Boooll! Mjaaaaft!

Postuar në 18 Shtator, 2013 05:53

Trumpetat e një krahu politik, ka ditë që kanë lajmëruar me pikëllim se në fuqi erdhën bllokmenë të rinj. Tjetër: një deputet i caktuar të jetë i dyti i Kuvendit shënon se në Shqipëri filloi diktatura!… Të përkthyera mirë, me aq sa dijmë njërën nga dy gjuhët tona politike, deputeti njofton se koha e artë e demokracisë në Shqipëri mbaroi!

Dhe, besoj jo vetëm mua, më vjen dëshira të këlthas: Boooll! Mjaaaaft!

*     *     *

Para katër muajsh, në skenën e Fierit, regjisori Leka Bungo, kolegu dhe miku im, me të cilin kemi ndarë fatet në shumë vise të këtij rruzulli, trupëzoi në skenë një pjesën time teatrale. Shfaqja u dha, me sallën plot, shumë herë, dymbëdhjetë nga të cilat unë i pashë nga plateja, nga prapaskenat dhe llozhat në Bylis dhe në Teatrin Kombëtar.

Qe një projekti im i vjetër me temën e ndërrimit të qiejve politiko-shoqërorë në fillim të viteve ‘90. Ngjarjet zhvilloheshin në një nga tonat përfaqësi diplomatike, ku vinte një ambasador i ri. Ai gjente aty një mjedis allasoj me punonjës të vjetër, caktuar nga koha e diktaturës, por që po zëvendësoheshin hap pas hapi me diplomatë pa lidhje me strukturat e vjetra enveriste.

Nuk do të tregoj tërë suzhetin. Nuk është teatri tema e shkrimit tim, por do të ndalem vetëm te një nga episodet e shfaqjes.

Titullari i ri shkel në selinë e përfaqësisë ku, siç qe bërë e udhës ishte ndërtesë që përmbante edhe zyrat edhe banesat e stafit. Atë ditë një Sigurims që pat shërbyer në këtë ambasadë nën vellon e një atasheu kulturor, po bëhet gati të kthehet në atdhe. Ambasadori i ri në radhën e pritjes për njohje, e takon edhe këtë anëtar të ekipit. Gjithsesi titullari tregohet mjaft i sjellshëm edhe me të. Punonjësi i Sigurimit e mirëkuptonte këtë “ndërrim gjaku”. Ai i shfaq ambasadorit të vetmen brengë që kishte: vajza e tij gjimnaziste, pat fituar çmimin më të lartë për nxënës të huaj në zotërimin e gjuhës vendase. Sipas një regulli të vjetër, në fund të vitit shkollor, Presidenti i atij vendi i akordonte shkollarit të huaj një bursë të posaçme presidenciale, që përbënte një shumë për t’u patur zili nga tërë shkollarët e botës. Prindërit e vajzës mallkonin fatin që vajza e talentuar do të duhej të kthehej me ta në atdhe. Ata nuk mund ta linin dot vajzën e parritur vetëm në këtë vend të huaj edhe disa muaj të tjerë, deri sa të plotësohej viti shkollor. Ambasadori shfaq përgëzimet e tij të sinqerta për vajzën dhe me keqardhje, dëgjon se një koleg i vjetër i babait, që mbetej aty nuk kishte pranuar t’ia mbante adoleshenten deri në mbyllje të vitit. Edhe nja dy të afërm nuk patën pranuar ta bënin këtë. Dukej që stazhi në Sigurim i prishte punë këtij babai. Për habinë e gjithë stafit (dhe të Ministrisë së Jashtme në Tiranë kur u muar vesh), vajzën me rezultate të shkëlqyera e mbajti çifti i ri ambasadorial. Burrë e grua e bënë vajzën pjesë të familjes në apartamentin e tyre brenda godinës shtetërore të ambasadës! I mësuar me luftën e egër shumëvjeçare të klasave që kish praktikuar edhe vetë, babai e merr këtë mirësi si një goditje të beftë rrufeje. Mbetet i mekur nga mbingarkesat emocionale. Natyrisht e le vajzën nën kujdesin e ambasadorit dhe zonjës së tij thellësisht mirënjohës nga ky shembull i rrallë.

Episodi skenik ishte punuar bukur nga regjisori dhe luhej mjaft mirë nga aktorët. Publiku e ndiqte dialogun me një vëmendje të ndezur brenda një heshtje të përgjithshme, gati të shenjtë, nga ato heshtjet e rralla që janë më të bukura se ovacionet, apo zhurmërimet e bujshme.

