Historitë shqiptare të Palo Alto-s

Postuar në 13 Janar, 2013 08:52

 

Në krahasim me Los Anxhelosin, San Franciskon, San Diegon, Santa Barbarën, emri Palo Alto është relativisht i panjohur për ne shqiptarët. Palo Alto është një qytet, jo edhe aq i vogël në Kaliforni. Sikur profesori Kosta Barjaba dhe familja e tij, të mos ishte akuzuar nga policia vendase për vjedhje në një supermarket, askush prej ne shqiptarëve të zakonshëm nuk do të ishim kujtuar për të, veç në mos kishim ndonjë të afërmin tonë të emigruar atje. Por ja që historitë shqiptare nganjëherë përsëriten larg, shumë larg kodrave, fushave dhe maleve tona. Ndokujt mund t’i duket si çudi, por ky toponim, Palo Alto, lidh dy njerëz që nuk janë njohur asnjëherë personalisht dhe kanë jetuar në dy kohë e dy mënyra të menduari të ndryshme: Kosta Barjaba, anëtar i grupit të punës për hartimin e programit të PS-së, dhe Xhaferr Deva, një prej figurave më të diskutueshme të nacionalizmit shqiptar gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Të dy kanë, sigurisht, histori të ndryshme, të dy lidhen me Palo Alton, qytetin gjysmë të panjohur kalifornian.

Le ta nisim nga më i vjetri. Nga Xhaferr Deva. Ky ishte djali i një grosisti gjakovar. Kishte lindur në Mitrovicë më 1904. I ati i dërgoi të gjithë djemtë e tij në një shkollë private në Selanik që më 1911, ku mësohej gjuha gjermane. Xhaferri fëmijë, gjuhën e parë kishte gjermanishten. Vetëm kur u rrit dhe kur e dërguan në Robert College të Stambollit dhe kur takoi shokë shqiptarë nisi të mësojë shqipen. Fati e desh që më 1922, pasi kishte studiuar për tregti të vendosej në Aleksandri, si nëpunës banke. Pas kësaj sëmuret rëndë nga reumatizma dhe shkon në Austri për t’u kuruar. Këtu studion për inxhinieri pyjesh. Më 1933 kthehet në Mitrovicë, ku i jep udhë një biznesi të gjerë shfrytëzimi të lëndës drusore. Në prill të vitit 1941, emërohet nga mbreti serb në ikje si kryetar i Bashkisë së Mitrovicës. Më tetor të 1944, në kohën e pushtimit gjerman, emërohet ministër i Punëve të Brendshme. Në korrik 1944 jep dorëheqjen dhe vihet në krye të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, një lëvizje nacionaliste që synonte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Këtë post e mbajti deri në fund të jetës së tij.

Xhaferr Deva u largua nga Shqipëria së bashku me gjermanët në nëntor 1944. Nga 1945 e deri në 1956 jetoi në Itali e Siri. Pas këtij viti jetoi deri sa vdiq në SHBA. Vitet e fundit të jetës i kaloi në një bibliotekë universitare në Palo Alto. Vdiq më 1978. Ishte 74 vjeç. Ishte i dënuar me vdekje për krime lufte nga Gjyqi për Kriminelët e Luftës ku prokuror ishte Bedri Spahiu i famshëm. Akuza më e rëndë që rëndon edhe sot e kësaj dite mbi kujtimin e tij, ishte masakra e 4 shkurtit 1944 në Tiranë. Sipas mendimit më të përhapur, të mbetur edhe nga koha e historiografisë komuniste, Deva ishte urdhëruesi dhe përgjegjësi kryesor i ekzekutimit pa gjyq të dhjetëra simpatizantëve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, por edhe të njerëzve të pafajshëm. Sikurse ndodh gjithmonë, ngjarje të tilla hyjnë në një rrugë pa krye të politizimit dhe njëra palë e nxirrte atë një patriot të madh, tjetra një kriminel pa fre. Për ne sot ka rëndësi një gjë tjetër, jo vetëm qyteti ku ai rastësisht mbylli sytë përgjithnjë 34 vjet më parë.

