Erdhën prapë të mallkuarat

Postuar në 21 Qershor, 2013 07:45

Në kolltukët e vjetër/ Bythët e reja zunë lesh/ Iku zoti Zot, erdhi shoku Zot…”.
Janë vargje shumë të hershme të Pano Taçit të ndjerë. M’u qepën në tru, i recitova, herë me mend e herë me zë, fshehurazi natyrisht, nga frika e ndonjë damke “aha, paska shkarë edhe ky ditëziu!”. “Edhe ky”, sepse zor të jem i vetmi ditëzi i rrëshqitur këto më shumë se pesëdhjetë ditë fushatë, nga ajo e tipit që nuk synon të të kthejë mendjen në favor të njërës a tjetrës parti, po e llojit që synon të ta lërë kokën koshere pa kokrrën e bletës në të. Kam lexuar diku të thuhet se e përsëritura dhunshëm, me zhurmë dhe efekte speciale e së njëjtës gjë, për një kohë të gjatë, shpie, në mos në çmendje të plotë të viktimës, pa asnjë diskutim, në destabilizim serioz të gjendjes së tij mendore.
“Në kolltukët e vjetër, bythët e reja zunë lesh…”.
Ja, prapë! O Zot, kam shkarë vërtet më duket!
Po ç’të mos shkasësh! Shikon Kryeministrin në çdo sekondë të ditë-natës tek torturon laringun dhe plastikën, tërë qenien e tij afro shtatëdhjetëvjeçare, duke sharë e mallkuar hu më hu e dru më dru, me shpirt e me lot urrejtjeje në sy, gjithë kundërshtarët politikë që në moshë janë sa fëmijët e tij. Të vijnë zorrët në fyt nga vështirosja e shfaqjes. E shikon duke ngritur aty-këtu shëndete më gota uji nëpër çezma të sapopëruruara, që reshtin, si të jenë në Sahara, sapo ai kthen krahët. Pastaj në Dropull duke thënë “efkaristo poli” për dropullitët. Të njëjtat gjeste dhe xhibla që bënte Enveri, vese që i zgjon koha e gjatë në pushtet. Vetëm se, nëse Enveri, për ironi të rastit, “efkaristo poli”-në e shqiptonte si një mbret i fisëm helen, Kryeministri e shqipton barbarisht, si të qe një kujdestar gdhe i stallës së kuajve të mbretit.
Dhe pas Kryeministrit vjen po aq bubullitës edhe doemoskryeministri. Aq doemos, saqë vjen pak e habitshme se si makina e tij nuk merr rrugën për nga postblloku i Kryeministrisë, po hyn në oborrin modest të Partisë Socialiste. Kur shfaq padurim për ta pasur, fitorja bëhet e pamundur, thotë diku Napoleoni! Dhe i shpalluri Kryeministër, këtë përvojë perandorake e provoi mbi kurriz kur u bë kurban i Bashkisë për dhjetë votat e famshme, si ditët e Napoleonit në Elba. Mirë iu e na u bë, edhe të vazhdojë të na bëhet bile, kur diferenca lihet për dhjetë e njëqind vota…
Dhe një Shqipëri e tërë e çmeritur rri syegojëhapur pas një, dikur “vrasës në Gërdec, vrasës në bulevard, shitës deti, gjer në rryl të fytit i korruptuar në e me gjithçka që korrupton”, tani i shndërruar befas në një… vetëm gjysh të lodhur që duhet të vejë të kalojë ohooo, ditët e pleqërisë së vet e t’u tregojë përralla nipërve e mbesave.
Dhe një Shqipëri e tërë çmeritet e lë mendjen pas një ish-kryetari Bashkie që dikur “i bëri gjëmën e zezë Tiranës me beton, që u denoncua publikisht për mitkërkuarje milionëdollarëshe ndaj biznesit, i famshëm për rrëmbimin e të dhjetave të përqindjes për çdo leje ndërtimi”. Por befas, fajtor vetëm se… është ndryrë në autobusin “mavi” të Rilindjes!