Në ato dymbëdhjetë shfaqje, herë nga të çarat e perdeve dhe herë që nga llozhat afër skenës, unë shikoja qindrat e fytyrave të spektatorëve që mbushnin sallën. Ishin fytyra të ndriçuara nga refleksi që u vinte përballë, nga goja e skenës. Tek luhej oferta e papritur e ambasadorit  për këtë nxënëse të shquar, bijë e një babai që pat punuar në një pozicion “klasor” (më falni huazimin e një termi të ndyrë), unë shikoja qindra dhe qindra sy ku ia behnin dhe buisnin  lotët. Emocione të shëndetshme pushtonin sallën. Spektatorët miratonin gjestin fisnik të shefit të ri, këtij njeriu të ardhur nga një planet i panjohur deri atëherë.

E kishin miratuar atë gjest artistët me lojën e tyre të ndjerë. Edhe unë si autor, natyrisht, e pëlqeja fort, pa dhe e pata shkruar. Mbase është e tepërt të them se unë vetë kam kaluar vite në përfaqësitë tona, si sekretar në Bonn dhe titullar në Nju Jork, ku në të vërtetë kjo ngjarje nuk ka ndodhur. Dhe sidomos nuk më ka ndodhur mua. Është thjesht frut i imagjinatës së një dramaturgu. Por po të më paraqitej ai rast hipotetik, do ta bëja. Shkrimtarët kanë kënaqësinë të jetojnë përveç jetës së tyre, edhe shumë jetë të tjera që i ëndërrojnë dhe njësohen me heronj, me mirëbërës, me therrorë. I krijojnë me shumicë bëmat fisnike që në jetë për fat të keq, ngjasin rrallë.

Pra unë do ta bëja. Mua më ka neveritur dhe vazhdon të më neverisë lufta e zgjatur klasore që brren marrëdhëniet njerëzore në vendin tim.

E kam drejt, Sali Berisha? A ke rast të ma lexosh këtë pyetje? E kam drejt,  apo ty nuk të pëlqen tek të tërheq e të atakoj në këtë temë!

Kjo hyrje e gjatë është për ty, për njeriun që tërë jetën këtë luftë e ka zhvilluar, e ka shfrytëzuar dhe sidomos po përpiqet ta mbajë të gjallë edhe sot. Nuk ka rreshtur kurrë lufta jote e shëmtuar. Edhe sot pas 23 vjetësh bateritë e tua të artilerisë klasore vjellin zjarr. Por është një zjarr i pabesë dhe i shtirur. Ti shan hipokrizisht Enverin, Byronë, Bllokun, “etërit”. Arsenali yt i termave mashtruese rreh të krijojë një mjedis të preferuar, rreh të ushqejë mendje të mësuara me këtë luftë famëkeqe.

Boll! Mjaaaft, Sali Berisha! Ti po i ve një emër të vjetër luftës tënde reale. Ti  quan luftë klasore të shqiptarëve, luftën tënde të egër për pushtet.

Por ti e ke humbur këtë luftë njëherë e përgjithmonë. Ti, qesharakërisht, po  gjëmon me shumë vonesë kundër bllokmenëve. Dhe po gjëmon më shumë akoma tani, kur sheh që të gjithë ata, bllokmenët e vërtetë, janë degdisur në botën tjetër duke dhënë frymën e fundit paqësisht, me kokat mbi jastëkët me pupla. Asnjëri syresh nuk u nxuar para grykave të armëve, si në skenarët që ata patën realizuar për gjysmë shekulli me kundërshtarët e natyrshëm dhe me shokët e  maleve partizane. Ti u kujdese që bllokmenëve të mos u prekej qimja, se e tillë qe detyra që të vunë ata vetë, në kohën e frikshme të ndërrimit të qiejve. Nuk mund të jenë tani më të urryer se ata, këta “bllokmenët e tu të rinj” pa asnjë mëkat parahistorik. Por, ama, ti ke të drejtë që i urren dhe i lufton. Ne të kuptojmë: këta errësuan dhe po shuajnë djellin tënd.

A kam të drejtë? Këtë herë ju drejtohem juve, zotërinj që bëni pjesë në organizma dhe shoqata të të përndjekurve? Me respekt për të kaluarën tuaj – dhe të prindërve tuaj – prapa hekurave, me drojen se ju lëndoj me mospëlqimin tim të ca thirrjeve që i drejtonit kryeministrit të ri, kur ai ende nuk ish zyrtarisht në postin e tij. Dhe nxitoj t’ju parathem, se respekti im për ju nuk do të dobësohet aspak, edhe pasi të kem shprehur mosaprovimin tim për klimën e deklarimit të kërkesave tuaja.

