Dom, merru me grigjën tënde!

Postuar në 12 Korrik, 2013 09:07

Në një shkrim të shkruar nga Gjergj Meta, i cili nga titulli “dom” që gjejmë në internet më duket si njeri i fesë, përmendet edhe emri im, duke më cilësuar si një nga “shkërbejtë” e Rilindjes (term që autori i shkrimit thotë se e ka marrë prej “mikes” së tij Ledi Shamku-Shkreli) dhe si një nga përkrahësit e qëndrimeve “konservative”, “të mbrujtura në laboratorët e regjimit komunist”. Nuk e kuptoj pse ky njeri i fesë nuk merret me punët e fesë, po hidhet edhe në punë që janë larg obligimeve të tij. Se një njeri që ka marrë përsipër të jetë bari i grigjës së besimtarëve, nuk mund t’ia lejojë vetes – besoj nuk është as në kodin moral të kishës katolike – të sulmojë e të etiketojë në këtë mënyrë njerëz me të cilët nuk e lidhin as interesa shkencorë, as mosha e as hierarkia shoqërore. Ata janë larg prej tij dhe ca më lart se ai, prandaj një njeri me logjikë të shëndoshë nuk do t’ia lejonte vetes t’u vërsulej me egërsi e fyerje njerëzve me të cilët nuk e lidh asgjë.

Pa nisur mirë paragrafin e parë të shkrimit të tij, dom Gj. Meta na dërrmon duke na etiketuar si njerëz që “mbartin ende peshën e një kohe të kaluar komuniste”, paçka se as akad. Kristo Frashëri, as akad. Jorgo Buloja dhe as unë nuk kemi qenë komunistë. Por domi do të më thotë nesër se mund të jesh komunist edhe pa qenë anëtar partie, sepse na mat me kutin e tij, të një njeriu që bart një ideologji po aq të zezë sa ideologjia komuniste, ideologjinë e urrejtjes për atë që nuk mendon si ai. Meqë ka zbuluar se qëndrimet tona janë të njëjta, dmth. komune, ai vë në punë latinishten, duke arritur në përfundimin: commun, -is baras komunist! Dhe ku e sheh komunizmin tonë domi: në qëndrimin tonë të njëjtë për qeverinë që iku (?) apo për plagët e Akademisë? Apo këto janë vetëm preteksti për të dalë atje ku e kanë porositur të dalë: te gjuha standarde?

Duke u nisur nga përmbajtja e shkrimit të tij, unë do ta cilësoja domin si një nga servilët e pushteteve, nga ata servilë me shkollë të regjimeve që Shqipëria i ka pasur me shumicë edhe ndër radhët e klerikëve, të cilët janë fajtorë për gjithë të zezat që ka pësuar ky popull në këta njëqind vjet jete të pavarur. Domit duket se i dhemb për mazhorancën qeverisëse që na la shëndenë, sidomos edhe sepse ajo nuk ia arriti që të rishikonte historinë dhe gjuhën, sikundër e pati në plan qysh kur erdhi.

Për rishikimin e historisë nuk do të flas, sepse historianët, edhe ata që qenë në krahun e qeverisë, u përgjigjën se historia shkruhet në bazë të dokumenteve. Na ndihmoni, – thanë ata njëzëri, – të gjejmë dokumente të reja, të zbulojmë fakte të panjohura më parë, që ta shkruajmë historinë ndryshe nga ç’është shkruar duke u mbështetur në dokumentet e vjetra. Megjithatë, domi ynë u vë si detyrë studiuesve rishikimin e historisë dhe të gjuhës, edhe pas Berishës e Ramës! Madje kërcënon se “nuk mund të ketë paqe e pajtim kombëtar” pa u zgjidhur e vërteta e historisë dhe e gjuhës.

Po i përgjigjem domit për gjuhën standarde.

Sipas tij, “gjuha standard e Kongresit Drejtshkrimor” ka pasur “probleme të thella jo vetëm metodike, por edhe substancore” dhe unë qenkam një ndër pengestarët që kjo gjuhë të rishikohet. Po i them domit, që duket se nuk merr vesh nga gjuhësia dhe që shkruan si sikar për llogari të tjetërkujt, se në shkencën e planifikimit gjuhësor (të krijuar nga amerikanët, jo nga unë) flitet për vlerësim dhe rivlerësim të normave të gjuhës, po jo për rishikim të saj. Për një gjuhë që ka kapërcyer fazën e standardizimit dhe ka hyrë në fazën e kultivimit, sikurse shqipja, lind nevoja që në periudha relativisht të gjata të bëhen rivlerësime të normave të kodeve të ndryshme të standardit, rivlerësime që kanë të bëjnë me zgjidhje të veçanta dhe jo me ndryshim të kodeve. “Rishikimi” është një term me konotacione të dukshme politike, i përdorur së pari nga A. Pipa, që kërkonte prishjen e gjuhës standarde, të cilën e vlerësonte si “kolonizim gjuhësor krahinor”, pastaj më 1992, në kërkesën e së ashtuquajturës “Deklaratë të gjuhëtarëve të Shkodrës” të frymëzuar prej tij që “gjuha e njësuar letrare të rishihet” dhe, së fundi, një mercenar i sjellë në krye të QSA-së, i cili flet për “rishikim të historisë”, po për “rishikim në gjuhë”. Pra, rishikimi i gjuhës standarde (apo rishikim në gjuhë), ashtu si është kërkuar nga Pipa dhe ithtarët e tij dhe ashtu si është konceptuar në projektin aktual për drejtshkrimin të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën, do të thotë ndryshim, përmbysje e bazës së saj dialektore. Një gjë të tillë e kërkojnë njerëz me mendësi krahinore që luftojnë për “gjuhën e mëhallës” dhe që shkojnë kundër interesave mbarëkombëtarë.

