Ku ka të drejtë Ben Blushi

Postuar në 06 Prill, 2013 11:40

Eseja e deputetit të PS për Europën ka meritën e padiskutueshme të hapjes së një debati të munguar në Shqipëri mbi modelin europian që duhet të ndjekë… shoqëria dhe shteti ynë. Porsi çdo iniciativë,  kjo risi hap fushë për debate konstruktive, kritika pozitiviste dhe qasje alternative. Në rreshtat që vijojnë do ndalemi në konceptet e fuqisë “në venitje” të Europës dhe të dy institucioneve që në tezën e Ben Blushit po kushtëzojnë këtë zhvillim: Kisha dhe partitë politike.

Europa është vepra e një historie polivalente mijëvjeçare
Së pari, Europa e parë nga viset shqiptare (territori kontinental pa Rusinë), paraqet një imazh që ndryshon në hapësirë dhe në kohë. Në hapësirë, ndërsa Greqia po lëngon nën peshën e borxhit, Gjermania ka parashikuar buxhetin e 2013-s në ekuilibër dhe nga viti 2014 fillon pagesën e principalit duke ulur vlerën absolute të borxhit të saj publik. Në kohë Europa ka ndjekur një zhvillim ciklik ku nuk ka pasur vetëm periudha të ndritura. Mjafton të përmendim në rendin kronologjik Athinën dhe filozofët e saj; Perandorinë Romake me infrastrukturën dhe ligjin romak; Mesjetën me inkuizicionin; Rilindjen dhe zhvillimin e shkencës; Magna Carta, zhvillimin e demokracisë së bashku me institucionet që mundësuan stabilitetin politik dhe progresin teknologjik; zbulimin e Amerikës së bashku dhe fenomenin e skllavërisë; revolucionin industrial që ngriti nga varfëria miliona njerëz, të pasuar menjëherë me dy luftëra botërore. Lufta e fundit mes qytetarëve europianë mbaroi para vetëm 69 vjetëve. Por ky kapërcim nga shesh-betejë në një grupim popujsh nga më të pasurit në botë brenda dy brezash mund të ndodhë vetëm në një shoqëri të bazuar mbi respektin e vlerave njerëzore, të organizuar në institucione shoqërore të përparuara dhe efikase. Ky grupim vlerash individuale dhe shoqërore përbën themelin e shoqërisë europiane dhe të prosperitetit të saj. Ato janë fryt i një historie mijëvjeçare dhe, si i tillë, janë të pamundur për t’u gjykuar bazuar në ç’po ndodh 10 apo 20 vitet e fundit.
Krishtërimi është në ADN-në e veprës europiane
Duke supozuar që Ben Blushi u referohet me termin “kishë” të tria feve kryesore të krishtera në Europë – protestante, katolike dhe ortodokse – përballemi me pamundësinë e shpjegimit të rolit të Kishës në “suksesin” e Gjermanisë protestante dhe “dështimin” e Italisë katolike. Por edhe brenda shteteve katolike kemi ndryshime shumë të mëdha, si p.sh. mes Portugalisë në recesion dhe Irlandës. Historikisht feja e krishterë, nëpërmjet rolit të Kishës dhe pushtetit papal, ka luajtur rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e sistemit demokratik në Europë si kundërpeshë e princave dhe sunduesve. Edhe vetë BE është konceptuar si klub i krishtere. Qëndrimi konservator i Kishës ndaj homoseksualëve (dhe jo ndaj grave) është vetëm  Kishës Katolike (në vendet protestante gratë mund të urdhërohen pastore).
Është një nga kontributet e institucionit të centralizuar të Kishës lëvizja shumë e ngadaltë, por pa kthim, drejt progresit shkencor dhe shoqëror. Pasi një zhvillim social apo shkencor është pranuar nga hierarkia klerikale dhe shkruar në enciklike papale, nuk ka pasur më kthim prapa, as interpretime devijuese. Për krahasim kjo dukuri kontraston me për shembull fenë myslimane, ku çdo imam ka të drejtë të interpretojë në mënyrë të pavarur një zhvillim shoqëror apo shkencor, gjë që prodhon shpesh paqartësi te besimtarët në vende të ndryshme dhe kohë të ndryshme. Aktualisht është riorientimi i shoqërisë europiane drejt vlerave njerëzore dhe shpirtërore që sot po promovohet nga Kisha e Papa Françeskut si alternativë ndaj tregut dhe politikave neo-liberale. Rëndësia e familjes për individin dhe roli i saj në solidaritetin mes brezave është një nga kontributet thelbësore të Kishës në debatet sociale të shekullit 21.
