Koha për opozitë opozitës

Postuar në 12 Korrik, 2013 03:45

Konkurimi për kryetarin e ardhshëm të PD po vendoset në fokusin e demokratëve, duke e pushtuar tinëzisht krejt interesin e tyre. E gjitha kjo është përgatitur me kujdes nga z.Berisha dhe zotëruesit realë të PD. Demokratët e thjeshtë, që akoma ruajnë të paprekur mendimin se qeverisja e vendit nuk është gjë tjetër veçse një zgjatim i mënyrës se si qeveris partinë, e ndjekin procesin me një trishtim edhe më të madh se humbjen e 23 qershorit. Në 23 qershor ata nuk humbën asgjë. Në 23 qershor humbën pronarët, zotëruesit e PD dhe jo demokratët e thjeshtë. Madje, ata, demokratët e thjeshtë, nuk patën asgjë për të humbur. Thjesht, panë se si u rrëzuan e u bënë copë e çikë ata që kishin vite që nuk votoheshin brenda partisë. Demokratët e thjeshtë po humbin tani, sepse po humbin PD, atë shtëpi imagjinare ku shpesh strehonin mendimet dhe shpresat e tyre për ndryshimin e Shqipërisë, të jetës së fëmijëve të tyre. Po e humbin në të gjitha kuptimet dhe përfundimisht. Nën trishtimin e tyre mbimbulues ata mbajnë të ndrydhur jo vetëm këtë dhimbje, por, si një granatë me siguresë të hequr, nën të, prapa pamjes së qetë dhe të hutuar, demokratët e thjeshtë shtrëngojnë plot nerv që të mos plasë revoltën, lirinë e mohuar, të vërtetën në fund të fundit. Ata e kuptojnë që i gjithë procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri të PD mbështetet mbi supozimin që ata, demokratët e thjeshtë, të heshturit e mëdhenj të demokracisë, janë ose budallenj, ose njerëz jo të lirë. Kjo është, ndoshta, edhe hera e fundit që zotëruesit e PD ndërtojnë aksionet e tyre mbi një supozim të tillë. Të dy kandidatët, pa asnjë përjashtim, nuk lënë rast pa përmendur se do të bëjnë shumë shpejt të mundur që Z. Rama të rrëzohet nga pushteti dhe në vend të tij të vijnë prapë ata, zotëruesit e PD. Madje, njëri prej tyre, ai që ka shansin më të madh të marrë drejtimin e PD, pikërisht sepse e do më pak atë, PD-në, tha se partia do ta marrë shumë shpejt pushtetin pasi qeverisja e z. Rama është një qeverisje e korruptuar. Për një qeverisje që nuk ka nisur akoma ai tha se si do të jetë! Ka filluar të kritikojë atë që nuk është sot, atë që pritet të vijë! Duke i konsideruar si kavie psiko-shoqërore ata që janë para tij dhe e dëgjojnë se ç’thotë, pra demokratët e thjeshtë. Jo vetëm ata, por këdo që e dëgjon. Prej të cilëve, pasi është shkulur truri dhe bashkë me të edhe inteligjenca, ata, pronarët e PD, mezi presin të inxhinierojnë një formë tjetër të anëtarit të partisë, militantit, të paqenë kurrë më parë: demokratin që nuk është!

 

* * *

Boshti i konkurrimit te të dy kandidatët përbëhet nga dy pjesë: E para, marrja e shpejtë e pushtetit dhe e dyta, shndërrimi i PD në një forcë morale. Secili i bën këto dy premtime kudo ku ka kamera. Si pjesë të të njëjtit bosht, të dy premtimet vendosen të tilla që, për shkak të rrumbullakësisë, askush të mos mundë ta përcaktojë se kush vjen në fillim: është marrja e pushtetit ajo që e bën më të fortë PD, prandaj edhe e shndërron në një forcë të madhe morale, apo është forcimi i moralit të partisë, shndërrimi i saj në një fuqi morale që do ta sjellë në pushtet PD. Në një situatë normale gjithkush do të thoshte që shndërrimi i PD në një forcë morale do të rriste shansin e saj për të marrë pushtetin. Por nuk jemi në një situatë normale, përkundrazi. Jemi në një nga situatat më absurde që ka kaluar PD ndonjëherë. Të dy konkurrentët premtojnë shndërrimin e PD në një forcë morale pa shpjeguar pse nuk është morale kjo parti, ku e humbi moralitetin e saj, si mund ta rigjejë atë. Mbi të gjitha, a janë konkurrentët në procesin e marrjes së drejtimit të partisë autorë të gjymtimit moral të saj, ose, së paku, çka është vështirë të pranohet vetëm si e tillë, a janë ata asgjë më shumë vetëm se dëshmitarë të këtij gjymtimi që nuk e denoncuan asnjëherë!? Të dy konkurrentët premtojnë rimarrjen e qeverisjes pa treguar se pse qytetarët e këtij vendi i larguan ata nga qeverisja. Akoma më shumë, pa treguar se a janë pikërisht ata të dy autorë të qeverisjes më të pandershme dhe më të padrejtë të këtij vendi, apo, së paku, çka është përsëri e vështirë të pranohet vetëm si e tillë, ata janë vetëm dëshmitarë që nuk e denoncuan kurrë shëmtinë e kësaj qeverisjeje!?

