23, takim me historinë

Postuar në 01 Qershor, 2013 06:18

Gara elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit po trajtohet si një betejë rutinë, megjithëse në një këndvështrim, nuk është aspak e tillë. Në debatet televizive, në përplasjet mes palëve, në reagimet e opinionistëve, flitet kryesisht për llojin e taksimit dhe për rrugët, për GDP-në dhe borxhin në rritje, për arsimin dhe shëndetësinë. Natyrisht këto janë tema të paanashkalueshme të një beteje politike.

Por, kjo e 2013-ës është e veçantë, sepse ajo nuk është vetëm një garë, por në një farë mënyre një takim me historinë.

Nëse imagjinojmë për një çast që në 23 qershor, Sali Berisha do të fitonte një mandat të ri katërvjeçar, kjo do t’i siguronte atij qëndrimin në pushtet deri në verën e vitit 2017. Me një llogari të vogël, kjo do të thoshte se ai, po i njëjti, që shfaqet herë si kandidat për diktator (1992-1997) dhe herë si autokrat (2009- 2013) të mbretërojë plot 17 vite në pushtet. Po të shkojmë edhe më tej, e të matim kohën që shqiptarët po jetojnë në demokraci, që pas 11 dhjetorit ’90, do të bëheshin gati tre dekada, ku një njeri i vetëm dominon gjithë jetën politike të vendit.

Po ç’do të thotë kjo?

Për një brez si i imi, për ata që kanë lindur pak a shumë diçka pas aksionit të madh të prishjes së kishave dhe xhamive, që kanë qenë adoleshentë në ditën e varrimit të Enver Hoxhës dhe universitarë në periudhën e vendosjes së pluralizmit, kjo ka domethënie të madhe. Një kalkulim i thjeshtë e bën të mendojë gjithë këtë brez, 40- 45 vjeçarët e sotëm, se ata kanë kaluar më shumë vite nën dominimin politik të Sali Berishës, sesa në atë të Enver Hoxhës. Vetëm kjo e dhënë është e mjaftë që gjatë kësaj fushate të shtrohej edhe kjo pyetje. E po të mendohet pastaj se në të gjithë vendet ish- komuniste, homologët e Berishës, ku e ku më të shquar se ai, me më shumë kontribute në rrëzimin e komunizmit dhe me shumë më shumë merita në ndërtimin e rendit të ri, janë personazhe që i takojnë historisë, kjo temë bëhet një temë e detyrueshme e kësaj fushate. A duhet të shtrojnë një pyetje shqiptarët se pse e kanë nxjerrë me kohë në pension çekët disidentin idealist dhe politikanin e ndriçuar Havel? A duhet të vrasin ata mendjen se përse heroi i Solidarnosit, Les Valesa, u largua nga politika aktive që në vitet e fundit të shekullit të shkuar? A duhet të çuditen ata me një anomali që po ndodh vetëm në Shqipëri, ku ende diskutohet se mund të mbahet në pushtet lideri i fundit i një “revolucioni” antikomunist?

Dhe kësaj anomalie që vjen nga ballafaqimi me atë çka ndodhur jashtë nesh, i shtohet edhe një e dytë. Në një shekull shtet të ri shqiptar, ky popull në më shumë se gjysmën e kësaj periudhe, me hir apo me pahir, ia ka besuar fatin e tij vetëm dy njerëzve.

Ahmet Zogu e ka dominuar skenën politike shqiptare për gati 20 vjet (1920-1938). Ndërsa pasardhësi i tij, Enver Hoxha, për plot dyzet të tillë (1945-1985). Me ndonjë përjashtim të vogël të viteve të para ’20, ata as nuk janë votuar, as nuk kanë luajtur në një sistem të hapur. Janë ngjitur në pushtet me armë dhe e kanë kalëruar atë pa pyetur për kërrkënd.

Por, në ndryshim nga këto raste, tani shqiptarët kanë në dorë votën. A do ta përdorin atë për të prodhuar sërish të njëjtin model? A do ta përdorin atë për të treguar se më shumë sesa loja demokratike pëlqejnë një prijës paternalist? A do ta përdorin atë për të treguar se më shumë sesa për ndryshimin, janë për një lloj “monarkie zgjedhore”? A do ta përdorin atë për të treguar se mbeten po i njëjti fanar ndriçues, i ndryshëm nga vendet e tjera të ish- bllokut lindor?

Natyrisht këto pikëpyetje që mungojnë duhet të zënë vend në këtë fushatë, ku Sali Berisha po na serviret jo vetëm si një njeri që e kemi stërprovuar, por edhe si një model që tenton të bëhet i përhershëm. Sepse 23 qershori nuk është dita kur vendoset vetëm për llojin e taksimit, modelet e zhvillimit, shkollat dhe spitalet. Këtë radhë, kjo e diel qershori, është disi më e veçantë. Eshtë dita kur do të vihemi në provë, se nëse edhe me votë jemi në gjendje të prodhojmë pushtet të përjetshëm. Në këtë kuptim, ky është një takim me historinë. Një takim për të kuptuar nëse kemi nxjerrë mësime nga e shkuara jonë shpeshherë e dhimbshme.

Marrë nga Tema

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.