Epiqendra e ndasisë së botës islamike

Postuar në 04 Korrik, 2013 07:12

Hera e fundit kur unë lashë Bagdadin isha në një barelë. Ishte 11 prilli i vitit 2003, katër ditë pasi trupat amerikane hynë në kryeqytetin e Irakut në fund të një fushate të lehtë për të rrëzuar Sadam Huseinin. Forcat amerikane e patën rrahur Bagdadin për shumë javë dhe ndërsa tanket amerikane nxitonin drejt qytetit, unë u bëra një viktimë rastësore krahas shumë irakianëve.

Në ditën që Bagdadi ra, unë po prisja për një kirurg irakian për të më operuar dhe për të hequr copa shrapneli dhe kockash nga truri im. Ai më shpëtoi jetën.

Shpejt pas kësaj u transportova nga ajri nga marinsat amerikanë drejt një spitali fushor në kufi me Kuvajtin. Unë pashë poshtë te kolonat e korracuara amerikane që qenë shpërndarë në të gjithë qytetin: fundi i një kapitulli tjetër të turbullt në historinë e Lindjes së Mesme dhe fillimi i një kohe akoma edhe më të paparashikueshme.

Vonë muajin e kaluar, një dekadë pasi isha evakuuar, unë më në fund u ktheva, jo vetëm për t’u përballur me kujtimet e vështira por edhe për të pasur një ide mbi të ardhmen e rajonit.

Iraku është i thyer dhe shoqëria është e ndarë. Irakianët suni dhe shia e kanë rifilluar dhunën e pamëshirshme sektare që u krijua fillimisht nga invazioni. Pushtimi amerikan, i cili u shit si një mënyrë për t’i dhënë fund diktaturës brutale të Sadamit, për t’i dhënë fund kërcënimit të armëve të shkatërrimit në masë dhe për t’i dhënë mundësi paqes dhe demokracisë, në fakt ndezi urrejtje të vjetra mes dy degëve rivale të islamit, – fillimisht në Irak dhe tashmë në të gjithë rajonin.

Përgjatë pak viteve të fundit, mazhoranca suni dhe minoranca shia janë përplasur në Irak, Liban dhe Bahrejn. Dy javë më parë, qindra suni të ndezur nga predikuesit e vijës së ashpër linçuan katër shia, përfshirë një udhëheqës fetar, para se të tërhiqnin zvarrë trupat e tyre nëpër rrugë. Në Siri, ajo që filloi si një kryengritje kundër sundimit të Bashar al-Asad u kthye në një luftë sektare, duke thithur në terren lojtarë nga e gjithë Lindja e Mesme, kufijtë e të cilëve u vizatuan në mënyrë arbitrare nga zyrtarët kolonialë britanikë e francezë një shekull më parë.

Në retrospektivë, pushtimi i Irakut siguroi një moment të rëndësishëm në balancën e pushtetit shumëshekullor mes dy sekteve që dolën nga përçarja e Islamit 1,300 vjet më parë, Iraku është vendi i parë i madh arab që u drejtua nga shiat për më shumë se tetë shekuj. Irani ka qenë qendra e referencës për shiat, por ai është një vend pers. Kjo gjë e ka fuqizuar Iranin dhe ka frikësuar popullatën suni dhe udhëheqësit suni.

Në Bagdad, ndarja mes dy sekteve është bërë e betonizuar – në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës. Ndërtesat qeveritare në kryeqytet janë ndarë dhe vulosur me mure kundër shpërthimit për t’i mbrojtur nga sulmet vetëvrasëse me bomba, të cilat tashmë po kërcënojnë sërish të bëhen po aq të shumta dhe po aq vdekjeprurëse sa qenë në kulmin e gjakderdhjes sektare në vitet 2006-2007.

Disa banorë tregojnë pemët e reja përgjatë rrugës drejt aeroportit, si dhe faktin se disa mure kundër bombave janë hequr dhe hapësirat publike janë rikthyer. Ka qendra të vogla tregtare dhe spitale në rindërtim.