Partia politike është një nga vektorët e shprehjes së vullnetit të qytetarëve në demokraci
Padobishmëria e partive sot në Europë është relative. Është e vërtetë që shkalla e abstenimit qytetar gjatë zgjedhjeve në vendet europiane kurrë nuk ka qenë më e ulët. Qytetarët europianë sot e ndjejnë vetën pak të përfaqësuar nga partitë tradicionale. Skandalet me drejtësinë të politikanëve në gati çdo vend të BE-së ua kanë përforcuar këtë ndjesi. Ky zhvillim ka shtruar rrugën e avancimit të ekstremeve, kryesisht të djathta (UKIP në Angli, Fronti Nacional në Francë etj.) dhe të lëvizjeve protestuese popullore, si ajo e Beppe Grillos. Qytetarët protestojnë kundër formacioneve tradicionale politike, nga të cilat nuk ndihen të përfaqësuar. Por, ndërkohë, përfitojnë plotësisht nga sistemi politik për të shprehur vullnetin e tyre dhe kjo është pjesë e lojës demokratike, përbërës të së cilës mbetën edhe partitë. Votim nëpërmjet internetit nga komforti i shtëpisë apo pjesëmarrje në konventa partiake ku valëvitën flamuj gjigantë dhe ku buçasin altoparlantët? Të dyja janë variante të shprehjes së preferencave politike dhe sociale të qytetarit, që plotësojnë njëra-tjetrën dhe që i përgjigjen shkallës së zhvillimit të një shoqërie. Ajo që mbetet primordiale është respekti absolut i vullnetit të qytetarit nga politika, dhe këtu Europa është shembulli për t’u ndjekur.
Nga Europa e euros te vlerat europiane
Po a ia vlen të merret si shembull një Europë në krizë? Së pari, Europa si territor ngelet blloku më i fuqishëm ekonomik në botë dhe vazhdon të jetë në proces zgjerimi, gjë që dëshmon atraktivitetin e kësaj zone. Së dyti, Europa si sistem politik qeverisjeje, bazuar në demokracinë përfaqësuese, ka treguar përparësitë e saj krahasuar me sisteme politike alternative. Së treti, gjeografikisht Shqipëria ndodhet në Europë. Po a mund të jetë kjo Europë – me këto institucione, rregulla dhe ligje – një projekt bashkëjetese i suksesshëm mes popujve të saj? Bllokimi aktual i mekanizmave europiane të administrimit të krizës financiare po tregon që një sistem qeverisjeje nuk mund t’i përshtatet të gjitha vendeve anëtare. Dhe këtu Ben Blushi ka të drejtë kur ngre pyetjen se në ç’Europë duam të futemi? Cila është kostoja që duhet të paguajmë (shikoni Qipron) dhe përfitimet që presim (shikoni po prapë Qipron)? Por, ndryshimet ciklike në zhvillimin e veprës europiane nuk duhet të fshehin arritjet mijëvjeçare të kontinentit të vjetër, të lënë mënjanë forcën dhe vitalitetin e popujve të Europës dhe të zbehin besimin dhe vizionin e shoqërisë europiane për të ardhmen.
Duke qenë një vend i vogël, i ardhur relativisht vonë në arenën e shteteve-komb, aleancat e Shqipërisë me fuqitë e mëdha janë parë nën këndvështrimin e përfitimeve gjeopolitike dhe ekonomike. Në shekullin e 21-të, në një botë gjithnjë e më të vogël, gjithnjë e më të ndërthurur e pa kufij, në një mjedis politik volatil, ka ardhur koha për t’iu bashkuar aleancës së vlerave. Më tepër se përfitimet dhe detyrimet kontraktuale që pasojnë përfshirjen e vendit në institucionet e Bashkimit Europian, qëllimi i qytetarëve shqiptarë duhet të jetë përqafimi i vlerave dhe hyrja në familjen europiane. Çdo synim tjetër do të ishte afatshkurtër.
*PANORAMA

Comments

Submitted by arnaut (not verified) on

"Krishtërimi është në ADN-në e veprës europiane"

Perkundrazi miku im, une them se krishterimi, islami dhe hebraizmi jane barabar ne rrenjet e Evropes.

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

"...krishterimi, islami dhe hebraizmi jane barabar ne rrenjet e Evropes" , sepse Muhameti ishte arab Europe. Ha,ha,ha.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.