Dy narrativat e Edi Ramës

Postuar në 02 Korrik, 2013 04:50

Në vitin 2009, Partia Socialiste nuk i fitoi zgjedhjet, por as nuk i njohu ato. Sipas socialistëve votat u vodhën. Në retorikën e tyre, ajo çfarë kishte ndodhur ishte një përsëritje e lehtë e vitit 1996, ndërsa ajo që rrezikonte pushteti në fuqi ishte diçka e ngjashme me vitin 1997.
Ndonëse shumë veprime e vendime që pasuan nga Edi Rama dhe kryesia e PS-së nuk ishin shumë bindëse (greva e urisë pas shpalljes se bojkoti kishte mbaruar, etj) dyshimi mbi ato zgjedhje mbeti.
Është e vërtetë se asnjëherë nuk u provua akuza e manipulimit të votave, por nga ana tjetër ajo gjithashtu nuk u hodh dot poshtë. E vetmja mënyrë për ta përgënjeshtruar Edi Ramën do të kishte qenë hapja e kutive dhe numërimi publik sa për ta varrosur si çështje, për ta turpëruar publikisht opozitën dhe për ta detyruar Edi Ramën që të jepte dorëheqjen si kryetar.
Në vend të kësaj, qeveria këmbënguli që të mos kishte kthim pas në procesin e zgjedhjeve tashmë të njohura nga bota, përveçse nëpërmjet një procesi gjyqësor. Qeveria Berisha kishte të drejtë teknikisht. Ishte absurde që opozita kërkonte që qeveria t’i rikthehej numërimit pa një vendim gjykate. Mirëpo, nga ana tjetër, duke qenë se të gjithë 20 000 komisionerët në mbarë vendin kishin firmosur procesverbalet e tyre, shanset ishin që PS-ja të mos kishte asnjë shans praktik që ta fitonte betejën gjyqësore.
Qeveria mund t’ia kishte hequr gjithsesi telashin juridik opozitës dhe ta kishte bërë rinumërimin.
Unë besoja se ndoshta qeveria do ta bënte rinumërimin në prag të zgjedhjeve të reja, duke ia vonuar zhgënjimin militantëve të opozitës e duke i çuar në betejën e re me moral të goditur. Kjo nuk ndodhi. Kutitë u dogjën dhe bashkë me to e vërteta. Mbi koalicionin e PD-së mbeti një dyshim. Si diplomatët e huaj ashtu edhe vëzhguesit e pavarur të politikës shqiptare mbetën me dyshimin se ndoshta votat ishin vjedhur vërtet.
Në rastin më të mirë për Berishën, kishte mes shumë shqiptarëve një hije ekuivalence morale: të dy palët vjedhin. Berisha doli më i zoti.
Sot, pas zgjedhjeve të vitit 2013, ndërsa me të drejtë vëmendja është e drejtuar përpara në katër vitet e ardhshme, ia vlen që të shprehet një mendim edhe lidhur me atë që ndodhi katër vite më parë; tani me ndihmën e një fakti të njohur.
Në zgjedhjet e 23 qershorit Partia Socialiste mori relativisht po aq vota sa në zgjedhjet e vitit 2009, të cilat nuk i njohu. Në atë kohë, socialistët pretenduan se u takonin mbi 70 deputetë në Kuvend.
Nga kjo ka dy përfundime të mundshme.
Mundësia e parë është që në vitin 2009 nuk janë vjedhur votat, por 65 deputetët në Kuvend reflektonin mbështetjen e vërtetë që ka PS-ja në popull.
Mundësia e dytë është që në vitin 2009 votat u vodhën, PS meritonte më shumë se 70 deputetë dhe që, në katër vitet që pasuan, PS ka pësuar një rënie të rëndë, të ngjashme ndonëse më pak serioze, me atë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit. Ndërsa e majta shqiptare ka fituar, vetë PS-ja ka pësuar një humbje.
Edi Rama duhet të zgjedhë një nga dy këto narrativa. Ose atij nuk i janë vjedhur votat në 2009, ose ai në 23 qershor pësoi humbje bashkë me Sali Berishën, ndonëse jo në shkallën që pësoi partia në pushtet.
A ka rëndësi kjo sot? Them se ka. Ne presim nga Edi Rama që të bëhet një kryeministër model. Po kjo nuk do të ndodhë nëse ai nuk lexon siç duhet historinë e këtyre dy votave dhe nuk rishikon aktivitetin e tij në këto katër vite.
Ishte në fund të fundit, e meta kryesore e paraardhësit të tij në karrigen e kryeministrit, që një pushtet me patericë e trajtoi si një pushtet me votë plebishitare.
Në vitin 2005, kur Edi Rama zëvendësoi Fatos Nanon në krye të PS-së, ai kërkoi që dorëheqja e kryetarit në rast humbjeje të çimentohej në statutin e partisë. Në vitin 2009, PD dhe disa kolegë të tij në PS e akuzuan se nuk pranonte ta njihte humbjen në zgjedhje, sepse nuk donte të lëshonte postin e kryetarit.
Ky debat nuk ishte pa pasoja në PS. E majta u përça edhe më shumë. Hendeku PS-LSI u rrit. Disa ish-anëtarë të anatemuar, si Kastriot Islami e të tjerë, që sot janë të falur ose ende të pa falur nga kryetari Rama, u ndanë me të pikërisht për shkak të këtij momenti.
Nëse në vitin 2009 PS ka humbur vërtet, atëherë Edi Rama duhej të kishte dhënë dorëheqjen sipas rregullit që sanksionoi vetë. Nëse ai i ka fituar zgjedhjet në atë kohë, por ia humbi avantazhin PS-së në 23 qershor, ndoshta prej taktikave lodhëse të këtyre katër viteve ose prej bashkimit me Ilir Metën, ai mbase duhet të paktën të kërkojë ndjesë sot.
Edi Rama dhe socialistët nuk mund të përqafojnë të dyja narrativat. Është e qartë për ata që nuk merren me valëvitje flamujsh e brohoritma në sheshe se PS ka pësuar humbje në njërën nga dy zgjedhjet dhe askush nuk ka marrë përgjegjësi për këtë.

Mapo

Comments

Submitted by ILIRET (not verified) on

More Avxhi ! Kur nuk e di ende cilat jane rezultatet e zgjedhjeve perse ben shkrime, per nje teme  qe ndoshta nuk eshte e fushes tende. Po shko mor djale  dhe botoje kete shkrim tek 55.

PS ne zgjedhjet e 23 qershorit mori 93 mije vota me shume se ne vitin 2009. Nga 721 mije vota me 2009 me 23 qershor mori 814 mije vota. Rritja eshte 13 %.

Hyr ne saitin e KQZ, qe te mesosh rezultatin. Pike e zeze kur injoranca behet menyre jetese...

Submitted by Saimir (not verified) on

Cili eshte kuptimi i ketij shkrimi o i nderuar? Kjo me te cilen mirresh ti eshte nje vogelsire e parendesishme. Fshati zien e ti merresh seriozisht me ceshtjen ne se dhenderri ne te hyre te fshatit ka shkelur nje kakardhi dhie apo deleje? Ne secilin rast ai duhet te kerkoje ndjese! Eh, gazetari e thelle investigative.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.