Braho: Ju tregoj puçin e Berishës me milionat e tatimeve

Postuar në 25 Janar, 2014 03:17

Braho: Ju tregoj puçin e Berishës me milionat e tatimeve
“Komplot financiar i Berishës me bandën e tij. Kanë fshirë 4.3 milionë deklarata të kompanive private. Prokuroria nën presionin e politikës dhe të Shkëlzenit”
Spartak Braho: Kam video për fshirjen e serverit të tatimeve
Publikuar më 25.01.2014 | 8:36
265 4
Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, shprehet se përmes kontrollit në Drejtorinë e Tatim Taksave është mundur që të zbulohet komploti financiar i ish-kryeministrit Berisha dhe të bashkëpunëtorëve të tij.

Në një intervistë për Ora News, Braho thekson se nga serverët e tatimeve ishin fshirë 4. 3 milionë deklarata fiskale, ndërsa evazioni fiskal shkon në qindra milionë euro.

Z. Braho çfarë ishte videoja që ju paraqiste juve në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim-taksave?

Duke më akuzuar mua që nuk kam të drejtë të vete në institucionet e shtetit dhe respektivisht në Drejtorinë e Tatim- Taksave.

Unë kryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, një komision mjaft i rëndësishëm dhe që lidhet edhe me një tjetër pozicion timin si anëtar i Komitetit Qendror të Sigurisë Kombëtare që drejtohet nga Kryeministri.

Në një mbledhje të posaçme të këtij komiteti u ngrit një shqetësim nga Ministri i Financave dhe që lidhej me zbulimin e një evazioni që kishte ndodhur nga 2 subjekte, të cilat në bashkëpunim me disa firma kineze fantazmë kishin arritur të grabisnin nga Thesari i Shtetit rreth 5 milion dollarë.

Pas kësaj ngjarjeje, natyrisht gjendja u vlerësua dhe Kryeministri urdhëroi që ministri i Financave dhe unë të bënim një inspektim në Drejtorinë e Tatim Taksave.

Biseduam me drejtoreshën dhe ajo evidentoi disa shqetësime. Për të qenë korrekt me kontrollin, i sugjerova ministrit që të ngremë një grup auditi për këtë problematikë. Ministri më datë 12 nëntor 2013 ka urdhëruar një grup pune, në përbërje të të cilit janë:

Panajot Gjiknuri, përfaqësues dhe drejtor i IT-së në Ministrinë e Financave, Ermal Beqiri, Olsi Karapici, Thanas Iraldi, Florian Vranezi. Këtyre iu dha detyrë që të gjurmojnë të dhënat përkatëse në serverët qendrorë në Tatim Taksa, ashtu si edhe në serverët periferikë rajonalë.

Z. Braho, po përsa i përket videos që ne sapo transmetuam?

Bëhet fjalë për datën 15, 16 nëntor dhe konstatuam parregullsitë dhe ndërkohë filloi punën grupi i auditit. Fillimi i punës së auditit i alarmoi pjesëtarët e këtij komploti, të cilin unë e kam cilësuar komploti i madh financiar. Këta janë të gjithë bashkëpunëtorë të Sali Berishës.

U alarmuan dhe u vunë në lëvizje për të ndrequr, për të rregulluar, për të fshirë të gjitha paudhësitë e tyre. Pas kësaj u konstat- uan 4.3 milionë deklarata të fshira, të cilat specialistët e auditit i konstatuan.

Është i drejtë alarmi i drejtoreshës pasi është një skandal i tërë që në këtë sektor të veçantë, hyjnë persona të paautorizuar

Kjo është arsyeja që prokuroria ka filluar hetimet, të cilat nuk bëjnë fjalë vetëm për parregullsi dhe shpërdorime ndaj aparaturave të rëndësishme, aty është dëmtuar libri elektronik i cili fsheh miliona euro evazion fiskal.

A rikuperohen dot?

Të gjitha rikuperohen dhe të gjitha janë zbuluar. Do t’i hapim petët e byrekut. Por, ka një aspekt që çështja është në hetim dhe ne respektojmë ligjin dhe nuk do të flasim për hollësira. Është ngarkuar Task-forca e Tiranës për ta hetuar, por nuk mund ta hetojë Shkëlzen Ternova këtë çështje.

Duhet ta hetojnë ata që janë, por që duhen mbështetur fort sepse janë nën presionin e politikës dhe Shkëlzenit. Këta kanë marrë videot e qendrës së survejimit të institucionit, i kanë prerë dhe kanë çuar tek News 24, atë pjesë tek hyj unë dhe pjesëtarët e auditit dhe lëviz drejtoresha e institucionit. Por këto televizione i prenë këto pamje, përse nuk i transmetuan, përse i manipuluan.

