Brazili, Papa Bergoglio dhe të rinjtë

Postuar në 29 Korrik, 2013 04:09

Brazili i futbollit spektakolar, i pyllit amazonik, mushkëria e botës, por edhe i Favela-ve të varfëra e i gradaçielave të larta, për pak ditë është bërë edhe vendi i mbledhjes së të rinjve katolikë nga e gjithë bota për kremtimin e Ditës Botërore të Rinisë. Brazili është ndër ato toka e realitete të sfidave të mëdha bashkëkohore. Sikurse, pak a shumë, krejt Amerika Latine, Brazili është pikëtakimi i paradokseve të mëdha. Edhe për Kishën katolike ky realitet paraqet sfida të veçanta. Freskia e besimit që vjen nga këto vende të krishtera është një gurrë e gjallë për ripërtëritjen e besimit në ato vende që, si Europa, ia kanë dorëzuar harresës vlerat që burojnë nga një marrdhënie e gjallë me të përtejmen. Në të njëjtën kohë sfida e Kishës në ato zona ka qenë edhe përballja me problemin e varfërisë, e sidomos të shfrytëzimit të egër që vinte nga pronarët e mëdhenj, diktaturat ushtarake të djathta e të majta etj. Në mënyrën e saj, Kisha u është përgjigjur këtyre sfidave, por edhe këto përgjigje kanë qenë një sfidë për vetë Kishën, sidomos e ashtuquajtura Teologjia e Çlirimit, që në disa raste ka kërkuar edhe ndërhyrjen e autoritetit kishtar për ngjyrimet e qarta marksiste që ajo kishte marrë në disa degëzime të saj.

Po në këto ditë në tokën braziliane ka zbritur edhe papa Bergoglio për t’u takuar me të rinjtë.  Kjo ditë tashmë ka marrë një përmasë planetare, pasi aty shkojnë të rinj nga e gjithë bota, e sigurisht edhe nga Shqipëria jonë. Një ngjarje e tillë nuk mund të lërë indiferentë askend, e në fakt është në fokus të medias botërore prej ditësh. Brazili këtë vit ka shumë gjëra të veçanta për kremtimin e kësaj dite. Është ndër vendet me numrin më të madh të katolikëve në botë, pasi ka edhe një popullsi e shtrirje të madhe, por gjithashtu është ndër ekonomitë botërore dhe potencialet njerëzore më të mëdha të globit. Gjithashtu, Brazili ka edhe varfëri e situata ekzistenciale të rënda për kohën që jetojmë. Vetëm para pak javësh qemë dëshmitarë të protestave të shumta në Brazil. Prania e Papës, i cili udhëtimin e tij të parë jashtë Italisë e bën në tokën e Amerikës Latine, tokën e tij, ka një domethënie të shumfishtë. Ai rikthehet në tokën e tij, në kontinentin nga i cili erdhi për t’u zgjedhur Papë. Kontinenti amerikano-latin sot paraqet shumë sfida për realitetin global, por mbi të gjitha për katolikët është kthyer në planetin ku krishtërimi ka shtrirjen më të madhe, dhe sigurisht numrin më të madh të katolikëve të përqendruar në një kontinent të vetëm. Kursi i papnimit të Bergoglio-s u duk qartë këto ditë kur ai u është drejtuar të fuqishmëve të botës për drejtësi dhe për zhvillim të të gjithë popujve, por sidomos për promovimin e të rinjëve dhe krijimin për ta të hapësirave në të cilat të zhvillojnë potencialin e tyre për ndërtimin e të ardhmes.

Ndër shumë fjalë që këto ditë Papa Françesku ka thënë në Brazil, më kanë tërhequr vëmendjen ato të dala prej gojës së tij në fjalimin përshëndetës sapo ka mbërritur në tokën braziliane. Janë fjalë që ngacmojnë ndërgjegjet dhe apelojnë për një riformatim të qasjes ndaj botës rinore. Një botë rinore që, sigurisht, ka sot më shumë mundësi, por që në të vërtetë ka nevojë urgjente për piketa orientimi e për ndihmë.

““Bijtë janë si bebja e syrit”, sa e bukur kjo shprehje e urtisë braziliane që u mvesh të rinjve shëmbëllimin e bebes së syrit, dritarja nëpër të cilën drita hyn brenda nesh duke na dhuruar mrekullinë e të shikuarit…Çfarë do të ndodhë me ne nëse nuk kujdesemi për sytë tanë? Si mund të ecim përpara? Urimi im është që në këtë javë secili prej nesh ta lejojë veten të preket nga kjo pyetje ngacmuese”.

