Dy këshilla për këshilluesin e Kryeministrit

Postuar në 15 Tetor, 2013 06:21

ALDO BUMCI

 

Lexova me shumë vëmendje intervistën që Shkëlzen Maliqi ka dhënë për “Express” të Kosovës. Mbas emërimit të tij si këshilltar i Kryeministrit Rama për Kosovën dhe rajonin, intervista në një media të Kosovës merr një vlerë të shtuar për të mësuar më shumë në lidhje me vizionin që ka Kryeministri Rama për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri.
Në këtë intervistë bien në sy dy probleme thelbësore në qasjen e këshilltarit të Kryeministrit Rama: 1) z. Maliqi është i painformuar në lidhje me realitetin e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë, ose, në rastin më të keq, e që shpresoj të mos jetë e vërtetë, është kaq i indoktrinuar nga “Rilindja”, sa kërkon të na rishkruajë historinë e këtyre marrëdhënieve. E dyta, si këshilltar i Kryeministrit të Shqipërisë do duhej të kufizohej në intervistat dhe opinionet e tij personale për jetën politike dhe zhvillimet në Kosovë, për arsye se këto mund të lexohen si qëndrime të Kryeministrit shqiptar ndaj faktorëve politikë në Kosovë dhe të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës.
Maliqi thotë se: “Vizioni i Ramës nuk u ngjan aspak atyre premtimeve retorike dhe pompoze të Sali Berishës që do t’ia falë Kosovës Portin e Shëngjinit ose se do t’i pajisë të gjithë shqiptarët me pasaporta të Shqipërisë që pastaj i hante fjalët e veta. Rama, përkundër Berishës, do të rrëzoje kufijtë realë dhe mentalë në hapësirën shqiptare”.
Gjatë qeverisjes së kryeministrit Berisha, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës njohën zhvillime të gjithanshme. Që nga bashkëpunimi i ngushtë dhe kontributi që Shqipëria dha për pavarësinë e Kosovës e njohjen ndërkombëtare të saj, ndërtimit të Rrugës së Kombit, hartimin e Abetares së përbashkët, nënshkrimin e rreth 100 marrëveshjeve dypalëshe. Kjo trashëgimi e pasur, ku ndërtimi i Rrugës së Kombit shkëlqen si akti dhe vepra që vuri themelet e krijimit të një hapësirë ndërvepruese shqiptare në rajon, çuditërisht paraqitet ndryshe, duke e kufizuar në dy shembujt që z. Maliqi i referohet.
Si këshilltar, z.Maliqi ka të gjitha mundësitë, në fakt e ka detyrim, të njihet me të dhënat konkrete të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Në lidhje me Portin e Shëngjinit, kryeministri Berisha ka deklaruar publikisht gatishmërinë e qeverisë që porti t’i vihet në dispozicion Kosovës. Ky angazhim politik është posaçërisht i përfshirë në Protokollin e Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar Kosovë-Shqipëri, i cili vendos bazat e një partneriteti strategjik mes nesh. Ministria e Transportit ka njoftuar qeverinë e Kosovës se jemi të gatshëm të diskutojmë termat e bashkëpunimit për Portin e Shëngjinit. Pra, nuk bëhet më fjalë për një premtim a qokë politikë, por për një angazhim të ndersjellë të shprehur qartë e pa ekuivok në një dokument, udhërrëfyes për partneritetin strategjik që Shqipëria dhe Kosova tashmë po ndërtojnë bashkërisht. Pa dyshim do te ishte e udhës që këshilluesi i Kryeministrit ta dinte tashmë që ky dokument ekziston, a të shfrytëzonte atë akses që punëdhënësi i tij ia ka dhuruar, përtej fasadës së krijuar prej faktit se një këshillues nga Kosova është pajtuar për të projektuar më mirë e më besueshëm zotin Rama në Kosovë, pasi tashmë Shqipëria e Kosova e kanë mirëvendosur marrëdhënien e tyre strategjike.
Në lidhje me deklaratën se “të gjithë shqiptarët do të pajisen me pasaporta të Shqipërisë”, përsëri e njoftoj të painformuarin z. Maliqi se vendimi i qeverisë “Berisha” ka hyrë në fuqi dhe është në zbatim. Sot, të gjithë bashkëkombësit shqiptarë, përveç atyre rezidentë në Kosovë, gëzojnë të drejtën për t’u pajisur me pasaportën e Republikës së Shqipërisë. Dhe, po si këshilltar për politikën e jashtme të Kryeministrit, z. Maliqi duhet ta dijë se mospërfshirja e shqiptarëve rezidentë në Kosovë ka ndodhur për faktin e vetëm që të mos komprometojë procesin e liberalizimit të vizave që Brukseli ka çelur tashmë me Kosovën.