Nuk ma do mendja që ka ndodhur kështu, por duken si ca ultimatume të prerë dhe të vendosur, si të hartuar në kanceleritë e kryeministrit të përmbysur. Nuk kam parë në shtyp, gjatë këtyre tetë vjetëve që lamë, letra me kërkesa ultimative, si këto që paraqitët ju. Nuk kam mundur të shoh – ndoshta nga largësia ku jam dhe me ngut lyp ndjesë, po qe se gabohem- as një letër të tillë adresuar Fatos Nanos. Dhe tani ia drejtoni Ramës! I kërkoni atij të lypë falje për krimet e komunizmit, atij, intelektualit liberal antikomunist, kryetar i një partie që ju vazhdoni ta përcaktoni “komuniste”! Dhe nuk e keni shfaqur këtë vendosmëri në kërkesat ndaj dy komunistëve të njohur botërisht, që thonin se udhëhiqnin “parti demokratike”! (Është temë më vete ajo që pas kaqë vitesh ne nuk u marrim partive kampionët nga venat në epruveta, për t’u parë sa u janë pakësuar apo rritur ndotjet komuniste në gjak).

Me lejën tuaj miq, dua t’ju kujtoj se Nano dhe Berisha, të ngarkuarit e Ramiz Alisë për udhëheqjen e tranzicionit postpunist, kanë hequr maskat dhe janë bërë bashkë, si atëherë, kur morën misionet mashtruese historike. E pra, le të theksojmë me kënaqësi se Rama i mposhti që të dy këta misionarë të zinj. Më parë asgjësoi ushunjëzën Nano dhe tani poshtëroi me vota figurën e urryer të gjaksorit Berisha. Rama dhe Meta ishin dhe janë njerëzit e paparashikuar në kornizat e skemave hoxhisto-ramiziste dhe prandaj sot në ajrin shqiptar ndihet një drithërimë e re. Me të drejtë ky është një cak kohor, që zoti Arvizu, i dërguar i SHBA-ve e krahasoi me atë cakun tjetër të paharruar të vitit 1992. Kjo përqasje u gjithëpranua. Prandaj i dogji aq shumë mjedisit demokratikas krahasimi i të shumërespektuarit ambasador.

Ju i kërkoni qeverisë së re “komuniste” që të shlyejë brenda dy vjetësh detyrimet financiare ndaj të përndjekurve. Nuk ia kërkuat kështu qeverisë “antikomuniste” të “premtimeve të mbajtura” që ju dha solemnisht zotimin se do t’i shlyente brenda tetë vjetëve. Tetë vjetët e saj të begatë, nga dhjetë këstet, nuk i mjaftuan të shlyente as këstin e dytë! Një frazë do të doja të veçoja, atë të shqiptuarën nga miku im i shumëvuajtur, Reshat Kripa, kur kërkon që këtë shlyerje të stërzgjatur ta bëjë Rama: “Në rast se do të jeni ju, i nderuar kryeministër i ardhshëm, kjo do të ishte një përmbysje e mentalitetit që ka ekzistuar deri më sot se vetëm e djathta mund të jetë e aftë të zgjidhë çështjet e të përndjekurve politkë.”

Një keqardhje e thellë më pushton kur shoh të manipuluar politikisht dhe nuk lartësohet në qiellin që meriton, flakadani njerëzor i Lirak Bejkos. Ne nderojmë Jan Palakun, të riun çek që i vuri flakën vetes në një shesh të Pragës, kurse dyanësitë politike i krijojnë turbullirë aktit madhor të Bejkos tonë. Lirak Bejko vërtet nuk vdiq si Palaku duke kërkuar lirinë, por flaka e shtatit të tij ndriçoi një megapërbuzje, demaskoi një megashpërdorim përkrahësish, bëri dritë mbi një megamashtrim të shtresës që është piedestali ku kacafyten të hipin dhe të ngrijnë në pozim, ca monumente që na caktoi ai blloku për të cilin po flasim. Por ndjej se ju jeni shumë të ndarë edhe në gjykimin e vlerave të atij gjesti që flakëroi në mes të Tiranës.

