Visar Zhiti mer çmimin e madh : Shpërblimin ma dha Shqipëria tjetër

Postuar në 21 Dhjetor, 2012 12:22

Ministria e Kulturës pas një periudhe të gjatë heshtjeje ka dhënë verdiktin e saj për letërsinë më të mirë të vitit. Juria e përbërë nga Amik Kasoruho (kryetar) dhe anëtarë: Sali Bashota, Eqerem Basha, Ali Aliu, Arjan Leka, Mimoza Hysa dhe Gentian Çoçoli kanë përzgjedhur si fituesin e Çmimit të Madh shkrimtarin Visar Zhiti me motivacionin “Për prurjet në nivel të lartë artistik e estetik që ka përcjellë në Letërsinë bashkëkohore shqipe, nëpërmjet korpusit letrar të veprës së krijuar prej tij”. “Kam emocion të thellë që me këtë çmim u bashkohem shkrimtarëve të tjerë që u nderuan me çmime. Unë u takoj atyre krijuesve që iu ndalua të botonin, prandaj e mendoj këtë çmim si një shpërblim për të gjithë ata që iu mohua ashtu si dhe unë, e mendoj dhe si një shpërblim që ma dha Shqipëria tjetër, që e pranoi këtë letërsi që ne krijuam”,- tha shkrimtari Visar Zhiti. Ky vit për shkrimtarin Zija Çela paska qenë viti i çmimeve të rëndësishme. Pas çmimit “At Zef Pllumi” për prozën, shkrimtari Çela hyn dhe në listën e fituesve të çmimeve kombëtare me romanin “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”. Çmimi që mban emrin “Petro Marku” iu dha për kodet e ligjërimit dhe risitë e përcjella nëpërmjet një forme autentike të narracionit, duke pasuruar me vlera të qenësishme prozën romanore shqipe. Për stilin unik që sjell me letërsinë e tij, Moikom Zeqo vlerësohet me çmimin “Mitrush Kuteli”, me vëllimin me tregime “Klepsidra”. Ai u vlerësua për prurje origjinale në vijimësi në artin e tregimtarisë si dhe një stil unik letrar. Me çmimin “Lasgush Poradeci” u vlerësua poeti Rudian Zekthi për vëllimin me poezi “Panair”, nëpërmjet të cilit autori spikat në thurjen e monologut poetik që tirret përmes imazheve e formave meditative, duke përcjellë vlera dhe risi origjinale në poetikën shqiptare. Shaban Sinani me veprën e tij “Camaj i paskajuar” vlerësohet me çmimin “Faik Konica”, për trajtimin me nivel shkencor dhe origjinalitet e mendimin kritik mbi veprën letrare të Martin Camajt. Librit eseistik “Leximi i ndaluar dhe shkrimet e fshehura” i shkrimtares Mira Meksi i ishte rezervuar çmimi “Gjergj Fishta”. Për përkthimin jepen dy çmime, një për veprën e një për karrierën. Për përkthimin e veprës “Nokturnet e Kilit” të shkrimtarit Roberto Bolanjo, çmimi “Fan Noli ndahet mes dy përkthyesve, Bashkim Shehut dhe Edlira Hoxhollit, ndërsa çmimi i karrierës

“Jusuf Vrioni” shkon për përkthyesin Aleksandër Zoto, për kontributin e gjithanshëm e të shumëçmuar në përkthimin dhe promovimin e dhjetëra shkrimtarëve dhe veprave të letërsisë shqipe në gjuhën dhe kulturën franceze. Ndryshe nga juria e Panairit të librit, ajo e ngritur nga Ministria e Kulturës e ka një çmim edhe për letërsinë për fëmijë. Çmimi “At Donat Kurti” iu dha

shkrimtarit  Ruzhdi Gole, me librin “Kureshtja për t’u rritur”, duke e vlerësuar  veprën e tij si një hop emancipues të zhanrit të letërsisë sonë për fëmijë dhe të rinj. Në fund një çmim edhe për krijuesit e rinj. Çmimi “Migjeni” është për shkrimtarin debutues Plator Ulqinaku, për vëllimin poetik “Libri i qëndresës”, duke e vlerësuar për një hap të parë të pjekur dhe premtues në poezinë shqipe.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.