Duke karahasuar rininë me beben e syrit, Papa thekson se “Rinia është dritarja nëpër të cilën hyn e ardhmja në botë…”. Në kohë të tjera rinisë i ofroheshin ndosha më shumë ideale, shpesh ndoshta edhe të gabuara, por ishin ideale. Vitet ‘60-‘70 në kontinentin europian, më pas edhe më gjerë, ofruan të tjera gjëra që duke dashur të kujdeseshin me të drejtë për mirëqenien e momentit, të së tashmes, humbinin nga syri ndërtimin e një të ardhmeje. E ardhmja u përket të rinjve, jo vetëm sepse ata do të jetojnë më shumë, por ata me energjitë e tyre duhet ta ndërtojnë atë dita-ditës. Për këtë arsye ata kanë nevojë që dikush t’u tregojë rrugën, të kanalizojë energjitë e tyre në shërbim të së ardhmes së përbashkët të njerëzimit. Dhe të rriturve Papa u thotë disa fjalë që më duken fjalë “magjike” për qasjen ndaj të rinjve. Hapësirë: Së pari t’u krijojmë atyre hapësira. Shpesh hapësirat, të zëna nga interesa të ngushta të momentit, pushtetit apo urrejtjes, mbeten peng i “të rriturve”. E këta të fundit abuzojnë e manipulojnë sa herë u preken këto interesa. Zhvillim i plotë: të rinjtë kanë nevojë, thotë Papa Françesku, për kushte materiale e shpirtërore. Të dyja, pa njëra tjetrën nuk kanë qëndrueshmëri. Në fakt sa kushte materiale sot u krijohen të rinjve për të ecur përpara? Por edhe atëherë kur u krijohen, ato kthehen shpesh në vrastare për ta pasi nuk i edukojnë me sensin e punës e të fitimit të diçkaje me djersë. Nevoja e edukimit me anë të punës dhe jo e fitimit të lehtë ndjehet, sidomos midis prindërve të pasur, të quajtuar ndyshe “pasanikët e rinj”. Vlera të përhershme: jo vlera që vetëm shiten për të tilla, por në të vërtetë nuk qëndrojnë në kohë dhe janë vetëm mbulesa epidermike të dëshirës për të vënë në qendër veteveten, idhujtaria e përnjimendttë e kohës tonë. Vlerat e përhershme, ato që gjenden në natyrën njerëzore, në arsyen e shëndoshë të njeriut, nuk fitohen vetëm në libra, në konferenca moralistike, por me shembullin që të rriturit duhet t’u japin të rinjve. Shembulli, dëshmia është laboratori më i mirë ku të rinjtë mësojnë vlerat e përhershme, ato që kanë themel të palëkundshëm. Horizont i përtejmë: të gjitha ato që thamë nuk kanë një kuptim pa këtë horizont të përtejmë. Në përgjithësi i riu është një kërkues i Zotit dhe në moshë të re zë folenë në zemrën e një njeriu besimi apo mosbesimi në Zotin. Ne shqiptarët, në të kaluarën tonë, pamë se si pikërisht puna me rininë bëri që Shqipëria të shpallej një vend ateist, e me të rinjtë u prishën objektet e kultit. Por, pikërisht ata të rinj sot, të bërë të vjetër, të manipuluar në ndërgjegjen e tyre religjioze, kanë vështirësi të pranojnë dështimin e një premtimi të këtejmë për jetën e tyre dhe të tjerëve. Pa këtë horizont të përtejmë gjithçka humb qëndrueshmëri e kthehet në byk që e merr era. Pikërisht ky horizont i përtejmë garanton te të rinjtë përgjigjen ndaj “…etjes së tyre, lumturisë autentike dhe krijimtarisë” rinore. E së fundmi, të gjitha këto do të zgjojnë te të rinjtë potencialet e tyre për ndërtimin e një bote ndryshe. “Njeriu mund të ndryshojë, realiteti mund të ndryshojë” – thotë Françesku, prandaj edhe të rinjtë të mbështetur në fuqitë e tyre më të mira mund ta ndryshojnë këtë realitetin tonë e mund ta bëjnë më të mirë. Prandaj Papa, pa frikë u drejtohet të pushtetshmëve të botës që të heqin dorë nga dëshirat dhe ambiciet e tyre hegjemonike mbi botën, por të hapin mundësi për të gjithë. Më kujtohen fjalët e largëta në kohë, por jo në vërtetësi, të Gjon Palit II i cili i bënte thirrje vendeve dhe shteteve të hapnin sistemet e tyre ekonomike dhe politike. Edhe sot më shumë se kurrë jemi përgjegjës para Zotit e para njerëzve të gjithë, sidomos ata që kanë në dorë udhëheqjen e shteteve të hapin sistemet e tyre në Lindje e në Perëndim. Po ashtu të jenë luftëtarë kundër së keqes së papunësisë, etjes dhe urisë, shfrytëzimit të lëndës së parë nga vendet e pasura, monopolin mbi pasuritë e tokës, armatimin, krijimin e një hapësire për të gjithë sidomos për të rinjtë. Sigurisht do doja, edhe në këtë vendin tonë, një dinamikë zhvillimi më të mirë për të rinjtë, për t’u dhënë atyre mundësi, por sidomos për të pasur besim te ata. Të vjen keq ndonjëherë të shohësh të rinj pleq që nuk janë të lodhur nga puna apo mundimi, por nga një sistem i ngërthyer në konfliktualitet dhe urrjetje deri patologjike. Ne na duhet urgjentisht të stimulojmë te i riu shqiptar dëshirat më të bukura që gjenden të mbjella brenda tij e presin vetëm të lulëzojnë, pasi të hiqen ferrat që shpesh të rriturit mbjellin në tokën e tyre të dlirtë.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.