Tani le t’i kthehemi Palo Altos së sotme. Meri Barjaba, ngjarja, vendi ku ndodhi dhe pragfushata elektorale mbushën faqet e gazetave dhe ekranet e televizioneve. Mjaftoi një komunikim me policinë vendase dhe profesori dhe familja e tij, nga një familje e nderuar, që shkonte një jetë të paqtë, të shkonte në zgrip të greminës.

Askush prej nesh, përveç atyre vetë, nuk e dinë saktësisht se çka ndodhur atë paradite dhjetori. Akuzat mund të rezultojnë të vërteta, mund të jenë të rreme, mund të jetë një gabim. Pastaj askush nuk e di nëse vetë prindërit kanë marrë përsipër një gabim të vajzës së tyre. Të gjitha hamendjet mund të thuhen. Vetëm drejtësia amerikane mund ta thotë fjalën e fundit, dhe të paktën te kjo duhet të kemi besim, ndonëse duhet të kalojë shumë kohë derisa sa kjo histori e hidhur, e trishtë, ofenduese të harrohet. Mënyra sesi reagoi politika është shumë domethënëse. Nga njëra anë, kolegë, miq e shokë të Barjabës ngritën supet, duke e lënë vetëm në gabimin a mosgabimin e tij dhe të familjarëve, nga ana tjetër kundërshtarët zgjedhorë u ngazëllyen së tepërmi, u kishte ardhur zogu në dorë. Deri diku është e kuptueshme, normalisht, por sidomos në fushata zgjedhore, akuzat dhe kundërakuzat për “hajdutëri”, “makutëri” e të tjera terma si këto shtohen pa fund. Porse ka, ose më mirë me thënë duhet të kishte edhe dy elemente të tjera: e para është që pa u provuar akuzat, askush nuk mund ta konsiderojë tjetrin si fajtor. Të tërë ata që janë juristë, apo politikanë, e dinë këtë prej shumë kohësh. Është e ditur gjithashtu se propaganda politike nuk pyet edhe aq shumë për drejtësinë. Për shembull, ende nuk dihet sesi Edi Rama duhet të përgjigjet për një pallat që të afërmit e bashkëshortes së tij aktuale e kanë ndërtuar vite më parë. Ose nuk dihet se pse shtypi deri më tash është mjaftuar vetëm të rreshtojë akuza e kundërakuza dhe të mos bëjë investigimet e veta (a nuk na pëlqen të gjithëve fjala gazetar investigativ?). Mjaftohemi vetëm duke rreshtuar akuza të ndërsjella mes njerëzish që ngazëllehen kur dikush kapet mat. Edhe një gjë tjetër. Ka dy mënyra për ta pohuar të keqen. E para, të cilën e përdor më shumë politika, është ngazëllimi me të keqen, mënyra më e hareshme për ta brohoritur atë. E dyta është një lloj trishtimi kur sheh sesa shumë na i ka zënë sytë urrejtja, marrja me jetën private të tjetrit, dhe, sidomos sesi një individ, cilido qoftë ky, mund ta ndiejë lehtësisht shkelmin në fyt pa u përfillur aspak. Barjaba dhe njerëzit e tij të afërm mund të jenë fajtorë, ose jo. Nëse ajo që është shkruar është e vërtetë duhet të trishtohemi dhe jo të ngremë flamujt e fitores, sepse ai pavarësisht se cilës parti i përkiste, ishte deri para pak ditësh njëri nga ne, qytetarët shqiptarë. Ne, shtyp e politikë bashkë, masakrojmë një çantë të vjedhur dhe harrojmë miliarderët hajdutë që fryhen me makina luksoze.

Sa më shumë që afrojnë zgjedhjet, aq më shumë politika po merret me individin dhe jo me garën e programeve dhe të shkallës së besueshmërisë të votuesit. Kjo do të thotë as më shumë e as më pak, se cilado forcë që do të vijë në pushtet pas 23 qershorit, nuk do ta ketë aspak mendjen tek individi dhe liritë e tij, dhe as te sukseset e saj, por te beteja personale që nuk dihen se ku çojnë. Me sa duket, të gjithë bashkë kemi harruar se demokracia, ajo e vërteta, nis bash e te respektimi i lirisë dhe të drejtave të individit. Po nejse, edhe në Palo Alto në Kaliforni u deshën shumë dekada që të arrinin këtu. Me sa duket kemi ende goxha rrugë për të bërë.

Gazeta Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.