Mbi kryereformën e Shqipërisë

Postuar në 09 Korrik, 2013 06:16

Ditën që gazetari Blonde kish mbetur pa asnjë grosh dhe miq, e i vendosur tja hiqte vetes, ftesa mberriti. Kontesha i propozonte martesë, e cila shoqërohej me një muaj mjalti në zonat ku « mtonjësit e mëdhenj» duke përdorur fshatarët kishin zënë pronat e gjeneralit plak tashmë i vdekur. Blondeja u nis për të parë edhe njëherë vëndet e bukura dhe të sistemuara. Po cfarë të shihte.. Në vënd të tyre një mizëri e pafundme kasollesh që rrethonin kështjellën dhe gjithcka. Mtonjësit që ndanë plackën e gjeneralit nuk ishin më dhe fshatari kishte fituar…

Perifrazuar nga kryevepra e Balzakut « Fshatarët »

Sikur mtonjësit tanë të mëdhenj Berisha e Nano të shohin veprën e tyre pas vdekjes së Hoxhës, mund  dhe ti vinin emra vetes si personazhet që përshkruan plaku Balzak. Po nëse me vetëkritikën nuk merren, kanë kohë ta lexojnë në pensionin e tyre këtë kryevepër të mjeshtrit të madh e të kuptojnë cfarë i bënë Shqipërisë. Apo më mirë ti lëmë në fatin e tyre e tu hipim këmbëve e të shohin se çfarë po ndodh përreth Tiranës, Durrësit e Golemit.  Janë situata që i sheh shumë qartë nga avioni kur fluturon mbi Shqipëri : shtëpira, ndërtesa të shtrira në mënyrë të çrregullt nëpër territor, dhe që s’ka bir nëne t’i dërgojë energjinë, ujin, rrugët dhe gjithçka. Ti lëmë mtonjësit e vjetër e të flasim seriozisht sa mundemi për kryereformën që i duhet Shqipërisë, reformën territoriale apo administrative Këtë gjë si të parën e tij tha Rama, pra ai që do të bëhet Kryeministër i Shqipërisë, cka duket e nderon si fillim për rolin që kërkon të marrë.

Shqipëria sot ka një ndarje territoriale që reflekton periudhën e kooperativave të niveleve të ndryshme. Ka sot mbi 3000  fshatra  dhe mbi 300 komuna, diçka e panatyrshme për një shtet që nga 1990 kur komunizmi ka rënë, ka parë që popullsia e vet të zvogëlohet. Si pasojë e ruajtjes së kësaj ndarjeje, kemi miniadministrata lokale, që vjedhin fonde të vockla apo të mëdha, që po rrënojnë mjedisin, burimet natyrore, dhe që në këmbim të kësaj i shërbejnë pushtetit qendror në vjedhje votash, pavarësisht flamurit që i ka sjellë në krye të njësive të vogla territorale që i drejtojnë. Është kjo arsyeja pse përgjithësisht partitë që janë në qeveri arrijnë të fitojnë zgjedhjet lokale. Krijohet një lloj simbioze që këta njerëz, shndërrohen në ushtri elektorale për qeverinë duke krijuar atë rregull që është respektuar gjithnjë : partitë në mazhorancë në qeverisje, fitojnë dhe në provincë, sepse kanë ndihmën kryetarucëve të komunave me 100 shtëpi për të manipuluar zgjedhjet.

Nuk e di se çfarë ka në mendje Rama me reformën territoriale, por zgjedhjet e fundit i kanë dhënë mandat së majtës për të bërë shndërrime epokale. Një shndërrim i tillë është dhe zmadhimi i njësive territoriale, me një fjalë komunave, që kaq të vogla sa janë, janë krejt pa kuptim. Janë të paprecedenta në gjithë Lindjen, madje dhe Kosova është më mirë se ne, në ndarjen territoriale. Këto zgjedhje, me frymën e tyre për ndryshim e flakën tutje këtë simbiozë të administratës qendrore me lokale në favor të pushtetit, duke nxjerrë në pah nevojën që kjo situatë të ndryshojë njëherë e mirë.

Për konceptin tim ideja ka vlerë më të mire në formën e saj radikale. E thënë qartë komuna duket hequr dhe  kështu me të edhe një nivel i pushtetit lokal si barrë që nuk i hyn në punë vëndit. Të mbash ndoshta vetëm 30 a dicka më shumë bashki dhe asnjë komunë do të thotë ta modernizosh Shqipërinë. Pse ? Sepse në njësi më të mëdha territoriale mund të destinosh fonde më të mëdha për të bërë politika zhvillimi, për infrastrukturën e gjithanshme, për arsimin, kulturën, ekonominë. Hidhini një sy fshatit gjerman apo austriak i ndërtuar buzë rrugës në të dy anët e saj dhe e kupton se atyre u kushton shumë më pak se ne ujët, dritat dhe gjithcka tjetër. I duhet një tel elektriku dhe një tub uji. Shqipëria e sotme e shtrirë ashtu sic e shohim, do më shumë tel elektriku dhe tuba uji se e gjithë Gjermania bashkë. E një zot e di se cfarë ushtrie riparuesish e kujdestarësh duhen për ta mirëmbajtur atë.