Mirë, pra. Unë sinqerisht bie dakord me ju në të tëra kërkesat drejtuar Edi Ramës. Edhe shlyerjet të bëhen, edhe dosjet të hapen! Për mua, zoti Rama le ta shikojë të arsyeshme të kërkojë edhe ndjesën që i rekomandoni ju për tërë të zezat e regjimit të Enver Hoxhës. Krahasim i goditur, ai me Papën e Romës, që dënoi dhe kërkoi ndjesë për inkuzicionin e mesjetës. Është më mirë kur kërkon ndjesë për faje që personalisht nuk të përkasin. Berisha përshembull këtë nuk e bënte dot kurrë se kishte boll faje vetjake në tri të katërtat e jetës. Dhe ju prandaj nuk ia bëtë këtë kërkesë atij!

Paraqitët kërkesa të drejta, po mund të paraqitnit akoma edhe ca kërkesa të tjera. Po si, more miqtë e mi, nuk ua zuri goja ca krime më të afërt, që nuk janë të pakët?! Si nuk rekomanduat ndëshkim për vjedhjet dhe vrasjet në demokraci? Thoni pastaj që nuk druheni se lëndoni kryeministrin e përmbysur! Ju me të drejtë ngrini zërin për një luftë klasash që mbeti e pandëshkuar, për atë luftë burracakësh, që goditën dhe zhveshën nga gjithçka fëmijë të pafajshëm e të pambrojtur, gra dhe burra të moshuar e të pafuqishëm, që atë “luftë” nuk e kundërluftuan aspak. Por nuk e ha malli për atë luftë Berishën.  Ai ulurin për luftën që i takon të ketë tani me drejtësinë, se ka vrarë, se ka vjedhur dhe ndihmuar për të vjedhur, ka përçarë e po përçan ende shqiptarët, në tanët për t’u punësuar dhe të atyre, për t’u lënë pa punë; në biznesmenë për t’u a shtruar rrugën me dafina dhe në të tjerë për t’i  përvëluar me gjoba… Në këtë çerek shekulli ky njeri ka mashtruar e gënjyer, ka shkatërruar ekonominë, resurset, bujqësinë ushtrinë, arsimin, shëndetësinë. Ka sabotuar bllokadën e vënë për Millosheviçin, ka tentuar të pengojë Rambujenë, ka anatemuar ushtarët çlirimtarë të Kosovës. Ju e patë sjelljen e tij me atë aktivizim të ethshëm gjatë dy muajve paszgjedhorë, të korrikut edhe gushtit, (pa lënë t’i ikë nga dora edhe një copë shtatori!). Tamam si një i babëzitur që ndjek kamarjerët duke ua fshirë edhe mbetjet në pjatat që ata po heqin nga darka, ai në ditët e ikjes, shiti, shpërndau dhe bëri gropa të hatashme ekonomike, ku uron të gremiset rivali që e shqelmoi nga froni. Ai ka ngut. Ai nuk pret Ramën deri sa të dështojë që të ketë shkak të ulurijë elektoralisht. Është larg ajo ditë. Ai lutet ta besojnë kur betohet se është i sigurtë dështimi i rivalit të tij. Njeriu që i ka bërë realitet tërë të zezat që të rrok mendja, u lutet shqiptarëve t’i bashkohen atij për të dënuar të zezat që mund të bëjë kundërshtari i tij, e për ta ndëshkuar për gabimet që dhëntë Zoti të bëjë pasardhësi i tij.

Pra, zotërinj, ky individ nuk është vetëm i lig. Ky është edhe qesharak, me një qesharakëri të përditshme që na bën të na vijë turp që nuk e përmbajmë dot veten e të mos flasim e shkruajmë më për të.

Dhe ai kujton se e besojnë, në ato që thotë. Por në vite ai e ka humbur tërësisht  atë pasuri fillestare të barabartë që Zoti shpërndan për të gjithë ne: besueshmërinë e fjalëve që nxjerrim nga goja. Edhe pse nuk e thonë, edhe të vetët e shohin që ai ka humbur të drejtën të besohet. Në zjarrminë e temperaturave që atij nuk i zbresin kurrë, kryemafiozët i bëhen lidera historikë, pionerët e lëvizjes studentore i bëhen shërbëtorë të Sigurimit dhe po ata i bëhen heronj kombëtarë, presidentët i kthehen në komplotistë, çadrat i shndërrohen në kallashnikovë, kureshtarët me duar në xhepa para selisë së tij, i duken trupa desantësh, votimet e tij “më të mirat në histori” i quan të tilla vetëm dy ditë dhe pastaj ato i bëhen zgjedhje “të blera”. Ky njeri ngrihet nga karriga e tij deputetore ku e kanë shtrënguar të rreshtohet mes ushtarëve të tij pa spaleta, bash atë çast që kryeministri i ri nënvizon se shumica e tij e re nuk ka mandat për të kaluar pa hetim Gërdecin dhe vrasjet politike. Dhe me ikjen nga salla, ky deputet nënshkruan pranimin e mëkatit.

