Beteja e fundit e gjyshit notar

Postuar në 13 Qershor, 2013 05:15

Në këtë fushatë pa program dhe pa debate, një batutë po zë gjithnjë e më shumë vend: ajo e gjyshit me antiplumb. Pasi ka provuar të bëjë fushatë duke e injoruar kundërshtarin e tij (2009), pasi ka provuar gjithashtu të ndryshojë tërësisht qëndrim duke dashur të fitojë zgjedhjet me sloganin “fajin e ka Saliu” (2011), Edi Rama e ka kthyer në një nga lajtmotivet e kësaj vere, moshën dhe lodhjen e Berishës. Ai po i sheh ato si një mundësi më shumë për të ngadhënjyer në 23 qershor. Batutave të përhershme të Ramës anembanë Shqipërisë, i është bashkëngjitur edhe një fushatë publicitare që mban siglën e Rilindjes. Në këto spote edhe studentja bionde Anja, edhe pensionisti 84 vjeçar Ibrahimi, edhe mësuese Mimoza, edhe fermer Maksuti, përsërisin të gjithë të njëjtën gjë: “Saliu është i lodhur, s’ka më takat”.

Pyetja e parë që të lind nga kjo strategji beteje është: A është elegante një propagandë e tillë? A duhet përmendur mosha si një handikap? A luftohet tjetri me këtë mënyrë? A është ajo produktive në një botë gjithnjë e më jetëgjatë ku respekti për mundësitë dhe aktivitetin e moshës së tretë janë shtuar?

Një dekadë më parë, gjatë zgjedhjeve presidenciale në Francë, kur konkurrenti i tij kryesor, në një takim “OFF” me gazetarë, guxoi të thoshte se presidenti Shirak dukej i vjetruar dhe i pamundur, kjo shkaktoi një skandal. Megjithëse kryeministri Zhospen e tha një gjë të tillë në konfidencë me një grup gazetarësh që e shoqëronin atë në avionin e tij, “kjo gafë” jo vetëm që doli në shtyp, por nga shumë analistë ajo u përmend si njëri ndërmjet shkaqeve të humbjes së turpshme të rivalit të Shirakut, në prill të 2002-shit. Sepse francezët mesa duket nuk e falnin ironinë me moshën dhe përdorimin e saj si armë politike.

Po në Shqipëri, a mund të luhet me këtë kartë? A është ajo rezultative elektoralisht? Një gjë e tillë mbetet të shikohet. Por, ajo që dihet deri më tani është se i vetmi njeri që nuk mund të ankohet nga një përdorim i tillë, është Sali Berisha. Ai ka të drejtë të thotë se kjo e tija nuk quhet lodhje, por përvojë, ka të drejtë të ndihet gjyshi më i lumtur në familjen e tij, por ai nuk mund të ankohet siç po lë të kuptohet, se po i përdorin vitet që ka mbi tokë dhe moshën e tij, në këtë fushatë. Sepse ai i ka vënë vetë ato në qendër të komunikimit politik.

Sa e sa shqiptarë janë gajasur gjatë mandatit të tij të dytë, duke e parë çdo muaj gusht të bëjë sikur noton? Sa e sa vetë e kanë kapur në gënjeshtër, tek e shihnin fillimisht të ankohej për mediat paparace, dhe pastaj të shpërndante me zyrën e tij të shtypit, rekordin e përvitshëm të pluskimit mbi det? Apo ndoshta shqiptarët i kanë harruar sekuencat e filmuara me celular nga badigardët e tij, ku shpallte nga një fitore elektorale në çdo majë mali? Apo ndoshta s’i mbajnë mend deklaratat nga lartësitë e Murit të madh Kinez, ku krenohej se asnjë burrë tjetër shteti nuk kish marshuar aq gjatë sa ai?

Në më shumë se një rast, ne, të gjithë, e kemi dëgjuar Sali Berishën të ekzaltojë rininë e tij të përjetshme, forcën dhe energjinë e tij të pashtershme, raportin që ka me Zotin dhe organizmin e tij prej 20-vjeçari. Dhe të gjitha këto nuk i ka thënë as se ndihet një yll Hollivudi, as se po kërkon të rimartohet si ndonjë paraardhës I tij. Jo, të gjithë këtë strategji e ka bashkëngjitur gjithnjë me deklaratat se do të jetë ende dhe tre dekada në politike dhe nga ajo mund ta nxjerrë vetëm i plotfuqishmi ose vota.

Pra, në një farë mënyre, nuk kanë qenë kundërshtarët e tij ata që po ia përmendin moshën dhe vitet e tij si gjysh, është vetë Berisha që këtë beteje kundër kohës, e ka instaluar si një armë në komunikimin e tij politik. Dhe në këtë kuptim, beteja e opozitës është e përligjur, sepse ajo është thjesht një kundër-reagim. Rivalët e tij nuk e kanë bërë kurrë më parë këtë gjë. As kur i ra të fikët në Vlorë 14 vite më parë, as kur e njëjta gjë iu përsërit në 11 vjetorin e themelimit të PD-së. Por, kur Sali Berisha zgjodhi ta hedhë në fushëbeteje mitin e rinisë së tij të përjetshme e raportin divin që ai paskësh me shëndetin, natyrisht që ai do të merrte përgjigje edhe tek kjo pikë.

Por, megjithëse askush nuk mund të vërë bast sot se ç’vlerë do të ketë ky debat për moshën, një gjë mund të thuhet me siguri, se edhe në këtë rast, Berisha po paguan çmimin e ekzagjerimeve të tij. Sepse tani, në prag të 23 qershorit, në fushatë më shumë vend ka zënë imazhi i gjyshit, sesa ai i notarit të pathyeshëm.

 

Tema

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.