Spiegel: S’paguajnë taksa 70% grekë. FT: Hetim ish ministrave

Postuar në 02 Nëntor, 2012 08:00

Gazetat e njohura Financial Times dhe Der Spiegel i kanë kushtuar sot faqen e parë, çështjes së listës “Lagarde” dhe evazionit fiskal në Greqi. 

Financial Times: Ish ministrat grekë të hetohen
Gazeta Financial Times ngre pyetjen se përse dy ish ministrat grekë të Financave, nuk e përdorën listën me emrat e grekëve, që kishin kryer transaksione të paligjshme financiare. Sipas saj, ministrat Jorgos Papakonstantinu dhe pasardhësi i tij, Evangelos Venizelos, mund të përballen me akuzën për neglizhencë, nëse parlamenti kërkon gjykim. 
Gazeta mbështetet në mendimin e juristëve që thonë se Parlamenti duhet të hetojë se përse dy ish-ministra të financave nuk kanë ndjekur çështjen e mbi 2000 evazorëve fiskalë të dyshuar, emrat e të cilëve ndodheshin në listën Lagarde. "Në vitin 2010, z Papakonstantinu mori nga zonja Christine Lagarde, e cila atëherë ishte Ministre e Financave, një CD me listën e depozituesve greke në Zvicër, por nuk kërkoi nga policia financiare që të kryhej një hetim i plotë. Ai më vonë pranoi se lista kishte "humbur". 
Gazeta gjithashtu i referohet edhe gjykimit dhe lirimit të gazetarit Kostas Vaksevanis. Sipas FT, rasti i persekutimit të gazetarit, ka ngjallur kritika të forta për sistemin e drejtësisë në Greqi. "Në vend të arrestonin evadorët fiskalë, arrestuan gazetarin që publikoi emrat e të dyshuarve", shkruan Financial Times. 

Der Spiegel: Në Greqi, të pasurit nuk paguajnë taksa
"Grekët e pasur vazhdojnë t’iu shmangen taksave, ndërsa shtresa e mesme e vendit vazhdon t’iu nënshtrohet masave të rrepta shtrënguese", thotë një artikull i ri në revistën gjermane Der Spiegel, duke komentuar zhvillimet e fundit në Greqi. "Është e qartë se taksapaguesit grekë nuk trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të drejtë", thotë Spiegel. "Të pasurit, mjekët, avokatët dhe inxhinierët në Greqi vazhdojnë t’iu shmangen taksave", thotë revista, dhe duke cituar një studim të kohëve të fundit, shton se 7 në 10 greke vazhdojnë të bëjnë evazion.

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.