Çfarë po ndodh me hetimin e kësaj çështjeje? Çfarë përmban çanta?

Nga ajo e vjetra kanë mbetur disa gjëra. Ajo i shërbeu kohës sepse pastroi politikën, faktorizoi LSI-në dhe personazhet kryesorë të saj dhe natyrisht bëri të mundur atë koalicion që fitoi edhe zgjedhjet.

Po kjo çantë çfarë përmban?

Kjo çantë ka në vija të përgjithshme komplotin financiar të Sali Berishës.

Kush e ka bërë komplotin, Sali Berisha?

Direkt Sali Berisha bashkë me bandën e tij financiare.

Ja keni çuar prokurorisë?

Ja kam çuar institucionit të prokurorisë, dhe ne po presim prokurorinë të hetojë të tërë këtë komplot financiar, tërë këtë gropë qindra milionë dollarëshe evazion, vjedhje, shpërdorime parash të taksapaguesve shqiptarë.

Kjo ishte edhe arsyeja pse nuk u pranua komisioni hetimor, sepse çështjen po e heton prokuroria. Ne do mbështesim prokurorinë, por këtë gjë duhet ta bëjë edhe opozita, mos të nxjerrë video të manipuluara, duke futur në qorrsokak edhe televizione të nderuara.

Z. Braho, sa ishin fshirë në total nga serverët, 4. 3 milionë deklarata fiskale?

S’ka rëndësi fshirja, por rëndësia ka evazioni fiskal, i cili shkon në qindra milionë euro.

Ju më thatë që keni edhe video të tjera, të cilat nuk tregojnë vetëm hyrje dalje, por edhe ndërhyrje...

Video nuk do të thotë vetëm filma, pamje nga hyrje-daljet. Video do të thotë edhe bilance financiare, ekonomike, etj. Kam edhe një video ku paraqet konferencën e shtypit të Sali Berishës bashkë me Rinald Ristën krah për krah.

Do i publikoni ndonjëherë ato video që ju dispononi?

Këto video janë marrë që andej dhe pretendon Rinald Rista që i ka dorëzuar në prokurori dhe nga prokuroria paskan vajtur nëpër televizione.

Këtë video që kemi ne, e ka çuar institucioni i prokurorisë?

Nuk kam informacion për këtë gjë... Ato që kam unë, di unë ku i çoj, dhe di unë ku lipsen..në momentin dhe në kohën e duhur.

Këtë video ju e keni?

Ka një specifikë për këto filmimet që bëjnë këto kamerat. Ato kanë një jetëgjatësi një muaj dhe pas një muaji fshihen të tëra. Imagjino çfarë kanë instaluar ata...

Ndërkohë, që të tëra filmimet aty duhet t’i rezistojnë, jo një muaji, por një viti, dy vite, sepse nëpërmjet asaj merret vesh kush hyn e kush del. Domethënë këto kamera duhet të kishin filmuar tri vite rresht për të parë kush ka hyrë e kush ka dalë.

Ne kemi vetëm tre muaj, dhe e dimë se kush ka hyrë e kush ka dalë. Pra kanë hyrë dy banditë, shokë të Rinald Ristës, dhe një i afërm i Sali Berishës. Videot që ju dispononi, do t’i vini në dispozicion të prokurorisë, në rast se prokuroria do t’jua kërkojë? Padyshim! Kjo video ka vlerë për prokurorinë.

Berisha më ngjall mallin e ‘96-s

A mendoni se Shërbimi Informativ Shtetëror do të reformohet pas një konsensusi gjithëpërfshirës në Kuvend?

Reforma dhe reformimi i institucioneve është i domosdoshëm, jo vetëm për SHISH-in.

Për këtë reformë që po përgatitet për sistemin e drejtësisë, ju votat e nevojshme i keni, por a do kërkoni konsensusin edhe të opozitës?

Ata nuk kanë vullnet, duan të pengojnë çdo gjë. Kisha një lloj iluzioni, por Sali Berisha është kthyer në ’96-n prapë. Më ngjall mallin e ’96-s, por atëherë ishte i ri kurse tani është bërë plak i keq. Sikur nuk i ka lezet që të bëjë karagjozin në Kuvend e kudo qo del.