Hidhini një sy rrugës nacionale Tiranë –Durrës. E filluar me dy korsi ajo ka tani tetë në dy krahët dhe prapë nuk kanë asnjë vlerë. Kudo mund të vesh afër vdekjes, sepse asnjë nuk e di si të dalë apo të hyjë në to, se asnjë nuk e di ku fillon e ku mbaron një fshat. Gjithnjë  kam menduar se pas dhjetë a njëzetë vjetësh apo dhe më parë, do të detyrohemi ti shëmbim shtëpitë tona në fshat. Kjo  do të ndodhë realisht kur të na detyrojnë të paguajmë energjinë, ujin apo taksën e pronës, kur të shohim se fëmijët duan edhe ngrohjen edhe shkollën dhe kur më në fund të kërkojmë ku është realisht qëndra  e fshatit. Do ti shkatërrojmë, se do ta kuptojmë se gjithcka na kushton shumë më shtrenjt se ajo që ka bërë e ndërtuar gjermani dhe austriaku.

Reforma territoriale është kursim parash dhe po ashtu fitim i tyre. Duket sikur ideja radikale e cila kërkon heqjen e komunave dhe i redukton bashkitë gati edhe më pak se të komunizmit që kishte 26 rrethe, është gabim në planin krahasues së pari ndaj modeleve të tua ekzistuese apo të tjerëve nga kopjon apo aspiron ti arrish. Duket sikur i ikën modelit administrativ perëndimor psh atij italian nga duket kemi kopjuar më shumë. Besoj që reforma nuk është kopjim po kuptim i saktë i fuqisë potenciale  dhe i infrastukturës që posedon, shkurt reforma territoriale varet nga shpejtësia e lëvizjes që ka vëndi aktualisht dhe ato që kërkon të arrish për një periudhë relativisht jo të shkurtër. Edhe sikur këndvështrimi sipërm të jetë minimalist, ai prapë në vetvete mban mundësinë e kontrollit duke e korrektuar dëmin e shkaktuar që është po minimal.

Të kesh qëndra më të mëdha, do të thotë që të urbanizosh shumë shpejt shoqërinë shqiptare. Do të thotë ta kalosh nga realiteti fisnor, në realitet urban. Fshatrat e vogla shqiptare reflektojnë ndarjen fisnore. Kemi fshatra ku të gjithë familjet kanë të njëjtin mbiemër dhe që në bashkimet e reja, do të përziehen me fise të tjerë, duke krijuar ndërveprime të fuqishme. T’i bashkosh ato në njësi më të mëdha do të thotë të krijosh një ndjenjë përkatësie tjetër. Do të thotë të ndërtosh qendra kulturore, sportive, tregëtare, të ndërtosh qendra që i ngjajnë qyteteve.

Sot kjo gjë është gjithnjë e më shumë e mundur. Nëse qeveria e Berishës thotë se ka ndërtuar shumë rrugë në fshatra, atëherë më mirë akoma. Distancat e largëta nuk janë më arsyet pse duhet të mbash në këmbë komuna të vockla, që deri dje ishin të justifikuara me nevojën për t’ju gjendur afër banorëve të zonave, për çertifikata, apo shërbime të tjera.

Të kemi komuna më të mëdha do të thotë të nxisësh një jetë ekonomike tjetër, tipike të kapitalizmit. Bujqësi të zhvilluar dhe agroindustri. Krijohen dinamika të reja urbane, bizneset, tregëtia marrin hov të ri, bëhen më të justifikueshme në ngulime më të mëdha urbane, konkurenca mes tyre prodhon zhvillim. Do lindi nevoja e bashkimit të pronës, pra do kemi fillimet e pronës së madhe kapitaliste në fshat, diçka e paimagjinueshme sot me parcelat dhe ngastrat e vogla që ekzistojnë. Do të kemi mbrojtje më të madhe të atyre pak pyjeve që kanë mbetur, do kenë më kuptim kanalet vaditëse, do kemi mekanizim të bujqësisë, do kemi treg të vërtetë bujqësor.

Në komuna më të mëdha bëhen politika të vërteta zhvillimore që vijnë prej administratës publike. Në vend se të destinosh thërrime të vogla fondesh për miniadministrata që i tresin shumë shpejt ato në forma korruptive, në drejtim të fshatit shqiptar do destinohen fonde më të mëdha që do kenë dukë, dmth do kenë efektivitet. Kjo nuk është shpikje, por është realitet kudo në botë, në Perëndim dhe në Lindje.

