Është koha që Serbia ta njohë pavarësinë e shtetit kosovar

Postuar në 13 Prill, 2013 10:05

Në këtë kohë kur duket se Serbinë po e shkund di-lema përfundimtare nëse duhet ta pranojë ose jo marrëveshjen për Veriun e Kosovës, përgjigjja ime e palëkundur është: PO. Jo vetëm që duhet pranuar, por madje duhet shkuar edhe një hap më
tej: është koha që pala serbe, pushteti i saj, i cili pothuajse në të gjitha anketimet e opinionit publik ka mbështetjen e pothuajse dy të tretave të elektoratit, kapitalizon momentin, pranon marrëveshjen dhe rrit rolin e tij. Është koha që Serbia të pranojë pavarësinë e shtetit kosovar.
Jam e vetëdijshme se ky propozim mund të shkaktojë një refuzim të menjëhershëm, si radikal, ashtu dhe ekstrem. Pikërisht këtu qëndron thelbi i tij: Serbisë sot, pas katërmbëdhjetë vitesh që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës, i nevojitet një zgjidhje radikale dhe një lëvizje kurajoze.
I provuam të gjitha në Kosovë: luftën, aneksimin institucional të krahinës autonome (abrogimi i neneve të Kushtetutës jugosllave të vitit 1974 që i jepnin Kosovës statusin e krahinës së pavarur nga regjimi i Milosheviçit në vitin 1989 shën. i përkth.), krime ushtarakësh dhe paraushtarakësh (të të dyja palëve) dhe mbytje të tyre nëpërmjet “asanacioneve” të ndryshme të terrenit, vetizolomin dhe kolapsin ekonomik në emër të “interesave kombëtare”; me një fjalë është provuar gjithçka, përveç asaj së logjikshmes: njohjes së dyanshme të të dyja shteteve të pavarura, të cilat ndajnë një kufi të përbashkët, reciprocitet në grupet etnike në territoret e secilit dhe përpjekje (së paku normale) për të dalë nga kjo rrugë qorre.
Një nga narrativat e gabuara, por njëkohësisht edhe nga më të gjithëpranueshmet, është: për situatën në Kosovë ËSHTË fajtor Milosheviçi dhe “gabimet” e regjimit të tij dhe se nuk është e drejtë që për shkak të kësaj i tërë kombi “të lajë mëkatet”.
Megjithatë, nëse udhëhiqemi me këtë logjikë, pushteti aktual ka qenë një levë me rëndësi e regjimit të Milosheviçit dhe për këtë duhet të njohë përgjegjësinë e tij për “gabimet” dhe “shlyerjen e mëkateve” (Aluzion për Kryeministrin aktual Ivica Daçiç, i cili në kohën e Milosheviçit ka qenë zëdhënës i partisë së tij. Shën. i përkth.). Por nuk është fjala vetëm për këtë, problemi është më i gjerë dhe më i thellë. Në Serbi, në vitet nëntëdhjetë, nuk ekzistonte ndonjë forcë e madhe opozitare e cila të mund të pranonte më të vështirin e këtyre problemeve, dhe e cila do të ishte e gatshme të rrezikonte mbështetjen edhe ashtu të dobët të trupit të saj zgjedhor, në mënyrë që ta shpinte projektin e saj politik deri në fund. Kjo përgjegjësi duhet njohur dhe duhet ndarë me shoqërinë qytetare serbe, me të gjithë ne që atyre viteve e dinim se ku po na shpinte rruga e Milosheviçit dhe nuk patëm fuqi, dëshirë dhe guxim që t’i kundërvihemi këtij problemi.
Edhe vazhdimi i tanishëm i këtij narrativi, futja e psikozës së përgjithshme, përpjekja për teatralizim e koncepteve “poshtërim”, “presion”, “ultimatum”, “ditë vendimtare” është plotësisht e gabuar. Këtë tekst po e shkruaj në momentin kur pala serbe
kërkon vazhdim të bisedimeve, megjithëse opinioni publik ende nuk e ka të qartë dhe, përpiqet vetëm ta marrë me mend, se çfarë u refuzua dhe çfarë kërkohet, kush e kërkon dhe në emër të kujt e kërkon? Sepse, e vetmja gjë që pa dyshim kanë arritur nëpërmjet bisedimeve të deritanishme, është institucionalizimi i ndarjes
së serbëve të Veriut me ata të Jugut të Kosovës, këta të dytët, të quajtur “serbët e Thaçit”, të cilët kanë humbur mbështetjen e atdheut mëmë, gjë të cilën shoqëria serbe e toleren heshturazi dhe në “serbë luajalë”, pakica në Veri të lumit Ibër, një