 

* * *

Nuk ka demokrat të thjeshtë, i cili s’e ka shitur akoma shpirtin dhe lirinë e tij, që nuk e kupton se të dy konkurrentët për marrjen e drejtimit të PD janë autorë edhe të gjymtimit të moralit, edhe të qeverisjes së padrejtë të kësaj partie. Këtë e dinë edhe vetë konkurrentët. Ata janë thellësisht të bindur se askush nuk i beson fjalët që thonë, premtimet që japin, procesin që shesin. Të gjithë bëjnë sikur. Sepse të gjithë janë inxhinieruar të jenë të tillë, me personalitet të dyfishtë. Janë inxhinieruar gjatë një kohe mjaftueshmërisht të gjatë për t’u transformuar në monstruozitetin më fatkeq të njeriut. Me njërin personalitet, atë të vërtetin, të fshehur me kujdes dhe të shtypur diku në skutat e errëta të ndërgjegjes dhe me personalitetin tjetër, që si një kartëvizitë e përdorin për t’u paraqitur, për të vendosur kontakte, për të gjetur punë, për të shkuar në mbledhje, për të folur para ekraneve, për të shkruar në gazeta. Në kohët që vijnë do të flitet me siguri për shkaqet, qeverisjen e keqe, makutërinë, vetë humbjen, përmasat e saj. Por që tani duhet thënë që pronarët e PD, në një të nesërme, do të gjykohen për një akuzë që nuk do të mund ta heqin kurrë nga shpina sa të jenë gjallë dhe që do të verë në një dyshim të pashlyeshëm moralin dhe qëllimin e ekzistencës së tyre në politikë. Ata do të duhet t’i përgjigjen pyetjes nëse e morën pushtetin për ta bërë të lirë Shqipërinë apo për ta pushtuar atë përmes gjymtimit të frikshëm, makabër, të qytetarëve të saj.

 

* * *

Gjymtimi i qytetarit dhe inxhinierimi i një shurdhmemeci në vend të tij ka qenë, jashtë çdo dyshimi, një qëllim afatgjatë i qeverisjes që sapo lamë pas. Aq sa, edhe më optimistët nga ne nuk e imagjinuan që “turma e shurdhmemecëve” do të ishte aq inteligjente sa t’i jepte PD atë goditje që i dha si shpërblim të poshtërimit. Çka në thelbin e vet tregoi që është e pamundur të inxhinierosh popullin sipas modelit të qytetarit-kavie, i cili voton për qeverinë ose nga frika, ose nga kompleksi i inferioritetit, ose nga shpëlarja e trurit. Me popujt luftëra të tilla janë të humbura që në fillim, por jo brenda partive. Brenda PD ekziston rreziku që një luftë e tillë të zgjasë, dhe gjithmonë në të zezë të saj, partisë, por dhe demokratëve të vërtetë. Sallat e heshtura që dëgjojnë dy konkurrentët pa vënë në diskutim ato që thuhen, por edhe pa entuziazëm, janë një dëshmi e këtij rreziku. Pronarët e PD po bëjnë ç’është e mundur që i gjithë ky proces të mbetet një copësh, të mos dizintegrohet, të mos iu mbetet në dorë. Së fundi edhe kanë kërcënuar, me të gjitha mjetet që kanë në dorë. Kërcënojnë se nëse nuk do të vazhdojë ky proces konkurrimi ashtu siç ka nisur, pra, nëse nuk do të vazhdojë të jetë një proces bosh, pa përmbajtje politike, pa mesazhe, pa moral, atëherë ajo që rrezikohet është “çarja” e partisë. Edhe pas këtij kërcënimi demokratët e sallave heshtin dhe aq më shumë heshtin ata që nuk janë në salla. Indoktrinimi i gjatë dhe i qëllimshëm i detyron të heshtin ekzaktësisht në kohën që duhet të flasin. Jo rrallëherë pa e kuptuar se nëse PD “çahet”, ky do të ishte edhe fillimi i një kohe tjetër, i një kohe të bukur. Sepse pronarëve të PD iu mbeten karriget e Parlamentit, demokratëve të thjeshtë iu mbetet partia. Ashtu si qytetarët rrëzuan PD nga pushteti, edhe demokratët duhet të rrëzojnë pronarët e PD nga karriget. Nuk duhet të ketë më salla të heshtura. Ato salla duhet të shndërrohen në arena të flakta diskutimesh. Që mund t’i bëjnë vetëm njerëzit e lirë, jo kaviet. Në ato salla duhet të lindë opozita e vërtetë, kundër një opozite që i ka tradhtuar prej kohësh interesat e demokratëve. Një opozitë kundër opozitës! Ja çfarë është sot në interes të PD.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.