“Heronjtë” e Berishës po frikësohen

Postuar në 04 Shkurt, 2012 06:57

Tre deputetë të opozitës dorëzuan të enjten në sallën e Kuvendit imunitetin e tyre për tu rihetuar lidhur me rolin e tyre më 21 Janar. Të tri deputetët ishin të qartë në dy pika: Që nuk ishin të shqetësuar nga hetimi, dhe që kërkonin hetim dhe për Sali Berishën. Ky i fundit sikur ta kishte parandjerë furtunën ndaj tij, mungoi në sallë. I qartë se topi ngelej në fushë të tij dhe akuzat për vrasje do t’i bëheshin para syve, ai shmangu seancën që e ka kërkuar aq shumë në çdo takim me ambasadorë apo zyrtarë të huaj, të shqetësuar për hetimin e 21 Janarit.

Por rihetimi i deputetëve të opozitës ka ngritur pikëpyetje brenda strukturave të Policisë së Shtetit, por dhe tek efektivët e Gardës, të dyshuar për përfshirje në vrasje.

Formalisht dosjen e hetimit të deputetëve të opozitës e ka bërë Drejtoria i Policisë së Tiranës, e cila drejtohet nga një zyrtar policie i njohur si besnik i Lulëzim Bashës. Emërimet e tij kanë ndjekur gjeografinë elektorale të Lulëzim Bashës në vitin 2009 në Elbasan dhe në vitin 2011 në Tiranë. Biles emërimi i tij është bërë i sforcuar në kushtet e mosplotësimit të kritereve për një post të tillë. Kjo është një arsye më shumë të besojmë se pas urdhrit për mbyllje të hetimeve ka qëndruar Lulëzim Basha. Pasi u sigurua në postin e tij në Bashki përmes një procesi skandaloz ku nuk mungoi as roli i policisë, Basha ka urdhëruar pezullimin e hetimit të deputetëve të opozitës, jo vetëm se nuk kishte asnjë provë për ta, por duke menduar se një hetim i mëtejshëm mund të çonte pa dashje tek gjurmët e krimit shtetëror. Duke e mbyllur hetimin për opozitën, Basha, i cili mbetet një nga të akuzuarit kryesorë bashkë me Berishën për vrasjen e katër qytetarëve, ka menduar të ulë dhe tonet e opozitës duke menduar se kjo çështje po mbyllej me baraspeshë.

Një vit më pas, kur vrasjet u provuan dhe krimi nuk u fsheh dot, dosja e hetuar po i ofrohet shtypit, biles jo vetëm dosja, por dhe hetimet e SHKB kundër tyre. Sali Berisha, i cili po ngre një furtunë me akuza kundër Ina Ramës se po shet detaje nga hetimi, çuditërisht nuk ka bërë këto ditë asnjë deklaratë dhe nuk ka asnjë iniciativë ligjore për të hetuar se kush po i nxjerr sekretet e këtij hetimi nga Ministria e Brendshme. Ai shikon se si heronjtë e tij në polici janë frikësuar dhe po përpiqen të mbrojnë veten, pasi Berisha po dorëzon një nga një ata që në darkë i quan heronj dhe në mëngjes i dërgon në qeli.

Duket se më i frikësuar në polici është “klani” i Lulëzim Bashës, i cili mund të bëhet kokë turku për mbylljen e dosjes. Edhe pse e kanë bërë atë me urdhër dhe dëshirë të ish- Ministrit, ata janë sot në shënjestër të nevojës që ka Berisha për të ripërdorur policinë për luftë politike. Në këto kushte ata po rrjedhin në shtyp detaje të dosjes apo veprimtarisë së mëparshme të tyre, si dhe hetimet e SHKB ndaj tyre.

Pozita në të cilën gjenden këta zyrtarë të policisë sot është qesharake, pasi do të duhet të rifillojnë një hetim, të cilin e kanë pezulluar me kërkesë të tyre. Mjafton kaq që ata ose të spostohen nga ajo detyrë që kanë, ose hetimin ta marrë një grup tjetër “ad hoc” i policisë shqiptare, që përfaqëson direkt Berishën.

Ky zhvillim është një tregues shumë më negativ për institucionin e policisë se sa përfshirja e policisë në ngjarjet e 21 Janarit. Ngritja e strukturave të posaçme të policisë për të hetuar një ngjarje, e cila është hetuar në kohë zyrtarisht nga Policia e Shtetit, është tregues i ekzistencës së policisë politike brenda Policisë së Shtetit dhe vërtetim i akuzave se Berisha përdor policinë përmes celulës së tij. Ata janë sot njerëzit që frikësojnë policinë reale, e cila duke qenë njëpërdorimshme në këtë histori, nuk mund të rindërtojë një histori të re për 21 Janarin.

Është kjo arsyeja që Sali Berisha nuk guxoi dot ditën e enjte të ishte përballë Besnik Bares, Tom Doshit dhe Taulant Ballës. Ai nuk mund të ishte aty, jo vetëm se e dinte që do ishte i akuzuari kryesor për vrasjet e 21 Janarit, por se i mungonte dhe retorika e akuzave në emër të Policisë së Shtetit. Policia e Lulëzim Bashës, bashkautorit në vrasjet e 21 Janarit, ishte përdorur një herë për ta mbyllur këtë dosje, atëherë kur u mendua se kjo çështje u mbyll. Nevoja e Berishës për të ripërdorur policinë kundër opozitës është jashtë kohe dhe jashtë fuqive të Policisë së Shtetit për ta ndihmuar. I vendosur që ai ta bëjë këtë me njerëzit e vet brenda policisë, ai po i shmanget debatit publik për atë që ka ndodhur me policinë e Tiranës, që ka pushuar këtë hetim. Si çdo i pandehur në panik, që futet në spiralen e fshehjes së gjurmëve të krimit, ai tani është duke vuajtur pjesën kur po fsheh edhe gjurmët e hetimit. Fakti që hetimi provoi vrasjet nga njerëzit e tij, dhe ata po rrezikojnë burgun, e ka “zhburrëruar” atë përballë njerëzve të vet, të cilët ishin të qetë se nuk do përballeshin kurrë me drejtësinë. Tani ai ka nevojë të rimarrë veten. Përfytyroni Berishën në zyrë të vet me pult në dorë duke dëgjuar fjalimin e Taulant Ballës apo Tom Doshit, që i numëronin atij gjithë të zezat! Përfytyroni Berishën, që përmban veten dhe nuk shkon dot në sallë t’u thotë se ua bën fytyrën si këpuca! Përfytyroni Berishën të dëgjojë batutën e Tom Doshit për palmën e Mesila Dodës dhe të mos reagojë! Përfytyroni Berishën të përmendet policia si argument pozitiv nga opozita dhe të qëndrojë larg asaj salle! Përfytyroni Berishën, ndaj të cilit për herë të parë në atë sallë parlamenti iu bë pretenca si vrasës dhe të mos përgjigjet! Ka një problem të madh me mënyrën se si ta rinisë këtë histori për të barazuar vrasjet e veta me fajin e opozitës. Shumë të vështirë e ka. Opozita po shkon e qetë drejt sallave të gjyqit, kurse ai është mbyllur brenda dhe nuk po gjen fjalë të inkurajojë njerëzit e dëshpëruar të keqpërdorur për të vrarë. Po mjaftohet duke i quajtur thjesht heronj. Por “heronjtë” e tij janë të frikësuar jo se do të vdesin, por se do t’i shesin të gjallë. Siç po shesin policët.

Mero Baze, Tema

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.