Egjipti pas Morsit

Postuar në 06 Gusht, 2013 05:19

Kur revolucionet e 1848-ës në Evropë morën tatëpjetën një vit më pas, sikur të gjithë e dimë, gjithçka ishte e ngjashme. Monarkitë mbetën në pushtet për dekada me radhë, por revolucioni industrial dhe ardhja e demokracisë ishin bërë të pandalshme. Megjithatë, ne gjithashtu e dimë se kjo i priu Evropës drejt një të ardhmeje që nuk ofroi asgjë më shumë sesa një paqe të brishtë. Bota arabe mund të mos jetë e prekur thellë, por e ardhmja e afërt pa dyshim se do të jetë ose paqësore, ose e qëndrueshme.

Egjipti është zemra e revolucionit arab, megjithëse shkëndijat e para u përflakën në Tunizi. Por Egjipti – me shtrirjen strategjike, kufijtë e përcaktuar, popullsinë e madhe dhe historinë antike – ka qenë fuqia kryesore e botës arabe për shekuj me radhë, duke përcaktuar lëvizjen e historisë si askush tjetër. Kjo do të thotë se rrëzimi i presidentit të zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohammed Morsi, do të ketë reperkusione më të gjera.
A ishte rrëzimi i Morsit një kundër-revolucion klasik nën maskën e një grusht shteti ushtarak? Apo, a parandaloi puçi ushtarak kapjen totale të pushtetit prej “Vëllazërisë Myslimane”, dhe kështu shmangu falimentimin ekonomik dhe pakënaqësinë kaotike në diktaturë fetare?
Askush nuk duhet ta mohojë se çka ka ndodhur në Egjipt ishte një grusht shtet ushtarak, ose se forcat e regjimit të presidentit të mëhershëm, Hosni Mubarak, janë kthyer në pushtet. Por, ndryshe prej 2011-s, kur një grusht liberalësh properëndimorë dhe numër i madh i të rinjve urbanë dhe të shtresës së mesme marshuan kundër Mubarakut, tani të njëjtat grupe mbështesin grushtin e  shtetit, duke i dhënë atij një legjitimitetit (demokratik?) të caktuar. Megjithatë, nuk mund të ilustrohet grusht shteti ushtarak një qeverie të zgjedhur nëpërmjet procesit demokratik.
Kësisoj, çfarë mundësish i kanë mbetur tani Egjiptit? A do ta përsërisë tragjedinë algjeriane, në të cilën ushtria anuloi zgjedhjet për të parandaluar ardhjen në pushtet të islamikëve, duke i dhënë shkas një lufte civile tetëvjeçare që mori jetën e më shumë se dyqind mijë personave? A do t’i kthehet vendi diktaturës ushtarake? Ose, a do të përfundojë Egjipti në diçka si “demokracia” e llojit Kemalist që mbisundoi në Turqi; një qeveri civile, por me frerët në duar të ushtrisë? Të tri alternativat janë të mundshme, megjithëse është e zorshme të parashikohet se cila prej tyre do të sundojë.
Por tashmë një gjë mund të thuhet pa asnjë dyshim: shpërndarja bazike e pushtetit brenda shoqërisë egjiptiane nuk ka ndryshuar. Ushtria dhe “Vëllazëria Myslimane” ndajnë pushtetin ndërmjet tyre. Liberalët properëndimorë nuk kanë ndonjë pushtet dhe qëndrim real, sikur po e shohim deri tani, në lidhje me fuqinë e ushtrisë. Ne nuk duhet ta harrojmë se kundërshtari i Morsit në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar ishte Ahmed Shafiq, një ish-gjeneral dhe kryeministri i fundit i kohës së Mubarakut, që pa dyshim se nuk është liberal.
Fitorja e “Vëllazërisë Myslimane” ose e ushtrisë nuk do të përbënte fitore për demokracinë. “Hamasi”, që sundon Gazën prej vitit 2006, mund të shërbejë si një shembull për atë çka dëshiron “Vëllazëria”: pushtet të pandarë, përfshirë edhe mbi ushtrinë. Ngjashëm, mbajtja e pushtetit në duar të ushtrisë, që nisi që në vitet pesëdhjetë, rezultoi në një diktaturë ushtarake që zgjati për dekada me radhë.
Por tani ka një faktor të tretë dhe të ri që ka hyrë në lojë, një që nuk ka fuqi sikur ushtria ose “Vëllazëria Myslimane”. Nëpërmjet lidershipit të protestave për dy vjet, rinia e shtresës së mesme ka marrë legjitimitetin e vet, dhe, me kapacitetet e veta teknologjike dhe gjuhësore, rinia është e aftë të dominojë debatin global për Egjiptin.
