Marrí dhe utopi

Postuar në 01 Shkurt, 2012 06:52

Duke e përdorur Beogradin për të shantazhuar, e Tiranën për të përfituar, nuk bëjmë gjë tjetër vetëm ngecim në vend, të lumtur me marritë dhe utopitë tona.

Një fotografi në të cilën Ibrahim Rugova shihet duke ia shtrënguar dorën Slobodan Milosevicit dhe duke buzëqeshur është përdorur për vite të tëra nga kundërshtarë të tij, ndër të cilët më së shumti anëtarë të PDK’së, për ta luftuar e shantazhuar atë.

Askush as që donte t’i merrte parasysh rrethanat në të cilat ai takim kishte ndodhur dhe ajo fotografi ishte bërë. Mjaftonte që ai e kishte takuar atë dhe gjithçka ishte e qartë - Rugova ishte tradhtar! Atëbotë shpërndaheshin edhe posterë me atë fotografi, madje u botuan edhe libra që në ballinë kishin po atë fotografi.

Pothuajse në të njëjtën kohë, një fotografi e Hashim Thaçit bashkë me Adem Jasharin ishte shfaqur papritmas dhe po u shërbente pëdëkëistëve për të “vërtetuar” se lideri i tyre nuk ishte si Rugova dhe se, përderisa i pari po e luftonte, ky i dyti po i buzëqeshte Milosevicit. Kampi i Rugovës thoshte se fotografia e Thaçit me Jasharin ishte montazh, por asnjëherë nuk u sqarua nëse kishin të drejtë.

Për të vazhduar “luftën” me fotografi, lëdëkëistët u përkujdesën të publikojnë një të tillë të bërë në fillim-vitet ’90 në Aeroportin e Tiranës, në të cilën shihej Rugova në një konferencë shtypi, e mbrapa tij, bashkë me disa të tjerë, edhe Adem Jashari. Njëra palë thoshte se Jashari ishte qëlluar rastësisht aty kur ishte shkrepur aparati, kurse pala tjetër përpiqej të argumentonte se asgjë s’ishte e rastësishme. Animoziteti politik dhe urrejtja ndërmjet PDK’së e LDK’së u zbut me kalimin e viteve dhe fotografitë e dikurshme nuk u shfaqën më. Por, vite më pas, një luftë tjetër po zhvillohet ndërmjet PDK’së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, ndonëse jo me fotografi.

Pak kohë pasi VV kërkoi nga Hashim Thaçi që të përgjigjet për takimet me Boris Tadicin, PDK u kundërpërgjigj. Deputeti Bekim Haxhiu, i njohur si Kamishi, ish-zyrtar i SHIK’ut, kërkoi nga Albin Kurti të tregojë për lidhjet e tij me një grua serbe që e paska vizituar atë në burgun e Pozharevcit dhe më pas në Prishtinë, për përmbajtjen e një zarfi dërguar me autobus nga Beogradi në Prishtinë, shtatorin e kaluar dhe për një takim me serbët në Klinë, para gati tetë vjetësh.

Zyrtarisht, SHIK’u është thënë të jetë shuar në vitin 2008, por duket se “celula” e tij në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë funksionon ende. Ndryshe, Kamishi nuk ka si ta dijë se kush dhe çfarë i dërgon Kurtit nga Beogradi.

Beogradi sërish po përdoret si gogol për qërim hesapesh politike. Si para një dekade, ashtu edhe tash, po që se komunikojnë në çfarëdo mënyre me Beogradin bëhesh me damkë dhe duhet të japësh përgjegjësi. Sepse, logjika edhe e PDK’së, edhe e VV’së thotë se problemi më i madh për Kosovën është Serbia, gjë që nuk është e vërtetë. Përderisa qytetarët presin që ata që ua kanë dhënë votën t’ua zgjidhin shumë probleme, ata duhet të merren se me kë ishte Albin Kurti në automobil dhe sa kilogramë suxhukë kishte me vete, se çka fshihet në zarfa të ardhur nga Beogradi dhe marri të tjera si këto. Secili nga ne ka të drejtë të komunikojë e të rrijë me cilindo që ka dëshirë, qoftë ai shqiptar a serb. Për veprimet e tyre, politikanët vuajnë pasoja politike, por askush askujt nuk ia jep të drejtën të damkos tjetrin për zgjedhjet e tij personale, politike a emocionale.

