Demokracia e fishekut të bravës së çelësit

Postuar në 05 Maj, 2013 05:13

Koha që po jetojmë, çdo ditë e më shumë po na përplas në fytyrë lloj-lloj imazhesh dhe Tirana është kthyer në një teatër absurd ku personazhet ngatërrohen me lloj-lloj karikaturash groteske. Ende pa u shuar jehona e “semiotikës së leshit”, në vend u prodhua një mit tjetër, “miti i veshit” dhe ende pa u shuar jehona e këtij rrëfimi grotesk, publikut iu përplas në fytyrë apo iu ngjesh në surrat një fotografi tjetër, ajo e karikaturës së demokracisë sonë. Kjo është brava e çelësit, më shkoqur akoma, fisheku i bravës së çelësit. Në qoftë se për një çast demokracinë do ta përfytyronim si një vend ku ndodhet një sallë me poltrona e me dosje ligjesh dhe me një portë të hijshme e hijerëndë, atëherë, pushteti ynë, i neve votuesve, në mënyrë metaforike, është çelësi që ne i japim në dorë të zgjedhurve tanë që ata të hyjnë në këtë sallë për të gëzuar privilegjet dhe për të përmbushur detyrat e qeverisjes sonë. Mirëpo, në Shqipëri, ai që merr çelësat e qeverisjes mund të bëjë ç’të dojë me portën, me bravën dhe me fishekun. Ai që merr çelësin e kësaj porte i jep të drejtë vetes që ta privatizojë atë portë dhe të mos llogarisë më pushtetin e zgjedhësve. Konkretisht çfarë ka ndodhur? Në një vend normal demokratik, sapo LSI-ja u largua nga qeveria, vendi do të duhej të ishte futur menjëherë në zgjedhje të parakohshme. Pse? Sepse vullneti i popullit nuk i përgjigjej më kompozicionit qeverisës. Një qeveri serioze demokratike dhe transparente do të shpallte zgjedhjet për të verifikuar edhe një herë vullnetin e popullit, pra do t’ia kthente çelësin e demokracisë popullit dhe do t’ia linte atij në dorë që, pas votimeve, ai t’ia dorëzonte fituesit. Mirëpo ne qeverisemi nga një bandë hajdutësh, që është më kriminale edhe se klika e diktaturës së Enver Hoxhës, sepse nuk është e sinqertë. Enver Hoxha e kishte shpallur veten diktator dhe kishte miratuar ligje që nuk ia cenonin pushtetin e tij. Cilido që do të guxonte, do të shkohej në hell. Ndërsa demokratura e karikaturës së Enver Hoxhës, qeveria e sotme, nuk është e sinqertë. Në thelb ajo sillet si diktatura komuniste dhe në formë ruan etiketën demokratike me institucione pa asnjë peshë dhe bosh. Sot Parlamenti i Shqipërisë është kthyer si Kuvendi Popullor i kohës së komunizmit, sepse aty miratohen pa debat ligjet antipopullore që do ish-sekretari i Partisë së Punës, Berisha. Presidenca është njësoj si Presidiumi i Kuvendit Popullor sepse aty dekretohen të gjitha vullnetet e mbrapshta të ish-sekretarit të Partisë së Punës, Sali Berisha. Tani në fund u pa që edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës u shndërrua në kryetar të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës dhe zbaton porositë e ish-sekretarit të Partisë së Punës, Sali Berisha. Edhe Bashkia e Tiranës, pas daljes së LSI-së nga koalicioni, duhet të kishte shpërndarë Këshillin Bashkiak dhe t’u drejtohej zgjedhësve, pra t’ia dorëzonte çelësin e bashkisë popullit të Tiranës dhe ata të verifikonin edhe një herë përmes zgjedhjeve mandatin apo mandatet qeverisëse. Mirëpo jo vetëm që nuk ndodhi kjo, por ndodhi gjëja më e pështirë që mund të imagjinohet. Kryetari i Bashkisë ndërron fishekun e bravës së çelësit dhe nxjerr jashtë të zgjedhurit e Bashkisë. Dua t’i pyes ata intelektualët që i rreshtonte Luli nëpër salla mbledhjesh si ca konviktorë të gjorë se ku shkoi fytyra e re që po i vinte Tiranës? Si mund të heshtni ju, zotërinj, kur ky Luli me shalë të gjata siç thotë një ish-drejtor i TVSH-së që i mori 5000 euro Lazlos së Paktit të Stabilitetit, ndërron fishekun e bravës së çelësit, bën pra një akt të shëmtuar njësoj si një hajdut ordiner që hap dyert e pallateve apo të vilave për të vjedhur. Ky njeri që ka marrë peng demokracinë do të duhet të largohet urgjentisht që aty dhe në qoftë se është me të vërtetë ashtu siç e mbanin intelektualët që ai i rreshtonte dhe u bënte zbor si ata konviktorët e gjorë, ky, pra, Luli me shalë të gjata, siç i thotë ai që përmenda më sipër, duhet të dorëzojë çelësin dhe jo të ndërrojë bravën. Mirëpo brava dhe fisheku që u ndërrua në mesnatë janë një shenjë e keqe dhe një parathënie e trishtë për zgjedhjet që po vijnë. Opozita duhet ta dijë dhe të përgatitet se Berisha nuk e dorëzon çelësin e pushtetit. Ai qysh tani po mendon që të ndërrojë bravat dhe të shfytyrojë godinën e demokracisë shqiptare. Pas kësaj, ai, ashtu siç deklaron Kosovrasti, do t’i drejtohet gjykatës dhe do ta shpallë opozitën fajtore pse mori pushtetin dhe i gjeti dyert mbyllur.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.