Giulio Andreotti kultivues i historisë

Postuar në 08 Maj, 2013 03:43

Vdiq në moshën 94-vjeçare Giulio Andreotti, nji prej politikanëve ma jetëgjatë të Italisë së mbasluftës, miniera e gjallë që ruente “thesare” të pathanshme që i mori përgjithmonë me vedi në amshim.

Rreth tij janë krijue historina legjendare që nga nji anë e kanë trajtue me të drejtë si nji prej shpëtimtarëve të Italisë demokristiane, si mikun e madh të arabëve në Europë, antikomunistin e interesuem në fushën e politikës italiane e të herë-herë të mefshtë në arenën ndërkombtare, dorën e fortë të amerikanëve në Palazzo Chigi, njeriun e Kishës në politikën e gjysmës së dytë të shekullit XX.

Nga ana tjetër akuzat ndaj tij janë rrënqethëse e kanë të bajnë me vrasje, zhdukje, falimentime, favore reciproke me mafien siçiliane, intriga internazionale etj. etj.

Menjiherë mbas eksodit të parë të shqiptarëve drejt Italisë “hyu Giulio” (divo Giulio) siç quhej me ironi për jetëgjatësinë e tij politike, ftoi menjiherë të gjithë italianët me adoptue familje shqiptare e sidomos të mitunit që kishin mbërritë në brigjet italike pa prindt e tyne. Ai vetë pa vonue kishte birësue dy të mitun shqiptarë që i kishte rregullue në nji strukturë private dhe kur mediat, tue dashtë me u tallë, e pyetshin nëse kishte ndonji problem që dy të rinjtë shqiptarë ishin të besimit mysliman dhe a kishte ndër mend me i ba katolikë, Andreotti si hazërxhevap që ishte, ia kthente pa pritesë: asnji problem, jo vetëm që s’mendoj me i kthye në katolikë, por madje do t’u blej edhe nga nji tapet për me u lutë simbas sharteve të fesë të tyne.

Në gusht të vitit 1991 ndërsa e gjithë bota e mbante frymën tue ndjekë puçin komunist që kishte marrë peng Gorbaçovin, Andreotti, i pyetun se çka shestonte me ba për mikun e tij rus përgjegjej se ishte gati me shkue edhe në kambë deri në Moskë ba me e dijtë se kjo gja do t’i sillte ndonji të mirë mikut të vet në vështirsi.

Nji prej përshkrimeve ma të gjalla të Andreotti-t na e ka lanë Oriana Fallaci në nji intervistë, tashma historike, të vitit 1974, ku ndër tjera ven në dukje:

“Ai fliste me zanin e tij të ngadalshëm, të edukuem, si rrëfyestar që të jep pendesën me pesë Ati Ynë, pesë T’falemi mbretnesha, dhjetë Pushofshin në paqë, e un ndiejshe nji hall që s’dijshe sesi me ia vu emnin. Në nji çast e kuptova se cili ishte halli im. Ishte frikë. Ky njeri ma shtinte frikën. Po pse? (…) Kujt ia shtin frikën nji i sëmutë, kujt ia shtin frikën nji breshkë? Kujt i ban keq? Vetëm ma vonë, shumë ma vonë, kuptova se frika jeme buronte shi prej këtyne gjanave: prej forcës që mshehej mbas atyne gjanave. Pushteti i mirëfilltë nuk ka nevojë për arrogancë, për mjekërr të gjatë, për za që lehë. Pushteti i vërtetë ta merr frymën me fjongo mëndafshit, me edukatë, me inteligjencë. Inteligjencën për besë e kishte. Madje deri në at’ pikë sa mos me pasë nevojë me e shfaqë. (…) Jo, kurrkush nuk do ta shkatrronte. Do të ishte ai që do t’i shkatrronte të tjerët. Me qetësinë e tij, me kohë, me sigurinë e bindjeve të tija”.

Për Andreotti-n tregohen me dhjetra anekdota e historina, episode interesante, por ajo që kaloi pa u vu oroe edhe në shtypin italian qe nji prej pasioneve ma të mëdhaja të jetës së tij: historia.

I dashunuem mbas historisë Andreotti ka shkrue tre libra me karakter të mirëfilltë historik “Enigma e Papës Mastai”, “Nën shenjën e Piut IX” dhe “Ikja e Piut IX dhe mikpritja e Borbonëve”.

Asht mbresëlanës stili i tij tregimtar dhe distanca që ai mban me ngjarjet, tue rrëfye pa ngarkue me detaje të tepërta ngjarje shumë denduna e figura mjaft komplekse si Piu IX.

Në verën e vitit 1995 Giulio Andreotti pati guximin me hypë në skenë në banjat termale të Pompeut në Ferentino, në provincën e Frosinone-s, tue personifikue Papën Bonifaci VIII i cili në vitin 1303 hangri në Anagni poshtnimin dhe shputën e famshme prej Filipit IV të Francës.

Ironia e mprehtë, humori i hollë dhe cinizmi i shëndoshë e kanë dallue gjithmonë politikanin e famshëm roman që e ktheu pushtetin politik në nji natyrë të dytë, tue i shërbye gjithsesi vendit të tij dhe nji ideali të cilit ai i besonte në mënyrën e vet.

“Postum i vetvetes”, siç shprehej ai me autoironi, Andreotti do të kujtohet edhe për kulturën e tij të gjanë politike dhe historike, për pasionin e tij të pashuem për Ciceronin dhe për batutat e holla që si gjylpana bashline, siç shprehej O. Fallaci, të shponin e aty për aty nuk ndiejshe gja, por ma vonë gjaku shkulmonte përpjetë e ndiejshe dhimbjet.

MAPO

Comments

Submitted by llulla kokemadhe (not verified) on

Ardian Ndreca  burre i zoti ja fut pordhes kot na si koti kur na flet per Andreoti!

Andreoti, Vatikani= Mafia italiane ne lulezim - qysh prej vitit 1955.

Triniteti i Shenje qe varrosi mireqenien, punen, kulturen dhe krishterimin Italian.

Por ne jena mesue me sha veten dhe me lavderue te tjeret.

Rrofshin te tjeret, poshte Shqiperia!

Na shkoi jeta jetim.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.