Thoni po deshët, që nuk e bëjmë fushatën dhe jetën politike si në Vatikan! Si në rivalitetin e pafajshëm e të dëlirë të kandidatëve për Papë, me gjallje e për shenjtër, pasi mbyllin sytë. Thoni pastaj se pleqëria nuk është një arsye e fortë për amnistim nga zullumet që ke bërë në pushtet, ama me kusht që të vesh në shtëpi të tregosh përralla, e të na lësh ne të tjerëve të bëjmë “dasmën” tonë! Thoni po deshët, se shëtitja elektorale në autobus, qoftë edhe “mavi”, nuk vjen e bëhet krimi i vetëm i një ish-kryebashkiaku! Dhe se parkimi gjëkund, mbyllja e mosdalja mundësisht më, nga autobusi “mavi”, nuk do ishte për Kryeministrin në detyrë, një relaks e përdëllim, nën efektin e të cilit do ta falte mëkatarin, njëlloj sikur ai të qe mbyllur në një manastir, e të lutej ditë e natë t’i llamseshin mëkatet.
Nuk janë të miat. Ia kanë ulëritur njëri-tjetrit në sy, për vite me radhë, këto monstruozitete, që ditë pas dite, në optikën popullore, i shndërruan të dy, me ligjin zgjedhor sidomos, në dy dinozaur që shqyejnë njëri-tjetrin, që muajin elektoral dhe datën 23 e kanë si muajin e ndërzimit dhe fekondimit invitro, të një krijese, vetëm te ne, të përçudnuar e të mallkuar, që nga hera e parë që u bënë e gjer te këto të pritshmet. E quajnë Zgjedhje e, ç’pillet prej saj, është e paracaktuar të jetë bastarde. Me bubullima në bark e me flakë në gojë, vjen kjo e mallkuar viseve tona. Frikë në shpirt na shtie e shije baruti në gojë na lë sa herë muaji dhe dita, si një çift Kasandor, lajmërojnë ardhjen e të mallkuarave, që kudo shpien buzët në gaz e vetëm këtu e ngrijnë buzëqeshjen në buzë.
Se mua, sido që dallohem për njeri që qesh me të madhe, më mblidhen buzët si burbuq në ngricë kur shoh një KQZ vetëm katërshe, nga shtatëshe që duhej të ishte. Dhe më shëmbëllen aq shumë si një gjysmë huxhuti i shqyer që përpëlitet në jermin dhe agoninë e vet. E pra, është dora kushtetuese që do firmosë certifikatën e… të mallkuarave. Është mbeturina e shtatëshes kushtetuese që e çapëlyen dhe e përdhunuan pa asnjë kujdes, me stilin që nuk gjendet as në katalogun e Kamasutrës. Që nuk është aspak çudi që në orën kur duhet, njëra palë ta bëjë për ç’është e tjetra që e bën tani, të kërkojë ta zhbëjë, në një orë tjetër. Rëndësia primare është të pranohet rezultati i zgjedhjeve, thonë ndërkombëtarët që paguhen si vëzhgues dhe sillen si sehirxhinj. Dhe zyrat e para ndërkombëtare, kusht të parë të integrimit vënë pikërisht atë që ne nuk e përmbushim dot kurrë, kushtin që të mallkuarat t’i shndërrojmë në Zgjedhje, d.m.th. jo në hapa pas, po në ecje përpara. Po zgjedhjet e certifikuara nga kush të pranohen dhe si të pranohen? Të gëlltiten në heshtje përçudjet e firmosura nga Lefterija, që duket si gishti i madh  i dorës me katër gishtërinj, i ngritur e i tundur frikshëm, jo për të përcjellë mesazhin amerikan “në rregull”, po mesazhin shqiptar “Noc Rrokun kini për të fituar!”? Zoti më ndjeftë, po me aq sa ma pret mua kungulli, kam dalë në përfundimin se njerëzit që kanë drejtuar KQZ tradicionalisht, sikur janë zënë nëpër epruveta, jo në mitra nënash. E sikur që në sekondën e parë të mbërritjes në këtë jetë, nga “engjëlli” u është thënë në vesh të tretën e ditës: “Ti do drejtosh KQZ!”. Duke bërë më pas, kujdes të pakufi që këto specie të rriten pa pasur në formimin e tyre as gramin e vitalitetit, egos njerëzore dhe përgjegjësisë qytetare. Ja, kujtojini një e nga një me emër dhe shihni po nuk më dhatë të drejtë!