Ja pikërisht kjo luftë nuk i pëlqen bllokmenit të vërtetë të këtyre ditëve. Paqa në këtë luftë do të ishte dështimi i Ramës të cilin Berisha e dëshiron dhe ne i trembemi.

Dhe unë them se do të jetë fatale shmangia nga kjo luftë me “klasën” e të korruptuarve. Vështirësitë e trashëguara dhe ato të krijuara nga qeveria në ikjen e stërgjatur mirëkuptohen nga populli që përkrahu masivisht koalicionin fitues. Por Rama nuk do ta ketë atë mirëkuptim nëse shumica e tij e re parlamentare, për arsye takti apo arsye interesash, nuk ndërmerr imponimin e drejtësisë të ndershme (që quhet hakmarrje politike qëkurse janë shpikur votimet dhe rrëzimet nga kali!). Ndëshkimi i vrasësve dhe ushunjëzave tranzicionale, kjo vepër madhore pa precedent, nuk-nuk-nuk, njëqind herë nuk duhet të kapërcehet! Këtë kapërcim e dëshiron skota e mëkatarëve vrasës dhe hajdutë. Në këtë zhvillim të imagjinuar, ata me një gur vrasin dy zogj: shpëtojnë nga ndëshkimi dhe shijon një dështim hakmarrës të rivalëve të tij të urryer.

Unë bashkohem dhe i mbështes pushtetarët e rinj në këtë ndërmarrje. E përpjetë e madhe, por që në nisje e bekuar dhe plebishitarisht e brohoritur. Unë ua kam zili atyre këtë rast të artë historik që do t’i shkonte për shtat ca vullneteve idealistësh të paktë që venë për kryefjalë të mirën e atdheut. Kjo është kërkesë e shtyrë nga nevoja e edukimit të shqiptarëve dhe jo nga urrejtja dhe inatet për mëkatarët.

Këtij lloji bllokmenësh të rinj i tremben ata. Kjo luftë klasash i tmerron ata. Dhe nëse këta “bllokmenë” të drejtë dhe këmbëngulës e bëjnë këtë, popullin e etur në shekuj për drejtësi, do ta kenë me vete.

Atëherë krahasimi i zotit Arvizu do të quhesh me të drejtë i pangjashëm, por të pangjashëm ketë radhë do ta quanim ne, jo kukuvajkat me emra të gjymtuarish.

Edhe siç është zakoni i bekuar i shqiptarëve të përçarë, unë pres mallkime për shfaqjen e mbështetjes time për Ramën dhe njerëzit e tij. Bujrum mallkimeve! Bile ndihem i nderuar po të quhem drejtësisht kështu. Ia pëlqej kryeministrit të ri pasionin e bukur me të cilën i ka hyrë kësaj vepre historike, ia pëlqej qytetarinë e qeverisjes, më tingëllon e afërt gjuha e matur dhe e urtë që ka përvetësuar vitet e fundit. E uroj nga zemra suksesin e tij.

Dhe në se ndonjëri mbledh buzët, nuk më kupton, dhe më pyet nga na mbiu e tërë kjo dashuri për Ramën, do t’i përgjigjem:

Dashuri? E pranoj, më pëlqen. E dua.

Por absolutisht nuk e dua, aq sa kam dashur Berishën në atë agim të viteve Nëntëdhjetë!

 

Botuar në DITA

Comments

Submitted by reformer (not verified) on

<p>ke te drejte Zoti Pellumb, por Saliu e kuptoi menjehere se edhe ne nje demokraci te papjekur dhe sidomos ne nje shoqeri para-demokratike, lufta e klasave ishte nje mjet i mrekullueshem jo vetem per tu pasuruar dhe per te shtypur te tjeret, por edhe per ta mbajtur pushtetin sa me gjate.</p><p>filozifikisht ne e lidhim luften e klasave vetem me trashegimnine e komunizmit, por ne realitet ne menyre me te kamufluar dhe te zbutur lufta e klasave ekziston edhe ne demokraci. ne fakt vete demokracia nuk eshte vecse nje strukture e paisur me mekanizma virtuoze pe rzgjidhjen e konflikteve te vazhdueshme qe burojne nga dallimet pikesepari klasore.</p><p>&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.