Është e vështirë të shpjegosh se pse z. Maliqi nuk i referohet Rrugës së Kombit në intervistën e tij. Sepse është pikërisht kjo vepër trashëgimia më e madhe dhe më e çmuar e qeverisjes së kryeministrit Berisha. Bëhet edhe më e pakuptueshme mospërmendja e kësaj vepre, ndërsa z. Maliqi deklaron se: “Rama, përkundër Bërishës, do të rrezojë kufijtë realë dhe mentalë në hapësirën shqiptare”. Rruga e Kombit është ajo që bashkoi shqiptarët në të dy anët e kufirit, duke rrëzuar kufijtë realë që vështirësonin komunikimin mbarëshqiptar. Dhe, ne e dimë shumë mirë historinë e qëndrimit të z. Rama ndaj Rrugës së Kombit. Z. Rama bëri gjithçka që kishte në dorë kundër Rrugës së Kombit; votoi kundër çdo buxheti që financoi ndërtimin e rrugës dhe e përbalti çdo ditë që ajo po ndërtohej. Rruga e Kombit, duke rrëzuar kufijtë fizikë ndërmjet shqiptarëve, po rrëzon dhe kufijtë mentalë, sepse ato nuk mund të bien përveçse nëpërmjet komunikimit intensiv dhe të gjithanshëm të shqiptarëve. Ndërtimi i Rrugës së Kombit ka ndikuar në 7-fishimin e shkëmbimeve ekonomike dhe 10-fishimin e shkëmbimeve njerëzore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Në totalin e investimeve në Kosovë gjatë viteve 2007-2011, kapitali shqiptar zë vendin e parë në rajon dhe vendin e shtate pas Gjermanisë, Britanisë, Austrisë etj. Ndërsa Shqipëria është sot destinacioni i dytë më i madh i eksporteve kosovare, pas Italisë. Gjithashtu me një vlerë të jashtëzakonshme për nxitjen e bashkëpunimit të ndërsjellë është dhe ndërtimi i një baze të gjerë ligjore me 92 marrëveshje, ku përfshihet dhe Protokolli i Komisionit të Përbashkët ndërqeveritar Kosovë-Shqipëri, i cili vendos bazat e një partneriteti strategjik mes nesh.
Këshilla e dytë për z. Maliqi ka të bëjë me deklaratat e tij në lidhje me zhvillimet në jetën politike të Kosovës. Z. Maliqi deklaron se: “LDK e ka merituar ta humbë Prishtinën për shkak të devastimit të kryeqytetit”. Z. Maliqi, duke qenë se në intervistë ju flisni me tagrin e këshilltarit të Kryeministrit, a duhet ta lexojmë këtë deklaratë dhe si qëndrim të z. Rama për LDK-në dhe administrimin që ajo i ka bërë Prishtinës? E njëjta gjë vlen dhe për opinionet e tjera të z. Maliqi në intervistë, si: PDK do të humbe përparësinë prej 6-8% që ka pasur ndaj LDK-së, a është ky edhe opinioni i z. Rama? Edhe nëse këto nuk janë opinionet e Kryeministrit Rama për zhvillimet në Kosovë, por vetëm të këshilltarit të tij, përsëri janë të mjaftueshme për të krijuar pakënaqësi në Prishtinë. Z. Maliqi nuk duhet të harrojë se xhaketa e këshilltarit që ka veshur ka përparësi ndaj çdo lloj pozicioni tjetër që ai ka mbajtur deri më sot.
Në përfundim, pa dyshim që marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës duhet të njohin dhe të kapin nivele dhe më të larta në të gjitha fushat, dhe unë shpresoj që z. Maliqi të ndihmojë në këtë drejtim, por nuk mund ta bëjë këtë duke na ofruar vizionin e rilindjes që gjithçka fillon nga zero, dhe vetëm me z. Rama do të fillojë ndërtimi i urave ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

 

Panorama

Comments

Submitted by Arben (not verified) on

<p>Ky ketu ka shkruar per te mbrojtur pislliqet e berishes me tonin e sherr-budalles. Rruga eshte jofunsionale dhe ka lene dhe femijet tane me borxhe. Per te mos permendur qe nje pjese e madhe borxhi duhet te kete shkuar ne nje nga xhepat e thelle te korrupsionit te mir organizuar te familjes berisha. Sa per pasaportat keta jane pune hajdute votash. Si babai i vjedhes se votave berisha ka shume teknika por passaportat e dhene kosovareve te zgjedhur ka funsionuar mire heret e fundit. Sa per genjeshtrat nacionaliste te Berishes ai eshte sponsor politik i kontabandes se naftes qe mundesonte respzistencen e Serbise dhe te luftrave ne balkan gje qe kundershton qe retorike te stilit te tij karakteristik mashtrues. Qe berisha genjen sa here hap gojen ka pak qe nuk e dine. Por mbase ka disa qe harxhojne kohen me genjeshtrat e tua te nje still sigurisht me modern</p><p>&nbsp;</p><p>&nbsp;</p><p>&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.