Duke se edhe domi ynë i përket asaj grigje që lufton për “gjuhën e mëhallës”. Ai nuk e ka hallin te përmirësimi i kodeve të gjuhës standarde, po te ndryshimi i saj, sepse ka biografi të keqe, se është, sipas tij, “gjuha e njeriut të ri ideologjik”. Nuk e ka marrë vesh ky i mjerë, se gjuha standarde është gjuha kombëtare e shqiptarëve, ajo me të cilën kultura jonë përballet suksesshëm me gjuhët e mëdha të botës; se është gjuha në të cilën ka përkthyer Biblën në Kosovë dom Simon Filipaj dhe Kuranin Hasan Nahi e Sherif Ahmeti në Maqedoni; se është gjuha që flet arqipeshkvi i Tiranës dhe i Durrësit, imzot Rrok Mirdita? Po edhe artikullin e tij domi ynë e shkruan në gjuhën standarde! Kësaj i thonë të shash gjuhën standarde në gjuhën standarde, apo të presësh degën në të cilën ke hipur!

Më tej, domi shkruan se, me demokratizimin e jetës u kuptua “dhunimi që i ishte bërë gjuhës”, se ky demokratizim “nxori në pah se gjuha e njësuar nuk paskësh qenë gjuha e popullit, por e një pakice njerëzish” dhe se “u kuptua se në jetën e përditshme atë gjuhë nuk e fliste askush”. Domi nuk na e thotë se cila është kjo pakicë njerëzish. Prandaj po e pyes: mos ka parasysh Pipën apo kredon e njërit prej porositësve të mundshëm të shkrimit të tij se “5 milion shqiptarë nuk mund të ndjekin një milion shqiptarë, po duhet të ndodhë e kundërta”? Domi dhe porositësi për llogari të të cilit shkruan, nuk e dinë se krijimi i gjuhës standarde erdhi si nevojë për identitet kombëtar, që u ndie së pari në trojet shqiptare në ish-Jugosllavi. Le të lexojë dy artikujt e Xh. Bajronit në librin “Përzgjedhje alternativash në standardizimin e gjuhës”, që ta marrë vesh të vërtetën, nëse do ta marrë vesh!

Domi na thotë se gjuhën standarde nuk e flet askush. Nuk besoj që kjo të jetë e vërtetë as në fshatin ku shërben. Është qëndrimi i tij paragjykues që nuk e lë të kuptojë se gjuha standarde ka shtrirje mbarëkombëtare, ndërkohë që të folmet mbulojnë territore shumë-shumë të ngushta. Si gjuhë e shkruar, ajo është e vetmja që përdoret në të gjitha trojet shqiptare (po të përjashtojmë këtu eksperimentet e A. Ndrecës). Kurse në të folur ajo del si gjuhë e vetme për zona e shtresa të tëra të popullsisë, sidomos të qyteteve; për një masë tjetër folësish ajo është gjuhë e parë, krahas së folmes vendore që këta përdorin në mjedisin familjar e në rrethin e ngushtë shoqëror; më në fund, ka edhe një masë folësish, të cilët si gjuhë të parë kanë të folmen lokale, por standardin e njohin në mënyrë pasive, për shkak librave e gazetave, të radios e televizionit dhe të përballjes me institucionet e organizatat shtetërore apo shoqërore. A ka gjetur domi ndonjë familje fshatare që jeton si në mesjetë, pa radio e pa televizor? Nëse po, pjesëtarët e saj do të jenë të vetmit që nuk e kuptojnë gjuhën standarde. Edhe domi do të bënte mirë të predikonte me shqipen e Biblës, ashtu si eprorët e tij! Se ashtu do të kthehet nga një patriot krahinor në një shërbëtor të kombit!

Dhe, duke e mbyllur, edhe diçka të fundit. Porositësit e kanë informuar gabim domin se R. Memushaj është kundër ndryshimeve. Nëse është intelektual me interesa të gjera sikundër mëton, të mos bëhet tellall i të tjerëve, po të hapë revistat gjuhësore shqip. Aty do të gjejë propozimet e mia që nga 1986 për përmirësime të normës drejtshkrimore e morfologjike; ose, për të mos u lodhur, të lexojë librat e mi për problemet e gjuhës standarde; të blejë edhe “Fjalorin drejtshkrimor” të Dhrimo–Memushaj, se atje i ka të shkruara me të kuqe propozimet tona për ndryshime të drejtshkrimit. Ne jemi për përmirësime të normës drejtshkrimore, po kundër përmbysjes së bazës së gjuhës standarde, edhe sikur qëndresa jonë të rrezikojë paqen e pajtimin me një grusht provincialësh që luftojnë për “gjuhën e mëhallës”.  Dhe ndajmë të njëjtin mendim me prof. R. Qosen “se të gjithë ata që nuk e pranojnë këtë gjuhë sot do ta humbin betejën, ashtu siç i kanë humbur gjithmonë betejat ata që të mirën e tërësishme kanë dashur ta zëvendësojnë me të mirë të pjesshme, ata që të mirën kombëtare kanë dashur ta zëvendësojnë me të mirën krahinore, ata që të mirën për të gjithë kanë dashur ta zëvendësojnë me të mirën vetëm për disa”.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.