Ballkani, para ndryshimeve të reja të kufijve

Postuar në 06 Shkurt, 2012 15:24

Ballkani Perëndimor mund të pësojë ndryshime të kufijve – ka tërhequr vërejtjen Instituti Gjerman për Politika dhe për Çështje të Sigurisë Ndërkombëtare në studimin e tij të fundit.  Studimi i titulluar “Rasti normal nuk planifikohet – dhjetë situata politike që meritojnë vëmendje”, i realizuar në nëntor të vitit 2011, ka pasur në cak të analizës edhe situatën në Ballkanin Perëndimor, ku ka nxjerrë në pah që në Ballkan, në një të ardhme, mund të ketë sërish ndryshim të kufijve aktualë. 

“Stiftung Wissenschaft und Politik (SWP)” - Fondacioni shkenca dhe politika me seli në Berlin, është fondacion i “Deutsches Instituts für Internationale Politik und Sicherheit” (Instituti Gjerman për Politika dhe për Çështje të Sigurisë Ndërkombëtare), që është më i madhi i llojit të tillë në Evropë e i cili këshillon Bundestagun dhe Qeverinë e Gjermanisë në lidhje me politikat dhe me çështjet e sigurisë në rrafshin ndërkombëtar, ka porositur Perëndimin se në rast se vazhdon të pozicionohet kundër lëvizjeve autoktone që kanë për synim të përfundojnë procesin e krijimit të identitetit të tyre kombëtar në Ballkan, atëherë kjo do të mund të jetë e kushtueshme politikisht dhe kundërproduktive. 

“Më e dobishme duket të jetë gjetja e një zgjidhjeje të mesme midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë”, kanë këshilluar hulumtuesit gjermanë. “Për këtë duhet shfrytëzuar diplomacinë, e cila ende nuk ka qenë aktive në këtë rajon, si p.sh. ajo e Norvegjisë, ndërsa ndihmat e konsiderueshme ekonomike dhe përforcimi i perspektivës drejt anëtarësimit në BE dhe në NATO duhet të shërbejnë si mjete për të lehtësuar heqjen dorë nga kërkesat maksimale të palëve”. 

Instituti Gjerman për Politika dhe për Çështje të Sigurisë Ndërkombëtare ka folur se si Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, ngjashëm edhe Maqedonia, vazhdojnë të mbeten ngrehina tejet të brishta politike, nën protektorat të vazhdueshëm perëndimor. “Në këto vende sërish po krijohen konflikte etnopolitike. E përplasje të tilla gjatë dy dekadave të kaluara zakonisht kanë përfunduar me ndryshimin e kufijve politiko-administrativë të ish-Jugosllavisë”, kanë shkruar hulumtuesit gjermanë. “Këto procese vetëm në pak raste janë zhvilluar në mënyrë paqësore. Edhe tani është e paparashikueshme se a do të zhvillohen këto revizione të kufijve pa dhunë”. 

Instituti gjerman ka paralajmëruar se ndryshimet e para të kufijve mund të priten në trekëndëshin Kosovë-Shqipëri-Maqedoni Perëndimore.

______

Ndërkohë në Mitrovicë:

Mbikëqyrja përmbyllet, veriu mbetet hapur

Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë (ICO) nuk e ka përjashtuar mundësinë që çështja e veriut të vazhdojë të mbetet e hapur edhe pas përfundimit të mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës. I pyetur se kush do të udhëheq me procesin e adresimit të çështjes së veriut nëse ICO e përfundon misionin deri në fund të vitit, zëdhënësi i kësaj zyre, Christian Palme ka thënë se ajo do të vazhdojë të mbetet ndërmarrje e përbashkët ndërmjet akterëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Asnjë aktor nuk është përgjegjës për zgjidhjen e përhershme të situatës në veri të Kosovës. Veriu është dhe do të vazhdojë të mbetet ndërmarrje e përbashkët ndërmjet akterëve vendorë dhe ndërkombëtarë”, ka thënë Palme. Ai ka shtuar se derisa Qeveria e Kosovës të përfundojë detyrat e mbetura në CSP (Propozimin Gjithepërfshirës për Statusin) edhe ICO-ja i afrohet fundit të mbikqyrjes së pavarësisë në Kosovë.

“Siç është theksuar nga Grupi Ndërkombëtar Drejtues pas takimit në Vjenë, partnerët ndërkombëtarë të Kosovës pritet që të vazhdojnë të këshillojnë Qeverinë e Kosovës”, ka shtuar ai. 

“Sa u përket komunave të reja Mitrovicë/Mitrovicë Veriore janë ndërmarrë shumica e masave – Qeveria e Kosovës tani u jep më shumë shërbime qytetarëve të veriut të Kosovës se më parë. Për shembull para 18 muajsh nuk kishte zyrë të Qeverisë së Kosovës në veri, tani janë 7 zyra funksionale. Para 18 muajsh nuk kishte asnjë aplikues për dokumente të Kosovës. Tani janë më shumë se 8000”, ka thënë ai. 

Sipas Palmes, përderisa më 2010, MPT-ja që punon drejtëpërdrejt me qytetarë të në veri të Mitrovicës kishte sponsorizuar vetëm një projekt të infrastrukturës, vitin e kaluar i kanë kompletuar 8 të tilla.

ICO-ja konsideron që krerët e komunave ilegale të veriut nuk mund ta mbajnë peng Kosovën, ndërsa nga Qeveria në Prishtinë pret që të jetë më aktive në qasjen e saj ndaj kësaj pjese të vendit. 

______

Mbi ndarjen e Kosovës:

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës janë për bashkimin me Kosovën, dhe kësisoj do t’i hapej rrugë shkëmbimit të territoreve. Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi, është pajtuar me propozimin e diplomatit austriak, Erhard Busek për shkëmbim territoresh (Kliko per me shume.)

Busek: Prishtina dhe Beogradi duhet të nisin diskutimet për ndarjen

Idetë për ndarjen e Kosovës dhe për shkëmbimet e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, nuk ndalen. Ish-koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhard Busek, në një prononcim për KTV-në, ka deklaruar se Prishtina dhe Beogradi duhet të nisin diskutimet për ndarjen.  Ai thotë se kjo është zgjidhja më e mirë tash për tash dhe si shpërblim, Kosova do të njihej nga Serbia dhe nga pesë vendet e Bashkimit Evropian. Pos ndarjes, ai përmend shkëmbimin e territoreve, Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, e veriu i Kosovës Serbisë, për një zgjidhje të qëndrueshme në Ballkan.  “Jam i bindur që në fund të fundit nëse asgjë nuk do të jetë e mundur, atëherë ndarja është zgjidhje”, ka deklaruar Busek. Ai ka folur edhe për bisedimet Kosovë-Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian që sipas tij vetëm pas zgjedhjeve në Serbi do të krijohen kushte të favorshme për zhvillimin e bisedimeve.  

Marrë nga peshkupauje.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.