Ata ta shpifin

Postuar në 19 Prill, 2013 11:37

Para gati tre vjetësh, Isa Mustafa ishte bërë shkak që Ukë Rugova të mos bëhej pjesë e LDK’së dhe, për më tepër, të bënte thirrje që të mos votohej partia e udhëhequr nga i ati për 16 vjet me radhë.

Të paktën ky kishte qenë interpretimi i vetë Rugovës, për të cilin zgjedhja e Mustafës në krye të partisë nuk paraqiste ndonjë argument të fuqishëm se në LDK kishin filluar reformat e brendshme. Përkundrazi, ai e shihte Mustafën si peng të strukturave të vjetra të partisë dhe shprehej i zhgënjyer me ndryshimin e sjelljeve të Mustafës pas marrjes së partisë, posaçërisht me “ofertën përjashtuese” që i kishte bërë.

Pas përvojës si pjesë e Listës “Ibrahim Rugova” - në fushatë me AAK’në e në Qeveri me PDK’në - Uka mund të ketë ndërruar mendje për isën, aq sa edhe të bashkohet me të. Lëvizjet e fundit sugjerojnë se ai mund të bëhet pjesë e LDK’së.

Por, çfarë dobie mund t’i sjell Uka LDK’së? Ose, thënë më mirë, a mund t’i sjell diçka ai LDK’së?

Karriera e tij prej politikani lë shumë për të dëshiruar, ashtu si dhe subjekti i tij politik. Prej se ka zënë vend në Kuvend, atij nuk iu dëgjua zëri. Thjesht, e ka marrë rrogën dhe ka heshtur. Ndërkohë, zyrtarë të Listës… në ekzekutiv më shumë janë shquar për skandale, sesa për farë pune të vlefshme.

Në kolumnen time të korrikut të vitit të kaluar me titull “Lista e shpifur”, analizoja pikërisht Listën “Ibrahim Rugova”, përfshirjen e saj në institucione dhe “vlerat” që kishte sjellë në qeverisje.

Në postin e zv/kryeministrit, ish-kryeministri i Qeverisë në Ekzil, Bujar Bukoshi, ishte caktuar përgjegjës për çështje sociale dhe shëndetësore. I rehatuar në kabinetin e Thaçit, ai shfaqej rrallë para mediave dhe kush s’e dinte me çka merrej. Gjithçka po i shkonte për mrekulli, derisa Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti ndaj tij aktakuzë për vepra të rënda penale që lidhen me punën e tij disamujore në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.

Dardan Gashi, një ish-kritik i Hashim Thaçit, u vu në krye të Ministrisë së Mjedisit, kurse Astrit Haraqija u emërua zv/ministër i Financave, deri sa Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ngriti aktakuzë kundër tij, nën dyshimin se ka shpërdoruar detyrën zyrtare derisa mbante postin e Ministrit të Kulturës.

Rrëfimi për një tjetër zyrtar të Listës..., Ilir Tolajn, tashmë është i njohur.

* * *

Tash kur nga Lista… thuhet të jetë larguar Astrit Haraqija, e pritet që njësoj të veprojë edhe Ukë Rugova, duket qartë se pse u krijua dhe kujt i shërbeu ajo. Në fakt, Lista… as që mund të konsiderohej subjekt politik. Ishte një grupim njerëzish që parësor kishin interesin e tyre personal dhe që nuk zgjedhnin rrugë as mjete për t’i arritur qëllimet. Njerëz të dashruar në poste, në karriga.

Besoj ju kujtohet ekzaltimi i zyrtarëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në nëntor të vitit 2010, teksa po njoftonin bashkimin me Listën… mendja ua thoshte se me përfshirjen e Ukë Rugovës në listën e tyre zgjedhore, do të përfitonin edhe votat e një pjese të madhe të simpatizantëve të LDK’së. Por, keq I kishin bërë llogaritë. Ukë Rugova vërtet fitoi më se 20 mijë vota dhe u bë deputet, por Lista… e tij iu bashkua Thaçit, e nuk mbeti me Ramushin.

Para pak muajsh, një zyrtar i AAK’së e quante Listën… “bandë” që e kishte kontrabanduar mandatin e deputetit dhe votat e fituara në emër të AAK’së. Këtë veprim, madje, ai e cilësonte “kulm të amoralitetit” në politikën kosovare.

Por, amoraliteti në politikën kosovare s’ka kulm as skaj. Tash, një i ashtuquajtur fraksion i LDD’së së Dacit, bashkë me Ukën, po thuhet se do t’i bashkohen LDK’së.

Pra, po flitet se LDK’së do t’i bashkohen njerëz që u ndanë nga po kjo parti, madje duke “luftuar” me karriga para disa vjetësh. Çfarë vlerash do t’i sjellin ata partisë? Çfarë vlerash do t’i sjell Uka partisë? A fiton apo humb LDK’ja me aderimin e tyre? Këto janë pyetje legjitime, të cilat drejtuesit e LDK’së do të duhej t’ia shtronin vetes, para se të vendosin ta “forcojnë” partinë me këta njerëz.

* * *

Pyetja që shtroja korrikun e kaluar ishte se çfarë kishin humbur Qeveria dhe qytetarët e Kosovës me largimin e Bujar Bukoshit dhe Astrit Haraqisë nga postet ekzekutive? Dhe, përgjigjja që jepja ishte: asgjë. Ata ishinj larguar nga poste të shpikura e të shpifura, të cilat iu kishin dhënë për t’ua plotësuar egon e tyre për pushtet, në kuadër të ndarjes së tallit qeveritar.

Njësoj - një asgjë të madhe do të përfitojë edhe LDK’ja po që se brenda vetes përfshin atë që po quhet fraksion i LDD’së dhe Ukën. Këta LDDistët që tash po provojnë të shiten si përforcime serioze, humbën keq në zgjedhjet e kaluara, E Uka vuri në lajthitje AAK’në. Kush garanton se nesër ata do ta lënë LDK’në në lloq, në vrap pas karrigeve?

E vetmja gjë me të cilën ata janë të lidhur është karrigia. Në një apo tjetër mënyrë. LDK e ka rastin që të mos lejojë t’i bjerë vetes karrige në kokë. EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.