Një kategori tepër e ngjashme njerëzore ndahet edhe për Kolegjin Zgjedhor, gjykata e vetme mbi dhé, vullneti i së cilës është i paapelueshëm në shkallë të tjera, sikur të jetë vullneti i Zotit vetë. Sipas të gjitha pandehmave, me ligj a me Maliq, do të jetë pikërisht Kolegji që do certifikojë të mallkuarat e radhës. Dhe pasi bëjnë dërckën me mandatet, d.m.th. me zgjedhjet e d.m.th., më tej akoma, me fatin dhe të nesërmen tonë, kolegjistët gradohen e ngjiten nëpër majat e Olimpit, ku shijnë të patrazuar nga askush, duke iu lutur Perëndisë për amshim! Nën këtë trysni shembulli negativ dhe zilie profesionale, në brezat e rinj të drejtësisë sonë, ndonjë kokërr deri dje e pakrimbur, ka shumë pak mundësi të ketë mbetur pa u degjeneruar profesionalisht dhe moralisht… Dhe sehirxhinjtë ndërkombëtarë, të mbërthyer nga paradoksi i shpalljes me të madhe të drejtësisë, si segmenti më i kalbur i shtetit shqiptar, ulërin me kërcënim: “Pranoni verdiktin e drejtësisë për zgjedhjet!”. Ou, moç mole faktor ndërkombëtar, se na le pa mend!
Pavarësisht se nusja dhe dhëndri janë në gojë të ujkut, dasma zgjedhore shungullon nga daullet, se zërat e dinozaurëve, pas ngjirjes ikën fare për lesh. Milionat derdhen valë-valë si përmbytje behari. Një stërpërshkrim dramatik i 28 000 km2 të kësaj sa një mëhallë Shqipërie. Kur për fushatë drejtuesve vërtet të dhembshur të saj do t’u mjaftonin tri-katër emisione televizive për t’iu thënë njerëzve: këtë e këtë kam për të bërë! Votomëni, t’i bëj! Fushata si e jona, apokaliptike, nuk kanë këllqe të bëjnë as vendet qindramilionëshe ku qeni s’njeh të zonë, jo më qytetari të njohë deputetin.
Mirëpo përballë këtyre marrëzive e të tjerave që gazeta s’ka vend t’i shkruajë, opinion jomilitant, hesht. Analistët dhe vëzhguesit civilë, të vetmin merak që u shpartallon gjumin natën e mezi presin ta përcjellin nëpër ekrane darkave, kanë:
- Po, dakord, dakord, z. filan, pavarësisht premtimeve, nëse do humbësh, do ta japësh dorëheqjen?
Ç’pyetje?! Po përse ta japë dorëheqjen z. filan xhanëm, nga kush ta japë, nga partia që ka lindur e rritur si djalin e vetëm për ta mjelë tërë jetën si lopë holandeze? Z. analist dhe kushdo zotëri tjetër, s’je dakord me të e partinë e tij? Hidhu bëj një parti tënden! Kur janë gjashtëdhjetë, ç’bëri nëse bëhen njëqind e njëzet parti! Gjersa hallku t’i jep votat lumë, nuk të katandis parti, sa një familje e divorcuar, pse të mos e bësh! Bëje një parti tënden dhe provo ta lësh, nëse humbet një palë të mallkuara! Nga një ekran që nuk e ke as tëndin të heqin dhe bëhesh copë e thërrime sa gjen një tjetër. Një tjetër, për të vjellë paturpësisht vrer për njërën palë, e lot përgjërate prej qelbashi e hakërrim prej koneje kur të prekin sado pak, mendësinë (qumështdhënësin) tënd. Kaq e kollajtë dorëheqja, posi! “Jemi shumë pleq për të dhënë dorëheqjen, bir!” – i tha njëherë Tarek Azizi, ministër i Sadamit, një gazetari amerikan.
Pandehni se presidentët e Amerikës do shkuleshin vullnetarisht nga froni nëse “xhaxhai” i tyre nuk do kishte biçak e t’u thoshte, vetes të parit: “Tetë vjet dhe marsh në shtëpi!”. Po këtu te ne…
“Në kolltukët e vjetër, bythët e reja zunë lesh…”.
Në datën 22 qershor kam ditëlindjen! Më 23 janë të mallkuarat! Lipsur qoftë dhe ditëlindja!

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.