Dita e Kiametit apo Dita e Shpëtimit

Postuar në 09 Prill, 2013 07:53

Nuk janë dy të këqija, por një e mirë e madhe për Serbinë, por edhe për Kosovën dhe për gjithë rajonin, dhe një e keqe e madhe, e cila sërish, me një autorësi të qartë të Beogradit, do të shfaqej si një kërcënim i ri për stabilitetin në Kosovë dhe në këtë pjesë të Ballkanit.

 

Fillon citati: ‘Në Kryesinë e Serbisë, sot pasdite (të premten, 5 prill), janë mbajtur konsultimet e Presidentit Nikoliq, Kryeministrit Ivica Daçiq dhe Zëvendëskryeministrit Aleksandar Vuçiq. Në ndërkohë, Kryeministri në mbledhjen e Qeverisë së Serbisë ka informuar ministrat për dialogun me Prishtinën, e pastaj i është bashkangjitur Nikoliqit dhe Vuçiqit. Përndryshe, Qeveria (e Serbisë), ka marrë vendimin për formimin e organeve të përkohshme në komunat e Gjakovës, Deçanit, Klinës, Prizrenit, Ferizajt, Podujevës, Gllogocit, Kaçanikut, Shtimes dhe Suharekës. Organet e përkohshme do të ushtrojnë detyrat që dalin nga kompetencat e kuvendit dhe të organeve ekzekutive në këto komuna në hapësirën e Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë, theksohet në komunikatën e Zyrës së Qeverisë për bashkëpunim me media.’ Përfundon citati.

Mbase, me këto dy-tri fjali që janë shfaqur në portalet e të gjitha mediave serbe, të premten e shkuar, sipërfaqësohet i gjithë absurdi që tutje mbizotëron në politikën zyrtare të Serbisë, e cila përndryshe, pas takimit të fundit të Delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë në Bruksel, me 2 prill, është zaptuar nga parashikimet për Ditën e Kiametit, e cila do të ndodhë më 9 prill.

Por le të pres edhe pak kjo puna e Ditës së Kiametit.

Në këtë Komunikatën tragji-komike të autoriteteve më të larta të Serbisë, ngërthehen dy ngjarje të cilat janë krejtësisht kundërthënëse, përjashtuese, paradoksale, në fakt.

Në njërën anë, synohet të krijohet një dramaticitet i paparë viteve të fundit në opinionin publik në Serbi, i cili provon (siç po theksohet prej vetë analistëve të esëllt serbë), t’ia kalojë me popullaritet reality show-ëve, tej mase të shikuar në Serbi javëve të mbrama.

Në anën tjetër, prej të njëjtit lidership, na vjen vendimi që ka të bëjë me komunat në ‘Krahinën autonome të Kosovës dhe Metohisë’.

Të plasë gazi kur e lexon këtë vendim të Qeverisë së Serbisë. E pastaj, të fuqizohet bindja që zyrtarët më të lartë të Serbisë, nuk e kanë ndërmend të mbushen mend, apo, madje, i bien në qafë vetes dhe deklaratave të tyre publike të muajve të fundit, të cilat goxha shumë i janë afruar realitetit në Kosovë.

Kosova një kohë të gjatë, ka qenë tragjedi. Për ne, shqiptarët e Kosovës. Tash është bërë farsë. Për politikanët kryesorë të Serbisë.

Ata pra, të cilët bëjnë be dhe rrëfe që nuk e kanë ndërmend të kthehen në histori, duket që kanë vendosë ta marrin atë mostrën mitologjike të vitit 1389 (Zëvendëskryeministri Vuçiq ishte i pari që e bëri këtë para një jave), dhe ta kontekstualizojnë atë në rrethanat krejtësisht të reja, të vitit 2013.

E pra, te dy variantet janë shumë të këqija, aq të këqija, sa mendja të shkon që shoqëria serbe, përndryshe në borxh deri në fyt, pa kurrfarë mundësie të zgjedhjes, pa asfarë alternative (pos asaj që të dërgon në BE), do të përballet me atë Fundin e Botës të 12.12.12, por kësaj radhe, më 9 prill të vitit 2013.

Te dy zgjedhjet pra, janë shumë të këqija, dhe vetëm nuancat i dallojnë.

Sipas të parës, (zgjedhje shumë të keqe), Serbia merret vesh me Kosovën për t’i normalizuar marrëdhëniet (për ta nisë në fakt këtë ndërmarrje që do të merr kohë, gjithsesi), për të heq dorë nga prania e saj në veri të Kosovës, duke mos humbë aspak të drejtën për tu interesuar për serbët në Kosovë dhe për t’i ndihmuar ata, për të marrë datën për fillimin e bisedimeve për integrimin në BE që do t’i sjell Serbisë miliarda Euro ndihmë, për t’i hapë vetes perspektivën e të qenit anëtar i Bashkimit Evropian.

Sipas të dytës, (zgjedhje shumë e keqe), Serbia i humbë të gjitha ato që do të mund t’i fitonte sipas opsionit të parë, zhagitë për së paku dy vjet mundësinë e marrjes së datës nga BE-ja, ndërsa nuk i hiqet barra e domosdoshmërisë së largimit, me strukturat e saja të sigurisë, nga Veriu i Kosovës, sepse diç e tillë është jo vetëm në kundërshti me Kushtetutën e Kosovës, por edhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1999), dhe me konkluzat e Këshillit të Ministrave të BE-së (2012).

Kur të lexohen një herë, dy herë, qindra herë këto dy variante me të cilat po ballafaqohet udhëheqësia e Serbisë ditëve të fundit karshi Epilogut të paralajmëruar nga Catherine Ashton, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, është lehtë, fare lehtë, qindra herë lehtë të mbërrihet tek konkludimi i duhur dhe krejtësisht racional se çfarë do të duhej bërë. Aq më shumë kur vetë prijësit serbë, pa ja nda po përsërisin që çfarë ka ofruar Ashton në Bruksel është qëndrim i unifikuar i gjithë Perëndimit.

Pra, nuk janë dy të këqija, por një e mirë e madhe për Serbinë, por edhe për Kosovën dhe për të gjithë rajonin, dhe një e keqe e madhe, e cila sërish, me një autorësi të qartë të Beogradit, do të shfaqej si një kërcënim i ri për stabilitetin edhe ashtu të brishtë në Kosovë dhe në këtë pjesë të Ballkanit.

E tëra do të merret vesh shumë shpejt, sepse më Beogradi zyrtar nuk mund të zhagisë më vendimin e tij për Propozimin e Baroneshës Ashton.

Por me qasjen që ka mbizotëruar ditëve të fundit në Beograd, në qarqet më të larta politike, qytetarët e Serbisë janë dërrmuar, janë sjellë në një situatë të frustrimit të skajshëm, i cili do t’i bëjë ata humbës në të dy variantet, gjë që nuk është aspak e vërtetë.

Me këtë qasje, do të jetë e pritshme, edhe nëse Beogradi pranon (më në fund) Marrëveshjen, që do të ‘ndodhë populli’ në Veri të Kosovës (i organizuar prej vetë Beogradit), në kundërshtim të vendimit të udhëheqësisë së Serbisë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.