Z. Braho, flitet në media se, ndoshta ju mund të jeni një emër potencial për postin e kryeprokurorit të vendit. Në rast se do t’ju ofrohej një gjë e tillë, ju do e pranonit?

Prokuror jam, edhe pa qenë. Është larg konceptit tim. Mënyra se si është organizuar Prokuroria nuk është në konceptin tim.

A keni ju një vlerësim për kryeprokurorin e vendit?

E vlerësoj si një djalë të zotin, me përvojë, por që trimi i mirë duhet të jetë me shokë shumë.

S’ka shokë po thoni ju?

Shokë ka, por edhe duhet t’i gjejë, duhet t’i qëmtojë. Dhe duhet të mos i ndërhyjë politika. Edhe Presidenti duhet ta mbështesë, të mos i vërë kushte që vër këtë apo vër atë.

Pse mund të ketë ndonjë kusht Presidenti?

Epo, nuk mund të vihet prokuror Shkëlzen Tërnova dhe të hetojë këtë çështje, e cila është çështje e shekullit. Ato që ka bërë Khodorkovksy në Rusi nuk janë asgjë para këtyre.

Berisha: Rama urdhëroi fshirjen e të dhënave nga serveri

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama se ka urdhëruar futjen e personave të paautorizuar brenda Drejtorisë së Tatimeve për të vjedhur të dhënat. Pas akuzave nga Kryetari i Komisionit të Sigurisë se është komplotist ndaj të dhënave të tatimeve, Berisha shprehet se me urdhër të drejtpërdrejtë nga kreu i qeverisë është urdhëruar fshirja e tyre.

“Në nëntorin që kaloi, Rama, që çirrej dje në Parlament i kapur me presh në dorë dhe i shpërfytyruar si bipolar, nga fundi i tetorit, urdhëroi këshilltarin e tij të IT-së, E. Beqiri dhe vëllain e ministrit Gjiknuri,

Panajotin, që të thyejnë kodet e të hynë në sistem dhe të vjedhin të gjitha deklaratat fiskale të vendit. Këta dy ciber-kriminel, sipas fakteve të sigurta, provuan dhe arritën në dhunim të të gjitha ligjeve të dekodojnë passwordin e sistemit, por nuk realizuan dot kopjimin e të dhënave.

Pas këtij dështimi Rama i urdhëron ata që të futen direkt në sistem, të marrin të dhënat pa paraqitur asnjë dokument”,shkruan Berisha. Sipas tij, në një kohë që drejtori i IT-së ndodhej i arrestuar, drejtoresha e Tatimeve urdhëroi punonjësit t’i japin të dhënat, por ata përsëri refuzuan.

“Drejtuesi dhe punonjësit e sistemit të IT-së të Tatimeve refuzuan dhënien e të dhënave mbasi sipas Kodit Fiskal ato të dhëna nuk mund të jepen kurrë pa miratimin e personit që ka firmosur deklaratën ose vendimin e gjykatës.

Pas kësaj, për të marrë me çdo kusht të dhënat, Rama urdhëron arrestimin dhe mbajtjen në qeli për tre ditë të drejtorit të sistemit të IT-së, Renald Rista, arrestim të cilin gjykata e shpalli të paligjshëm. Ndërkohë që drejtori ndodhej i arrestuar, drejtoresha e Tatimeve urdhëron punonjësit, në kundërshtim me ligjin, të japin të dhënat, por ata, në zbatim të ligjit, përsëri refuzojnë.

Rama i vendosur të marrë me çdo kusht të dhënat urdhëron arrestimin e punonjësve të IT-së të Tatimeve dhe sipas dokumenteve të pakontestueshme, ciber-kriminelët Beqiri - Gjiknuri kopjojnë për 72 orë 4.3 milionë deklarata fiskale dhe më pas fshijnë tërësisht nga serverët të gjitha deklaratat e kopjuara”, shkruan Berisha.

Në postimin tij, ish-kryeministri thekson se me manipulimin e deklaratave, kryeministri Rama ka qëllime të mirëfillta vjedhjeje duke shumëfishuar borxhin e shtetit ndaj bizneseve.

“Të manipulohen gjobat, të shumëfishoheshin gjobat për kundërshtarët politikë dhe të bëhen objekt pazaresh midis bizneseve dhe klanit Rama -Meta.

Rama, tani i kapur në qark, kërcënon mediat që dhanë videon dhe ka marrë për avokat Spartak Brahon, kurse Damiani u thotë mediave se Panajoti ka qenë jashtë shtetit në kohën e kontrollit të sistemit, thekson Berisha.

Shekulli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.