Në komuna më të mëdha do të krijohet klasë e re dhe e vërtetë administratorësh lokalë që nesër do të mund të angazhohen dhe në qeverisjen qendrore sipas ligjësisë tipike të demokracisë. Do të mund të kesh ta zemë Këshilla rregullues të territorit, zyra urbanistike të vërteta, dhe jo si sot, kur komuna të vockla në emër të interesave elektoralë vendosin për fatin e sotëm dhe të ardhshëm të turizmit kombëtar. Shikoni çfarë ka ndodhur në Golem, apo në fshatra të tjerë turistikë për ta kuptuar këtë. Kryetarë komunash pa as një lloj administrate dhe pa as një lloj fondi, të pajisur vetëm me një copë lapsi gjysmë të thyer dhe në ndonjë kafene të zgjebosur fshati, kanë pasur të drejtë apo dhe e kanë të ndajnë fatin e pjesëve më të mira të vendit të të gjithëve. Kanë cuar në ferr, pyje dhe kullota dhe sot mund ti shohësh nga ajo pamja e parë e fillimit të kapardisur jo në kalë por në makina të shtrenjta duke na lënë në dorë Shqipërinë. e rreckosur.të tipit afrikan.  A kanë pasur faj thua dhe mtonjësit e mëdhenj Berisha dhe Nano, apo e kanë kuptuar dramën dhe e kanë lehtësuar atë?  Mund të shkrihesh gazit por në fund tja plasësh të qarit kur shihje këta kapedanë të mëdhenj që premtonin në fushatat e mëdha elektroale se do tu jepnin “x” apo “y” zone emrin qytet apo komunë, pa pasur këta të fundit as para për zyra as për administratë dhe për asgjë. Këto faktikisht ishin vetëm leje shpërblimi për grabitjen e pasurive përreth të asaj parie të emëruar, për shërbimet e fushtës së djeshme atë nesërme. Nuk është cudi që nesër shumë prej këtyre komunave të falimentojnë. Të mbajtur në mëshirën e qeverisë qëndrore apo “granteve të saj bujare” ato kishin realizuar vetëm në letër të qënit komunë, a qytet. Në këtë pikë qeveritë e majta dhe të djathta duken se i kanë ngjarë Hoxhës së vjetër I cili favorizonte psikollogjinë e  sëmurë tonën të këndonte me krenari “Më ka lindur në majë të kepit ska cmë bën as krajl as mbreti.” Pavarësisht se ky I fundit rrinte vetëm në qytet….”Strategji” gjeniale për të forcuar ndjenjën kombëtare, vlerën e të cilës po e shijojmë vërtet.

Komunat e mëdha, do të thotë një ndjenjë e re përkatësie kombëtare, më e fortë akoma. Do të thotë treg më kompakt kombëtar, i cili është premisa e kësaj ndjenje të re përkatësie kombëtare. Ky treg është më lehtësisht i kuptueshëm në kërkesat e veta, sesa ai i copëtuari që kemi sot.

Të bësh reformën territoriale sot, do të thotë pra që ta zhvillosh Shqipërinë, ta nxjerrësh fshatin e saj nga marrëdhënie feudale në marrëdhënie tipike kapitaliste. Mbajtja e Shqipërisë rurale në këto lloj marrëdhënie është krimi më i madh i politikës së majtë dhe të djathtë të këtyre viteve.  Berisha ka ndenjur më shumë në pushtet, dhe ka përgjegjësinë më të madhe. Për më shumë që ndonëse mburret se ka bërë rrugë në fshat, nuk deshi për arsye elektorale që të kryejë një reformë të tillë. Nuk dimë ta ketë thënë, nuk dimë ta ketë kërkuar, që pastaj të justifikohet se nuk ka patur shumicën e nevojshme për ta miratuar. Sot jemi në rrethana të tjera parlamentare, dhe merita historike për realizimin e një reforme themelore për fshatin shqiptar do i takojë dikujt tjetër.

Rama thotë se ka në program Rilindjen. Thua ta ketë lexuar thënien që i atribuohet njërit prej pinjollëve më të shquar të Frashërllinjve, prej nga buron Rilindja apo edhe vetë emri i Shqipërisë. Mithat Frashëri thotë thjesht. Asnjë fshat nuk duhet të ndërtohet, nëse ai nuk i ka dyqind e pesëdhjetë shtëpi. Nëse Rama e ka lexuar këtë kjo më gëzon ca më shumë, po edhe nëse jo, fakti që e ka kuptuar cështjen si të parën gjë që duhet bërë, do të thotë që kemi ende shpresë se vërtet ai do të trokasë për tu ulur në tavolinën e Frashërllnjve të mëdhenj e për të dëgjuar urtësisht këshillat e tyre shëronjëse.

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.