Këta të rinj duan progres, jo pushtet; ata duan të kenë në të ardhmen një jetesë të dinjitetshme, që shihet në internet dhe Perëndim. Nëse kjo lëvizje do të kanalizohej në politikë institucionale, do të kishte ndikim të theksuar në shpërndarjen e brendshme të pushtetit të Egjiptit.
Drama në zhvillim e Egjiptit do të formësohet prej trekëndëshit të kundërthënieve dhe kërkesave ndërmjet këtyre tri grupeve. Dhe nuk duhet të harrohet se, bashkë me të rinjtë që ndjenin se u mungonte një e ardhme nën diktaturat ushtarake nacionaliste të së kaluarës, varfëria masive ishte shkaktari i dytë i revolucionit të vitit 2011.
Vënia e theksit të kundërthënies ndërmjet ushtrisë dhe “Vëllazërisë Myslimane” nuk nënkupton vetëm çështjen fetare, por edhe të gjitha këto probleme sociale, përfshirë pabarazinë që ka kapluar shoqëritë arabe. “Vëllazëria Myslimane” efektshëm ka marrë rolin e ngjashëm me atë të partive politike majtiste evropiane në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Kushdo që dëshiron ta dobësojë “Vëllazërinë” duhet të adresojë çështjet urgjente sociale që ngre ajo dhe mundohet t’i zgjidhë.
Kjo do të thotë se çfarëdo zgjidhjeje që në fund do të mbretërojë do të lidhet me atë nëse ajo arrin të zgjidhë krizën ekonomike (veçanërisht mungesën e vendeve të punës për rininë) dhe varfërinë masive që po thellohet gjithnjë e më shumë. Gjasat janë të vogla.
Në mbarë botën arabe, nacionalizmi shtrëngon shoqëritë dhe prish bashkëpunimin, shmang mundësinë e heqjes së tarifave dhe të krijimit të një komuniteti ekonomik. Dhe duhet kujtuar se ekonomitë në vendet arabe në krizë janë shumë të vogla për t’ia dalë mbanë të vetmuar, madje edhe atëherë kur gjithçka shkon fjollë, ato nuk mund t’u ofrojnë shpresa popullsive të mëdha për një të ardhme pozitive. Atyre u duhet bashkëpunim i avancuar, që duke e marrë parasysh gjuhën e përbashkët, do të përbënte një bazë për një themel më të fuqishëm sesa ai që e ka Evropa.
Në Egjipt, Perëndimi duhet të punojë me tri forcat prijëse politike – Ushtrinë, “Vëllazërinë” dhe rininë urbane – sepse asnjë zgjidhje afatshkurtër nuk do të vijë në formën e një opsioni. Qasja më e keqe do të ishte margjinalizimi ose persekutimi e “Vëllazërisë Myslimane” dhe islamit politik përsëri.
Parë më gjerësisht, me luftën civile siriane që po destabilizon Libanin, dhe kërcënon ta bëjë të njëjtën gjë në Jordani, dhe me Irakun të zhytur ngjashëm në dhunë sektare, grusht shteti ushtarak në Egjipt duket se po paralajmëron fundin revolucioneve arabe, së paku përkohësisht. Gjithkah, shenjat po sinjalizojnë prapakthim.
Por ne nuk duhet të dorëzohemi. Edhe në qoftë se lufta për pushtet duket e vendosur, nuk do të thotë rikthim në status quo të mëhershme. Kur revolucionet e 1848-s në Evropë morën tatëpjetën në vitin pasues, sikur të gjithë e dimë, gjithçka ishte e ngjashme. Monarkitë mbetën në pushtet për dekada me radhë, por revolucioni industrial dhe ardhja e demokracisë ishin bërë të pandalshme.
Megjithatë, ne gjithashtu e dimë se kjo i priu Evropës drejt një të ardhme që nuk ofroi asgjë më shumë sesa një paqe të brishtë. Bota arabe mund të mos jetë e prekur thellë, por e ardhmja e afërt padyshim se do të jetë ose paqësore, ose stabile.

(Autori ishte ministër i Jashtëm dhe zëvendëskancelari gjerman gjatë viteve 1998-2005.
Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, botuar më së pari në Koha Ditore)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.