Për sytë e mi, gjithsesi, Bagdadi dukej si një qytet i frikësuar nga vdekja dhe dëshpërimi. Ndjenja e frikës mes irakianëve të zakonshëm, të rraskapitur dhe traumatizuar nga pushtimi i huaj dhe vitet e vëllavrasjes, është mbytëse. Nëpër kryeqytet ka shtëpi të braktisura. Ambasadat e huaja janë të sulmuara nga njerëz që kërkojnë azil apo viza emigrimi, për të ndjekur më shumë se 2 milionë njerëz që janë larguar sakaq që nga viti 2003.

Gjatë katër ditëve unë udhëtova përmes një parku publik për fëmijë të rikonstruktuar, në rrugën “Abu Navas” përgjatë lumit Tigër, dikur qendra e gjallë e qytetit. Parku ishte bosh çdo ditë; të tilla qenë edhe shumë kafenetë përgjatë rrugës.

Shumë vila luksoze përgjatë Tigrit kanë marrë banorë të rinj për shkak se dhuna i detyroi shiat dhe sunit të kërkojnë një shtëpi në lagjet ku ato krijojnë një mazhorancë siguruese. Pallatet dhe vilat madhështore të Sadam Huseinit dhe xhelatëve të tij kanë banorë të ndryshëm gjithashtu, zakonisht nga klasa e re e udhëheqësve shia dhe truprojat e tyre me takëme luftimi.

Fizionomia e kryeqytetit ka ndryshuar. Fytyra suni e Sadamit dhe regjimit të tij të minorancës i ka dhënë rrugë ikonografisë së shias. Postera të Aliut, imamit të parë shia dhe fëmijëve të tij të martirizuar, Husein dhe Abas, kanë zënë muret përgjatë rrugëve kryesore. Predikuesit shia, të cilët qenë heshtur për shumë kohë nga Sadami, flasin nga altoparlantët e xhamive, sallave të faljes dhe makinave të milicive.

Qeveria e Irakut tashmë është nën udhëheqësinë e kryeministrit Nuri al-Maliki, një islamik shia nga partia e Dauas, (predikimit) e cila luftoi një fushatë të kushtueshme ilegale kundër Sadamit. Ajo ka bërë shumë pak ose asgjë për të ripajtuar sunitë me shiat.

Maliki i është përgjigjur në mënyrë të përsëritur akuzave për sjellje autokratike duke thënë se ai erdhi në pushtet përmes zgjedhjeve demokratike dhe jo përmes një grushti shteti ushtarak. Iraku ka nevojë për një qeveri qendrore të fortë, argumenton ai; sipas tij, po t’i japësh provincave shumë fuqi, kjo mund të minojë pushtetin qendror.

Këshilltari për median i Malikit, Ali al-Moussavi tha se ndarja shia-suni nën kohën e Sadamit ekzistonte vetëm në strukturën e pushtetit por jo në shoqërinë e Irakut. Gabimet nga autoritetet pushtuese amerikane dhe qeveria post-Sadam solli ndasinë. Moussavi akuzoi gjithashtu për dhunën sektare ndërhyrjen e “organizatave terroriste” të lidhura me al-Kaedën, të cilat ndjekin vijën më të ashpër të islamit Suni dhe që “luajtën rolin më të madh në gjakderdhjen sektare në Irak”.

Në të njëjtën kohë, armiqësia dhe mungesa e besimit janë rritur në mënyrë helmuese gjatë qeverisjes së Malikit, e cila për shumë vizitorë duket më shumë si një grupim i milicive shia dhe paraushtarakëve se sa një autoritet qendror për të gjithë irakianët, shia, suni apo kurdë.

