Boll më me Daytonasit

Postuar në 24 Korrik, 2013 10:43

Na ishte njëherë një shtet në Ballkan që imitonte stilin amerikan të përbërë prej dy entiteteve, dhjetë kantoneve, një krahine dhe me kabinet të stërngarkuar qeveritar, ku qindra ministra qeverisnin prej së afërmi rreth katër milionë banorë, por nuk bënin pothuajse kurrgjë për ta, pasi prioritet e kishin ruajtjen e privilegjeve që u siguronte vendi i tyre i punës. Këta ministra në nivele shtetërore, krahinore, entitare dhe kantonale ishin të njohur si “daytonas”, sipas emrit të Marrëveshjes së arritur në vitin 1995 në Dayton të Ohios, që i kishte dhënë fund luftës më të përgjakshme në Evropë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ujdia ndali vrasjet, por krijoi një sistem politik jonfunksional dhe me shumë nivele qeverisjeje, prej të cilit po përfitojnë me bollëk krerët e tij dhe ata që u kacavirren atyre. Çdoherë dikush me të drejtë mund të pyesë nëse i duhen një vendi të vogël 14 ministra të arsimit.

Daytonasit përgjigjen në union: “Afërmendsh se po!” Dikujt, gjithashtu mund t’i shkojë mendja të pyes pse agjencia shtetërore e kundër korrupsionit është bërë një shaka e kripur, dhe atij do t’i thuhej: “Bashkimi Evropian ngulmonte në themelimin e saj, por hej, dikush do të thoshte pse policët janë bërë matrapazët më të mëdhenj?” Daytonasit kanë turlifarë gradash: Myslimanë boshnjakë (ose boshnjakë), serbë dhe kroatë. Ata nuk pajtohen për një mori çështjesh dhe kanë kujtime të ndryshme për luftën që vrau së paku njëqind mijë persona. Por ata janë të një mendjeje kur vjen puna për vetëkrekosje. Ata ishin të pajtimit se hetimi i avullimit të qindra miliona dollarëve do të ishte budallallëk. Ata ishin pajtuar se partitë politike do të duhej të themeloheshin sipas vijave etnike. Ata ishin pajtuar që fushatat e tyre të ishin të dominuara prej britmave nacionaliste. Dhe kështu dështoi sistemi të cilin e kërkonin me ngulm.

Në kryeqytetin e Daytonlandit, një rrugë dikur e njohur si “Rrugica e snajperit”, Shtetet e Bashkuara kishin ndërtuar një ambasadë, që të kujtonte ato burgjet e sigurisë së lartë të rrethuara me tela të lartë gjemborë, mesazhi i së cilës dukej se ishte: “Amerika është nën rrethim”. Një ditë në vitin 2011, një radikal islamik hapi zjarr në ambasadë. Ai kishte qëndruar rreth 40 minuta duke qëlluar sa herë i tekej, sepse askush nuk mund të vendoste nëse policia shtetërore apo ajo e entitetit, apo edhe forcat e sigurisë, duhej ta ndalnin terroristin. Është e zorshme marrja e vendimit në një vend të entiteteve - termi ishte një reflektim i mosmarrëveshjeve sesi të quheshin pjesët përbërëse të vendit.

Brenda ambasadës ishin frustruar diplomatët amerikanë. Nuk ishte menduar që Daytoni të bëhej pengesë. Ai i ngriu hesapet në momentin më të keq të marrëdhënieve ndëretnike. Reflektoi realitetin e vitit 1995, por nuk ishte bazë për drejtim funksional të vendit. Në fakt, marrëveshja ishte dizajnuar për ta bllokuar vendin. Prapëseprapë, e ruajti paqen.

Boshnjakët - të përballur me shkallë të lartë papunësie, korrupsion të përhapur gjithkah, sistem të lodhtë drejtësie dhe me nevojën e domosdoshme për t’iu bashkuar partive sektare politike për të gjetur një vend pune në industritë shtetërore që përbëjnë gjashtëdhjetë për qind të ekonomisë - kishin votuar me këmbët e tyre. Ata ikën në Dusseldorf. Shkuan në Detroit apo St. Louis, ku do të mund të ishin thjesht “boshnjakë”, jo në nëngrup etnik.

Askush nuk ishte i sigurt sa persona kishin mbetur në vend. Ishte planifikuar kryerja e regjistrimit. Nuk ishte e qartë nëse do të kryhej ndonjëherë. Numrat janë dinamit politik në një vend, ku daytonasit varen prej shumicave etnike për t’i dominuar minoritetet. U rishfaq hija e luftës. Mbetjet e personave të paidentifikuar ishin shpërndarë nëpër mbarë luginat e vendit. Serbët masakruan dhjetëra e mijëra myslimanë boshnjakë në gjashtë muajt e parë të vitit 1992 dhe mbi tetë mijë në Srebrenicë në vitin 1995. Çdo javë, kamionët e mbushur me eshtra kalonin para Presidencës derisa dërgoheshin në varreza. Vetëm këtë muaj, 409 viktima të porsaidentifikuara janë varrosur afër Srebrenicës, tetëmbëdhjetë vjet pas masakrës.

Këtu kanë ndodhur krime të tmerrshme jo vetëm në njërën anë, por me të madhe janë kryer prej njërës anë, prej serbëve. Prapëseprapë, entiteti serb, që vazhdimisht ngulmon në rolin e viktimizimit, mohon kryerjen e krimeve. Ata kishin bërë përpjekje për ta mohuar masakrën e Srebrenicës. Kishin bërë një përpjekje të shurdhër për të krijuar numra të rinj identifikimi, që do t’i ndante foshnjat serbë prej të tjerëve - dhe dhjetëra e mija njerëz dolën në rrugë.

Kishin ëndërruar shtetësinë, ose një union me Serbinë, pa e vënë re se në Serbi, një politikan kishte folur për t’u përkulur i turpëruar në Srebrenicë; pa e vënë re se Serbia ka negociuar një marrëveshje me Kosovë; pa vënë re se Serbia është kthyer nga Bashkimi Evropian dhe është tërhequr prej marrëzisë së Bosnjës.

Të rinjtë u rritën pa ndjenjën e durimit. Donin të ishin bosnas - jo boshnjakë, ose serbë apo kroatë. Ata donin të ishin shtetas të shtetit të tyre, e jo pengje etnike të bllokuar në labirintin e Daytonit. Në Srebrenicë, në entitetin serb, nisi një fushatë për regjistrimin e myslimanëve që ishin zhvendosur prej shtëpive të tyre, me qëllim që të mund të votonin. Ata e bënë - dhe Qamil Durakoviq tani është kryetar i ri i Srebrenicës, duke punuar me zëvendësin serb. Pse u ndal aty? Përgjigjja më e mira për daytonasit është heqja qafe e ndarjes sektare, prej së cilës ata përfitojnë. Tani fushata është zgjeruar për t’i regjistruar të gjithë myslimanët që u zhvendosën prej entitetit serb dhe kështu do të ndryshohet harta politike. Në Bosnjë ka ardhur koha të shkohet përtej Daytonit - jo përtej paqes së tij (arritjes së madhe të Richard Holbrookut), por përtej ndarjes dhe mohimit që ka shkaktuar ai.
...

New York Times

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.