mjedis thellësisht i politizuar përfaqësuesit e të cilit janë të zhytur në përpjekje të errëta për destabilizimin e tërë rajonit. Me këtë përsëritet gabimi tragjik i mosmarrjes së përgjegjësisë për atë që duhet marrë përgjegjësi, dhe kjo jo vetëm nga ana e pushtetit, por e tërë shoqërisë, opinionit intelektual dhe çfarëdolloj opinioni tjetër.
Edhe narrativi i fundit, i cili bën fjalë se pranimi i marrëveshjes është kusht ekskluziv për marrjen e datës, është plotësisht i gabuar. Bindja dhe (vetë)mashtrimi i pushtetit dhe opinionit publik se janë duke u zhvilluar bisedime, jo për statusin përfundimtar të Kosovës, por bëhet fjalë vetëm për probleme teknike, nëse nuk ka ndonjë prapaskenë (dhe kjo në shoqërinë serbe nuk përbën ndonjë precedent), shpie në rritjen e rezistencës ndaj integrimit në BE, me të cilin shoqëria jonë duhet të përballet patjetër. Deri tani çdo pushtet e ka konsideruar opinionin publik serb si të papjekur, jo sa duhet të vetëdijshëm për interesat e tij dhe jo sa duhet i mençur që të marrë vendime për të mirën e tij. Ka ardhur koha që ky pushtet, me këtë mbështetje kaq masive që ka, t’u ofrojë besimin e duhur qytetarëve të tij. Problemi i bisedimeve është problem për të ardhmen e shtetit tonë, dhe jo problem i datës dhe i fondeve europiane të pranimit në BE, e cila ndodhet në një krizë të thellë financiare, por për zgjidhjen përfundimtare të çështjes shtetformuese serbe.
Në momentin kur kjo qeveri ka mbështetjen e pothuajse tetëdhjetë për qind të qytetarëve, duhet ta kapitalizojë këtë realitet dhe të bëjë një prerje përfundimtare, të thellë, por të shëndoshë, dhe të pranojë pavarësinë e shtetit fqinj të Kosovës. Ky gjest i papritur do t’i befasonte që të gjithë pjesëmarrësit në bisedime dhe do ta shpinte palën serbe në një përparësi të patregueshme: sepse cila pikë e marrëveshjes teknike, cili është ai problem mbi shëndetësinë, shkollën apo çështje të tjera të ndërlikuara, që faktori ndërkombëtar dhe pala kosovare nuk do të mund t’i pranonte
dhe çfarë do të mund të sillte si argument sikur Serbia, në këmbim të tyre, do të ofronte gjithçka? Por, më shumë se kaq, Serbia përfundimisht do të kishte rastin të bisedonte edhe për probleme thelbësore për jetën e qytetarëve të saj në Kosovë, pa marrë parasysh se në cilën pjesë të territorit jetojnë ata, por tashmë me kërkesa maksimale, duke iu drejtuar palës tjetër në bisedime se po ofron shumë më tepër se sa një letër të zbrazët.
Pranimi i pavarësisë së Kosovës do të ishte një lëvizje shtetformuese e Serbisë, nëpërmjet së cilës do të siguronte sovranitet të plotë në tërë territorin e saj, do të mbyllte njëherë e mirë problemin e kufijve, do të realizonte dinjitet në vendimmarrje dhe para së gjithash do të përmbushte kushtin e ekzistencës së imperativit moral të cilin e sendërton sovraniteti. Ky do të ishte një hap vendimtar përpara, një investim për të ardhmen e shtetit, i cili vetëm në këtë mënyrë do të mund të kapitalizonte humbjen, do të mbyllte njëherë e mirë historitë e së kaluarës dhe do të bënte që të vazhdohej me tej me synimin e sigurt që të mos përsëriten më të njëjtat gabime.
* Autorja është shkrimtare serbe, marrë nga revista “NIN” në Beograd
Përktheu: Xhelal Fajza

/Panorama/

Comments

Submitted by Saimir (not verified) on

<p>Eshte mire qe shkijet kane hapur nje debat te tille, pasi oponenca e ketij debati ne NIN eshte bere nga Emir Kosturica, i cili prerazi shprehet kunder alternatives Europiane te vendit te tij dhe vazhdon te kembengule qe Kosova eshte Serbi. E vecanta eshte se ai ashtu si edhe nje shqiptar-urryes tjeter, Vuk Jeremic, qe perbejne zera te artikuluar si ekstreme, jane qe te dy joserbe, por bosnjake te perzier me serbe. Cfare i shtyne keto ne ekstreme, ndjenja e inferioritetit dhe deshira me deshmu se jane besnike te vendit ku jetojne, apo thjeshte jane te pakthjellte e jetojne ne boten e legjendave te qiriut e shlivovices ku mbasi kane marre bekimin e popit mendojne e punojne per masakren e radhes.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.