Diskriminimi kundër sunive në punë dhe në jetën publike është shumë i përhapur, thonë diplomatët dhe banorët, ndërsa qeveria mbyll sytë përballë militantëve radikalë shia. Ushtria dhe policia, të cilat u krijuan nga e para nga autoritetet amerikane të pushtimit, po mbushen me oficerë shia, përfshirë ish-njerëz të milicive, ku për sunitë ka vetëm një kuotë të rezervuar në pozicionet e nivelit të ulët. Kjo është krejtësisht e kundërta me periudhën e Sadamit. Megjithëse jo të gjitha pakënaqësitë mund t’i ngarkohen Malikit, i cili i trashëgoi disa nga këto ndarje, kritikët thonë se ai nuk ka trajtuar siç duhet pakënaqësitë që ka shkaktuar e në disa raste, i ka thelluar ato.

Minoriteti suni i Irakut tashmë ndihen si qytetarë të dorës së dytë. Ata përbëjnë 20 për qind të popullatës me 32 milionë banorë të vendit në krahasim me 60 për qind të shiave. Sunitë kanë organizuar protesta masive në provincën Anbar në qendër të Irakut.

Atyre u është mohuar aksesi te vendet e punës dhe te pensionet dhe urrejnë thellë Malikin për injorimin e marrëveshjes së ndarjes së pushtetit që u arrit pas zgjedhjeve të vitit 2010. Marrëveshja synonte të jepte ndarje gati federale mes shiave, sunive dhe kurdëve etnikë, të cilët kanë provincën e tyre autonome në veri. Në vend të saj, sunitë thonë se Maliki ka marrë kontrollin e sigurisë dhe drejtësisë dhe ka përdorur policinë e tij për të shënjestruar armiqtë suni të nivelit të lartë.

Tareq al-Hashemi, zëvendëspresident i Irakut dhe politikani më i lartë Suni, aktualisht është nën arrati dhe mbi të rëndon një dënim me vdekje për akuza ku njerëzit e religjionit të tij thonë se ishin të sajuara. Ai akuzohet se drejtonte skuadra vdekjeje. Por zyrtarët shia të qeverisë akuzojnë sunitë për dhunën.

“Shumica e udhëheqësve islamikë suni… besojnë se nxitja e konfliktit të armatosur shia-suni është mënyra më e mirë që ata të rikthehen në pushtet”, tha një ligjvënës i lartë shia pranë Malikit.

Çështje kohezioni

Pakënaqësitë nuk janë të kufizuara te sunitë. Kurdët etnikë, të cilët përbëjnë rreth 20 për qind të popullsisë, janë mënjanuar nga dështimi i Malikit për të zgjidhur ndarjen e të ardhurave masive të sektorit të naftës – ky vend eksporton 2.5 milionë fuçi në ditë. Kurdët dhe ushtria e tyre e mirëstërvitur kanë qenë pranë përplasjes me Bagdadin për shkak të zonave kufitare të pasura me naftë si Kirkuku.

“Maliki refuzoi të ndajë pushtetin. Ai mori kontrollin e të gjithë aparatit të sigurisë dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe e bëri atë një instrument të politikës së vet”, tha një diplomat i lartë perëndimor. “Kurdët nuk morën atë që iu ishte premtuar në ligjet e gazit dhe naftës apo ndonjë zgjidhje për territoret e diskutuara”.

Një diplomat tjetër rajonal shtoi: “Kjo qeveri (supozohet të jetë) ndërtuar mbi partneritetin. Çdo komponent i popullit të Irakut supozohej të ishte e përfaqësuar, por asgjë nuk ndodhi. Sapo qeveria u krijua, Maliki ndaloi së dëgjuari mendimet e partnerëve të tij”.

Zëdhënësi i Malikit nuk i pranon këto akuza dhe thotë se vendimet e qeverisë së tij janë të votuara, ku kryeministri ka vetëm një votë. “Asnjë sekt, religjion apo grup etnik nuk do të jetë në gjendje të qeverisë Irakun më vete. Kjo është bërë e pamundur”.

