Lionel Mesi, Saliu dhe Samuti

Postuar në 14 Janar, 2013 04:22

Në përpjekjet e tij për t'u dukur çfarë nuk ka qenë dhe çfarë nuk është, kryeministri i Shqipërisë u shpreh para pak ditësh optimist se në zgjedhjet e ardhshme do të fitojë si Lionel Mesi, i cili fitoi Topin e Artë për të katërtën herë radhazi. Megjithëse ai e di se zgjedhjet e ardhshme i ka të humbura, i bën pohime të tilla për t’i mbajtur optimistë militantët e tij.

Pohimi dhe dëshira e kryeplakut të Shqipërisë për t'u dukur i ri, i aftë, i zoti dhe gjithmonë i pari, nuk çudit askënd. Ajo që ka çuditur shumë njerëz që e kanë njohur ish-pedagogun pedant dhe ish-sekretarin konservator të Partisë së Punës, i cili i përjashtonte studentët për mbajtjen e flokëve të gjatë apo studentet për veshjen e fustaneve me fund të shkurtër, është akti i tij, si politikan, i afrimit, shoqërimit dhe promovimit të femrave "me nam" të cilat shquhen, më shumë se për gjë tjetër, për ekstravagancën dhe pafytyrësinë e tyre në marrëdhëniet me publikun. Në tentativat e tij për të joshur sa më shumë të rinj që të votojnë për të, jo duke gjykuar nga ato çfarë iu ofron atyre  partia e tij dhe ai, por nga vezullimet e lakuriqësive fizike të vajzave të reja të cilat i merr si bashkëreklamuese, njësoj si një tregtar mallrash të zhvlerësuara që stampon gjokse dhe shalë femrash në rrobat e mbetura stoqe, edhe kryeministri ynë arriti deri aty sa njërën prej këngëtareve tona, kënga më e arrirë e së cilës titullohet "Oh sa të  mirë e kam bythën", ta promovojë deri në anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të partisë së tij. Në fushatën e fundit elektorale, shoqërohej në mitingje me një tjetër këngëtare ekstravagante, e cila, në një video në youtube, duket qartë në një kopsht zoologjik në SHBA duke iu lutur një gorille t'i bënte atë punë që ajo beson se nuk ia kanë bërë sa e si duhet burrat e kësaj bote.  Tani, në prag të ikjes përfundimtare (sa e mundon ky fakt të ziun- kot fare) thërret në ndihmë yllin e futbollit botëror, lojtarin e Barcelonës,argjentinasin Lionel Mesin. Po, çfarë e lidh plakun tonë me Mesin, i cili ka moshën e nipave të Saliut? Asgjë.

Lionel Mesi ka arritur të renditet në krye të futbollit botëror në sajë të aftësive të punës së tij të palodhur. Ai i ka arritur ato rezultate jo vetëm me aftësi e përkushtim, por ai njihet edhe si njëri nga sportistët që bën  një lojë të ndershme. Kurrë nuk flet për vete por për skuadrën dhe shokët e tij. Edhe kur u bë votimi për futbollistin më të mirë, ai deklaroi se këtë titull e meritonte shoku i tij i skuadrës, Iniesta. Ai nuk fyen njeri, edhe kur e vrasin apo fyejnë të tjerët. Ai e ka çuar skuadrën e tij në krye të futbollit botëror.  Po "sportisti" ynë plak? Saliu ka mundur të vijë dhe të qëndrojë në pushtet me një mijë manipulime e falsifikime, me dhunë dhe korruptime, me shpifje, fyerje, vrasje e kanosje nga më monstruozet. Goja e tij e ndyrë, që tashmë i ngjan anusit të gomaricës, jo vetëm nga forma por edhe nga ato çfarë nxjerr prej saj, do ta tmerronte Lionel Mesin dhe gjithë Mesët e tjerë të botës së zhvilluar.

Aftësia dhe "ndershmëria" e Saliut e kanë klasifikuar Shqipërinë si vendin më të korruptuar në Evropë.  Çfarë e lidh pra Saliun e Viçidolit me Mesin e Barcelonës? Asgjë. Por Saliun tonë e lidhin disa gjëra me futbollistin e Maltës, Kevin Samut, të cilin UEFA e përjashtoi vjet nga sporti për gjithë jetën sepse kishte tentuar të trukonte një ndeshje futbolli midis Maltës dhe Norvegjisë. Merreni me mend: vetëm pse kishte tentuar ta bënte trukimin e përjashtuan Samutin e Maltës. Po Samutin tonë, që ka trukuar disa ndeshje politike, përse nuk e përjashton Federata Evropiane e Politikës? Apo pse Samuti i Maltës kishte vetëm këmbët për të luajtur futboll, ndërsa Samuti ynë ka pushtet, me të cilin mund të korruptojë përfaqësuesit e Federatës Evropiane të Politikës? A, mos vallë shumë prej këtyre arbitrave kanë ngrënë ndonjë lugë nga gjella e prishur e tenderave dhe privatizimeve të pasurisë së popullit shqiptar?

Koha do të na mësojë shumë gjëra. E, nëse koha nuk do të mundet të riparojë dëmet e "gjellës", të paktën do të na mësojë të mos i konsiderojmë këta arbitra si engjëj dhe as si mbrojtësit tanë, por, thjeshtë, ashtu siç janë në të vërtetë, mbrojtës të interesave të shtetasve të vet. Dhe, për këtë gjë, nuk kemi pse i qortojmë.  Ndërkaq, duhet të kuptojmë se Saliun nuk e lidh asgjë me Mesin. Deri diku i ngjan Samutit, por ia kalon edhe atij. Samuti ynë është më madhështor se çdo Samut tjetër.

 

DITA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.