* * *

Kamishi nuk është vetëm deputet e ish-pjesëtar i SHIK’ut (zyrtarisht të shuar). Ai mban postin edhe të nënkryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Një post me përgjegjësi të madhe, sidomos në një vend si Kosova, futbolli i së cilës vuan nga traumat e së kaluarës dhe të së tashmes. Megjithatë, FFK dhe Kamishi duket të mos jenë të përfshirë në “idenë gjeniale” që në ligën superiore të Shqipërisë të garojnë edhe dy klube futbolli nga Kosova. KF Prishtina po kërkon me ngulm që të bëhet pjesë e ligës së Shqipërisë, por duket se interesa thjesht financiarë, e jo të natyrës tjetër kanë bërë që udhëheqës të klubit të ndërmarrin iniciativa të tilla utopike, që veç mendja e shqiptarit di t’i pjell.

Shqipëria është shtet dhe e ka organizimin e vet sportiv. E tillë është edhe Kosova. Çfarë logjike ka që Prishtina dhe eventualisht ndonjë klub tjetër të bëhet pjesë e ligës së një shteti tjetër? Apo, a ka fare logjikë? Për ta bërë një gjë të tillë, atëherë Prishtina do të duhej të çregjistrohej nga liga e Kosovës dhe, po që se e pranojnë “vëllezërit nga Shqipëria”, të bëjë gara atje.

Ose, të krijohet ndonjë ligë e përbashkët jozyrtare sa për t’i kënaqur apetitet shqiptaromëdha. Përndryshe, çdo variant tjetër zyrtar është i pamundur dhe vetëm një përrallë. Siç është përrallë e keqe dhe utopike edhe ideja “një komb, një Kombëtare”. Shqipëria e ka Kombëtaren e vet dhe Kosova do ta krijojë të sajën sapo t’i lejohet një gjë e tillë. Nëse dikush ma thotë se si ka mundësi që dy shtete të krijojnë një kombëtare të përbashkët, atëherë jam i gatshëm të kërkoj falje për këtë lajthitje që dikush mund ta marrë edhe si fyerje. Më mirë është që tipat e tillë të punojnë për futbollin kosovar, e paaftësitë e veta të mos i mbulojnë me shqiptarizma e patriotizma.

* * *

Para pak ditësh, në njërin nga autobusët e linjës Beograd-Prishtinë edhe unë e mora një zarf. Me një libër brenda. “Celula” e SHIK’ut në stacion duhet ta ketë regjistruar këtë veprim. Për t’i ndihmuar sadopak në deshifrim, brenda zarfit ishte libri i aktorit Zarko Lausevic, “Godina prodje, dan nikad”.

Me kolegë serbë të Kosovës shihem shpesh, udhëtojmë edhe me automobil. Madje, edhe një femër nga Serbia më ka vizituar disa herë në Prishtinë. A i plotësoj kushtet për të qenë në shënjestër të SHIK’ut? Apo duhet pritur që, eventualisht, të filloj të merrem me politikë, për të m’i nxjerrë të palarat në shesh?

Duke e përdorur Beogradin për të shantazhuar, e Tiranën për të përfituar, nuk bëjmë gjë tjetër vetëm ngecim në vend, të lumtur me marritë dhe utopitë tona.

Imer Mushkolaj

Comments

Submitted by fkpartizoni (not verified) on

<p>Jo, Mushkolaj, ti s&#39;i ploteson kushtet per te qene shenjester e SHIK-ut. Ty te shijofshin librat serbisht dhe takimet me femra serbe, megjithese dyshoj shume se di te lexosh dhe se ke shije per femra. Dhe mjaft e demonizuat SHIK-un, s&#39;ka lezet me ky muhabet. Albini s&#39;ka nevoje t&#39;i pergjigjet Kamishit, por nese i djeg, le t&#39;i pergjigjet. Te pakten, dhe kjo gje eshte e sigurte, PDK dhe njerezve te saj nuk mund t&#39;i mohohet kontributi ne lufte e pas lufte. Po ne kohen kur ne Drenice, fjala vjen, digjeshin katunde, ne Prishtine vlonte makiato &quot;pa plum&quot; neper &quot;kafiqe&quot;. Dhe kjo histori vazhdon e tirret...</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.