Ai tha se sunitë kanë pozicione kyçe, përfshirë zëvendëspresidentin dhe zyrën e zëvendëskryeministrit, por disa suni “partnerë politikë po përpiqen të marrin më shumë mbështetës rreth tyre për të thelluar idenë se ato janë të margjinalizuar, mënjanuar dhe të nënpërfaqësuar në pushtet. Hapur ata po i nxisin njerëzit kundër qeverisë në mënyrë për të arritur qëllimet e tyre politike pavarësisht faktit se ata janë brenda qeverisë. Kjo prek thellë performancën e qeverisë dhe të proceseve politike në Irak”.

Por edhe shumë shia po e humbasin durimin me qeverinë. Pavarësisht të ardhurave masive nga nafta – Iraku është prodhuesi i dytë më i madh i kartelit OPEC dhe i treti më i madh në botë – Bagdadi nuk është në gjendje të ofrojë furnizim të rregullt me energji, ujë të pastër apo shërbime arsimore e shëndetësore. Asnjë zyrtar nuk mund të më shpjegojë se pse një vend me kaq shumë pasuri nuk është në gjendje të japë energji të qëndrueshme elektrike pas dhjetë vjetësh.

Uria e dukshme e Malikit për kontroll shihet edhe te trajtimi që ai u jep partive politike konkurrente shia, të cilat duket se ka tentuar t’i përçajë ose t’i mbajë larg pushtetit. Disa prej tyre kanë filluar të bashkohen kundër tij, me raste në aleancë me sunitë.

“Me Malikin, problemi është 50 për qind si pasojë e ndarjes sektare dhe 50 për qind si pasojë e karakterit dhe vendosmërisë së tij për të kontrolluar të gjithë pushtetin”, tha një diplomat rajonal.

Një i dërguar i lartë perëndimor tha se kryeministri mbetet kaq i fshehtë – ndoshta si pasojë e shumë viteve ekzil dhe punë klandestine – sa “kur lë zyrën, e mbyll atë me çelës dhe e fut çelësin në xhep”.

Ky i dërguar bashkë me shumë diplomatë të tjerë dhe politikanë rivalë, mendojnë se Maliki duket se ka shkuar tepër larg me akumulimin e pushtetit dhe ndoshta ka vënë në rrezik shanset për t’u rizgjedhur në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm.

Një konflikt rajonal

Natyra sektare e politikës në Irak është sjellë në fokus nga vendimi i Iranit për të mbështetur ushtarakisht dhe politikisht qeverinë e Bashar al-Asadit të Sirisë, e cila është e dominuar nga Alavitët, një degë e shiave. Diplomatët në Bagdad janë të bindur se Maliki është përpjekur të marrë kontrollin mbi Bankën Qendrore tetorin e kaluar, për të lejuar qeverinë e tij për të siguruar dollarë për Iranin e goditur nga transaksionet, pjesë kjo e përpjekjeve për të ndihmuar qeverinë e Sirisë.

Zyra e Malikit hodhi poshtë aludimet. “Ne nuk kemi tentuar kurrë të transferojmë dollarë për iranianët”, tha zëdhënësi i Malikit. “Ne jemi angazhuar në bashkësinë ndërkombëtare dhe vendimet e saj. Këto janë thjesht gënjeshtra… i gjithë debati është i motivuar politikisht. Ne sfidojmë çdo palë që të tregojë prova për këtë”.

Ministri i Jashtëm, Hoshyar Zebari, thotë se vendi i tij është vendosur mes dy palëve në luftën civile të Sirisë, duke e vendosur politikën zyrtare të neutralitetit që ka shpallur Bagdadi në rrezik.

“Se sa gjatë ne mund ta mbajmë këtë politikë është me të vërtetë në varësi të zhvillimeve të reja”, tha ai për “Reuters”. “Iraku është në pozicionin më të vështirë në këtë trazirë rajonale dhe konflikti në Siri është bërë në të gjitha kuptimet një konflikt rajonal”.

Irani raportohet se ka krijuar një “korridor tokësor” përmes Irakut drejt Sirisë për të dërguar atje luftëtarë dhe armë. Këto transferime ndodhin pothuajse çdo ditë.

