosh në to emrat e bashkëshorteve dhe të afërmve të politikanëve. Po të gërmosh pak më thellë, arrin tek çështja më problematike e transparencës së financimit të medias (kush paguan kë). Çështja e transparencës është zhvendosur nga shqetësimet mbi transparencën e pronësisë tek shqetësimet mbi transparencën e financimit të medias. Këtu qëndron edhe misteri. Vite më parë, Kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano deklaroi në parlament se ‘thuajse 50 për qind e financimeve të medias vijnë nga burime të panjohura’ (raportuar në Sot, 6 korrik 2004). E njëjta shifër citohej edhe nga Indeksi mbi Qëndrueshmërinë e Medias për vitin 2010, sipas të cilit, nga të gjitha bilancet financiare të paraqitura në Këshillin Kombëtar të Radio-Televizionit (KKRT), ‘deri 50 për qind e shpenzimeve nuk mbuloheshin dhe nuk shpjegoheshin’ (IREX, 2010, f. 13). Duke pasur parasysh mungesën e transparencës së tregut të reklamave dhe mungesën e kërkimeve në këtë fushë, si edhe mungesën e vullnetit të vetë medias për të ofruar të dhëna të tilla, deri më sot,burimet e financimit të medias mbeten të paqarta.

*Ky tekst është pjesë e një studimi për median në Ballkan. Botuar së pari në faqen online të Institutit Shqiptar të Medias.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.