Shqipëria zero lekë nga BE për krizën, Greqia, sa 100 buxhete tonat

Postuar në 13 Maj, 2013 07:59

 

Jashtë FMN dhe larg BE-së, Shqipëria gjendet tërësisht e pamonitoruar në zhvillimet ekonomike të saj. Në këto kushte rrezikojmë edhe këshillat, ndërsa për ndihma në vlera monetare as që bëhet fjalë. Këto ditë Greqia mori nga Fondi i Shpëtimit i BE-së 350 miliardë euro, shumë kjo baras me 100 buxhete shqiptare

 

Fondi Europian i Shpëtimit do të alokojë këto ditë 532 miliardë euro në formën e kredive emergjente për 5 shtete të Bashkimit Europian që janë goditur më së shumti nga kriza. Nga kjo vlerë, pjesa më e madhe, rreth 350 miliardë euro do të shkojnë për rimëkëmbjen e Greqisë. Shteti i Ballkanit, pjesë e Bashkimit Europian, do të mbështet me një vlerë sa 100 vite buxheti i Shqipërisë, në mos më shumë. Irlanda mori 85 miliardë euro, Portugalia 78 miliardë, Spanja 100 miliardë dhe Qipro rreth 10 miliardë euro.

 

Fatkeqësia shqiptare nga mosintegrimi

Më shumë sesa kredibiliteti dhe lëvizja e lirë, integrimi në Bashkimin Europian do të ishte mbrojtja e sigurt nga pasojat fatale të një krize ekonomike. Humbja e shanseve për të marrë disa miliona euro si mbështetje për bujqësinë nga mosmarrja e statusit së vendit kandidat është shumë pak në krahasim me ndihëm që BE jep si këshillues dhe mbështetës në rast krize ekonomike, ndaj së cilës vendi ynë është drejtuar. Nuk duhet shumë llogari. Shihni Greqinë fqinje. Ka një popullsi vetëm 11 milionë banorë dhe tani që është në krizë ka një buxhet vjetor 54 miliardë euro, ndërsa mori këto ditë kredinë prej 350 miliardë eurosh nga Fondi Europian i Shpëtimit. Për krahasim, vendi ynë ka një popullsi 3.5 herë më të vogël se Greqia, por edhe një buxhet shumë herë më të ulët, 13 fish më pak. Shto këtu edhe rentabilitetin e mbledhjes së taksave, përgjysmë në raport me Greqinë e krizës. Por më e keqja gjendet në faktin se ne nuk kemi asnjë shans për të siguruar mbështetjen europiane, nëse në një moment mund të gjendemi në të njëjtat kondita si Greqia. Borxhet tona janë në rritje dhe ekonomia po zhvillohet më pak se mundësitë e saj. Ekspertët në Ministrinë e Financave dhe në Bankën e Shqipërisë nuk janë optimistë. Jemi larg nga anëtarësimi në BE dhe kemi dalë nga asistenca e ngushtë që na jepte Fondi Monetar Ndërkombëtar. Nëse FMN do të vijonte me marrëveshjet si në vitet 2000-2005, qeveria shqiptare nuk do të kishte mundësi të bënte politika fiskale në mënyrë të pavarur. Nuk do të lejohej t’i jepeshin para KESH-it sa herë që nuk bie shi. Nuk do të lejohej të aplikohej një deficit buxhetor në limitet që do të cenonin borxhin. Pozicioni i tanishëm i vendit ndodhet në zgrip, për shkak se ekonomia po rritet rreth normës 1-2%. Borxhi ka kaluar limitin në më shumë se 60.7 për qind në fund të vitit 2012. Investimet, konsumi dhe punësimi janë në rënie. Kriza është drejt thellimit dhe vendi është jashtë strukturave monitoruese. Marrja e statusit do të na përfshinte në një monitorim më të afërt të treguesve ekonomikë dhe buxhetorë, duke e bërë ekonominë më pak të riskuar dhe më shumë të mbrojtur ndaj luhatjeve.