Iraku nuk pranon akuzën se po lejon Teheranin të transportojë pajisje ushtarake apo luftëtarë dhe thotë se inspekton disa fluturime me drejtim nga Irani në Siri. Këto inspektime treguan vetëm mallra civile. Por vetë luftëtarët shia dhe suni të Irakut janë sakaq duke luftuar në Siri.

Udhëheqësit shia të Irakut thonë se ata janë zemëruar nga vrasjet e anëtarëve të sektit të tyre dhe çnderimit të kulteve shia në Siri nga fanatikët suni. “Të 16 milionë shiat janë të angazhuar për të mbrojtur religjionin e tyre. Ne do të mobilizojmë mijëra luftëtarë për të mbrojtur fenë dhe kultet tona”, thotë Hussein Abou Sijad, një irakian që tha se ka luftuar në Siri, por gjendej me pushime në Irak.

Udhëheqësit shia në Bagdad dhe Teheran kanë frikë se nëse Asad bie, një qeveri armiqësore suni në Siri do të minojë ndikimin e shiave në të gjithë Lindjen e Mesme.

Sunitë e Irakut ndërkohë ndiejnë njëfarë hapjeje. Të fuqizuar nga konflikti i Sirisë, organizatat e “al-Kaedës” në Irak po marrin rekrutë të rinj mes sunive të vendit. Edhe sunitë që nuk kanë besim te xhihadizmi janë të pakënaqur me qeverinë e Malikit. Disa duan të ndjekin shembullin e kurdëve për krijimin e një rajoni të ndarë brenda Irakut, të tjerë shohin nga Damasku me shpresë se sunitë mund të marrin pushtetin atje.

“Ata ëndërrojnë një ndryshim në Siri, për të pasur sunitë në pushtet në Damask si mbështetje për ta. Ekstremistët mendojnë se mbështetja e sunive në Damask mund t’i rikthejë ata në pushtet në Irak”, tha një diplomat i lartë.

Në kërkim të shpëtimit

Në rajonet suni të Bagdadit, njerëzit ankohen mbi milicitë shia klandestine, që janë të veshur me bluza të zeza dhe pantallona kaki, që ngrenë pika kontrolli dhe kërkojnë kartën e identitetit. Ata arrestojnë njerëzit që i konsiderojnë të dyshimtë. Ky është dallimi i madh mes vitit 2003 dhe tani. Në atë kohë, irakianët kishin një përzierje të fatalizmit dhe shpresës për një të ardhme më të mirë. Tani shumë irakianë kanë vetëm një shpresë. Të ikin.

Kjo ndjesi është më e fortë mes sunive, shumë prej të cilëve ndiejnë se po paguajnë një çmim të stërmadh për masakrat e Sadamit dhe shtypjen e shiave dhe kurdëve prej tij.

“Unë kam një djalë të quajtur Omar, – tha një suni, Ahmed, duke iu referuar një emri klasik suni. Kur ai lindi, unë e quajta atë Omar, por në atë kohë nuk kishte urrejtje sektare si tani. Vetë emri i tij do t’i vërë jetën në rrezik… unë dua të emigroj në Shtetet e Bashkuara. Ne jemi miq të padëshiruar në Irak. Unë kam frikë për fëmijët e mi. Ata nuk kanë të ardhme këtu”.

Ahmed, i cili refuzon të japë emrin e plotë, thotë se shiat e lagjes së tij kanë ikur prej kohësh. “Është e rrezikshme për ata të vijnë në zonën tonë dhe është e rrezikshme për ne të vizitojmë ata. Ne komunikojmë me telefon ose me ‘Facebook’”.

Një banore tjetër suni, Reem, 37 vjeç, u largua drejt Alepos në Siri bashkë me bashkëshortin e saj dhe dy fëmijët, pasi i ati u arrestua nga forcat amerikane nën akuzë se po mbështeste rezidencën suni në Irak. Tashmë ajo është kthyer në Bagdad, por mendon se mund të jetojë më mirë në Siri.

