TemA TV/ Arvizu takon Metën: Investitorët amerikanë duan transparencë

Postuar në 18 Korrik, 2013 15:05

Ambasadori i SHBA-ve Alexandër Arvizu tha gjatë një takimi që zhvilloi me kryetarin e LSI-së Ilir Meta se investitorët e huaj kërkojnë më shumë qartësi, transparencë dhe më shumë parashikueshmëri, në tregun shqiptar.

Kreu i LSI-Ilir Meta deklaroi se partnerët ndërkombëtarë ndajnë të njëjtat qëllime për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.

“Ndajmë qëllime të përbashkëta për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë, e cila duhet të bazohet në një situatë ekomomike më të mirë, në një klimë biznesi më të mirë dhe në mundësi të reja për investitorët e huaj, në mënyrë të veçantë ata amerikanë, për të zgjeruar prezencën e tyre në vendin, për të qenë shembull pozitiv për tërheqjen e investimeve të tjera nga Amerika, Evropa etj në Shqipëri,”theksoi kreu i LSI-së.

Partneri kryesor i PS-së në qeverisjen e pas 23 qershorit tha se bashkëpunimi i Dhomës Amerikanë të Tregtisë me të gjitha institucionet dhe me qeverinë shqiptare, në mënyrë që kjo klimë biznesi të përmirësohet në mënyrë thelbësore.

Ambasadori amerikan në Tiranë Arvizu vlerësoi rolin kyç që kreu i LSI-së do të ketë në qeverinë e re.

Arvizu theksoi se Shqipëria ofron mundësi të mëdha investimi dhe amerikanët po kërkojnë mundësi të reja.

“Kemi folur për punësimin dhe ekonominë, punësimin dhe ekonominë, punësimin dhe ekonominë. Si amerikanë jemi realist për sa i përket arsyeve gjeografike, traditës dhe historisë që disa nga partnerë strategjikë të Shqipëria si Italia, Greqia, Austria, Turqia etj, kanë disa avantazhe për të qenë investitorë të mëdhenj këtu. Por amerikanët janë gjithmonë në kërkim të oportuniteteve dhe mundësive të reja. Ajo që unë kuptoj qartë sa herë që flas me investitorë amerikanë është se në Shqipëri ka mundësi të mëdha investimi. Cilësia e forcës së punës, edukata për etikën e punës është shumë e lartë. Ne kemi biseduar sa i përket përmirësimit të klimës së biznesit. Na duhet më shumë qartësi, më shumë transparencë, më shumë parashikueshmëri”, vuri në dukje diplomati i lartë i SHBA-ve.

Përfaqësuesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Marc Crawford tha se punësimi është një ndër tematikat më rëndësi që prek mbarë globin ndaj e tillë duhet të jetë edhe për Shqipërinë.

“Punësimi është një tematike kryesore në Amerikë, në tematikë kryesore në botë dhe është një tematikë tek e cila duam të fokusohemi edhe këtu në Shqipëri. Sepse sektori privat nuk pret që të jetë qeveria ajo që i krijon këto vende pune, por sektori privat dhe veçanërisht Dhoma Amerikane e Tregtisë pret një strukturë sa më konkrete, sa më koncize dhe sa më konsistente dhe qartësi nga qeveria përsa i përket funksionimit të biznesit në këtë vend”.

 

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.