 

Plani i shpëtimit për Ballkanin nuk funksionon

Përballimi i krizës është përtej mundësive të Shqipërisë, madje kryeministri i vendit, Sali Berisha, ua ka faturuar fajin për telashet që po kalon vendi FMN-së dhe Bashkimit Europian. “Motorët kryesorë të këtij sistemi kanë vështirësi e probleme serioze. Zona jashtë saj euros përballet me pasojat e kësaj krize dhe e vërteta është se përqendrimi për ta kufizuar këtë krizë në zonën ku ajo ndodhet është pothuaj inekzistent. Ndaj, thirrja ime si për Komisionin Europian e në mënyrë të veçantë për institucionet e Bretton Ëood është që të përpunojnë një strategji ndihme”, bëri thirrje kryeministri Berisha vitin që shkoi gjatë një konference ekonomike. Në fakt institucionet më të rëndësishme financiare të botës gjatë vitit 2012 morën në shqyrtim mundësinë për krijimin e një varke shpëtimi për disa vende të Europës Juglindore, kryesisht në Ballkan, duke përfshirë edhe Shqipërinë, të cilat janë goditur rëndë nga kriza në Greqi dhe efekti i saj në rajon. Krerët e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe Bankës Europiane të Investimeve diskutuan e morën nismën për planin. Paketa e ndihmës së këtyre institucioneve u vlerësua15 miliardë euro që jepej për pesë shtetet ballkanike që janë prekur nga kriza, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Kroacia, të cilat së bashku kanë një popullsi jo më shumë se 23 milionë banorë, gati sa dyfishi i Greqisë. Mirëpo po kjo mbështetje nuk ka gjasa të ekzekutohet për shkak të disa kushteve të Bankës Botërore që është edhe donatori kryesor. BB e ka kushtëzuar ndihmën me reforma ekonomike, të cilat nuk parapëlqehen nga qeveritë e këtyre vendeve. BB ka ofruar deri në 300 milionë dollarë ndihma për Shqipërinë në fillim të vitit që shkoi, por disbursimi i tyre nuk do të nisë të kryhet as këtë vit, pasi Shqipëri ka tejkaluar kufirin e borxhit. Në këto kushte, vendet e Ballkanit me një ekonomi të brishtë tranzicioni janë goditur rëndë edhe nga kriza ekonomike e BE-së, i  cili po heziton për të ndihmuar këto vende. Donatorët kanë vënë kushte të tilla që jo vetëm Shqipëria por asnjë vend i rajonit nuk ka gjasa t’i plotësojë. Shumica e tyre performuan me rënie të ekonomisë vitin që shkoi. Me rritje të papunësisë, rritje të borxheve dhe përkeqësim të të gjithë treguesve të tjerë. Për shkak të këtyre zhvillimeve plani i shpëtimit për Ballkanin do të mbetet vetëm një teori, dhe sedra e BE-së nuk është cenuar aspak për të zgjidhur problemet e mëdha që janë krijuar duke eksportuar krizën e saj në rajon.

 

Rreziku i brendshëm

Viti 2013 do të jetë po aq i vështirë sa viti që kaluam, sipas Bankës së Shqipërisë, në analizën e zhvillimeve të katërmujorit të parë të vitit. Por si opozita ashtu dhe mazhoranca i kanë pritur me qetësi konstatimet aspak optimiste të shprehura nga vetë guvernatori Fullani. Në katër vitet e fundit ekonomia ka marrë përposhtë, por të gjitha energjitë e politikës dhe opinionit në tërësi kanë shkuar për funksionimin e institucioneve dhe çështjeve që lidhen me zgjedhjet dhe cilësinë e tyre. Politika nuk ka marrë për asnjë moment përgjegjësinë për të arritur një konsensus për atë që duhet bërë për ekonominë dhe shpëtimin e saj nga kriza fatale. Madje gjatë këtyre viteve është kthyer në një risk shtesë. Pasiguria që kanë ngjalluar zhvillimet politike për investitorët e huaj ka rezultuar me kosto më të larta se të gjitha zhvillimet e tjera. Nëse do të vijohet në këtë mënyrë, shumë shpejt do të jetë tepër vonë për të frenuar disa rreziqe që tashmë janë shfaqur.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.