“Ne u kthyem pasi atje luftimet u shtuan”, tha ajo. “Mua nuk më pëlqen të kthehem në Irak. Situata është edhe më keq këtu. Sunitë po diskriminohen dhe po i nënshtrohen shtypjes më shumë se më parë”.

Luftëra më të mëdha

Për mua, Bagdadi rigjallëroi kujtime të fuqishme këtu. Unë nuk desha të largohem pa u takuar me një mikeshën time, e cila 10 vjet më parë, më qëndroi pranë shtratit ditë dhe natë ndërsa unë isha në gjendje të rëndë. Ajo erdhi me tre fëmijët e saj: Shahd, 15, Bashar 13 dhe Riham 10. Vitet e vështirësive dhe vuajtjeve kanë lënë shenjat e tyre në fytyrën e saj. Ajo numëroi anëtarët e familjes së saj që ishin vrarë në krimet sektare, përfshirë edhe nënën e saj. Ajo vetë u largua nga lagjja pasi morën kërcënime. Një ditë ajo doli për pazar dhe kur u kthye, e gjeti banesën të bërë shoshë nga plumbat, ndërsa trupat amerikane bastisën apartamentin në kërkim të të dyshuarve. U deshën shumë orë që ajo të mësonte nëse fëmijët e saj ishin ende gjallë.

Por Sau’ad deshi të fliste më së shumti se si mundej të largohej nga Iraku. Shanset e saj janë të pakta, veçanërisht përballë kërkesave të mijëra refugjatëve nga Siria.

Unë pata një vizitë të fundit për të kryer para se të largohesha. Në katin e pesëmbëdhjetë të hotelit ‘Palestina’, dhoma 1503, ku një predhë tanku goditi ndërsa trupat amerikane avancuan drejt kryeqytetit.

Në atë kohë, unë nuk i ndiqja më ngjarjet nga zyra e ‘Reuters’ në katin e katërt, kështu që shkova në zyrat televizive në katin e pesëmbëdhjetë ku mund të shihja tanket amerikane duke zënë pozicion në urën strategjike Xhumhuria, afro dy kilometra më tutje. Mora në telefon redaksinë në Dubai për të raportuar se Bagdadi po binte. Papritur pashë një dritë portokalli. Ajo ishte predha amerikane që shkatërroi zyrën, duke vrarë kolegun tim televiziv Taras Protsyuk pranë meje si dhe gazetarin spanjoll Jose Cuso, një kat më poshtë. Unë dhe dy kolegë mbetëm të plagosur rëndë.

Kur unë hyra kësaj here, hoteli ‘Palestina’ nuk ishte më siç e mbaja mend, përplot me gazetarë dhe ekipe televizive apo spiunë nga regjimi. Ai ishte bosh me përjashtim të pak biznesmenëve. Recepsionisti, nga kohët e vjetra qe mikpritës. Kati i pesëmbëdhjetë ishte mbyllur për rinovim, por ai e hapi për mua.

Nuk e di se çfarë më bëri të ndihesha sikur po mbytesha. Ndoshta era e kalbjes në dhomat e pluhurosura apo kujtimet e asaj dite apo ndjenja e panikut që më kap herë pas here. Në avion për t’u kthyer në Bejrut, mendova për të gjitha luftërat që përjetova dhe raportova. Lufta civile libaneze, lufta e Parë e Gjirit Persik, pushtimi amerikan si dhe revoltat më shpresëdhënëse të Tunizisë, Egjiptit, Bahrejnit, Jemenit dhe Libisë. Dhe tashmë Siria, e cila është kthyer në më e keqja mes revoltave. Unë nuk mund të zgjedh se çfarë është më keq: Damasku në luftë apo Bagdadi në demokraci. Një miku im më tha një herë: Luftërat e Lindjes së Mesme nuk sjellin paqe, ato sjellin luftë më të madhe.

 

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.