Rama: Zgjidhje përfundimtare procesit të legalizimeve. Të rinjtë, universitet ose zanat

Postuar në 31 Maj, 2013 08:11

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi ditën e sotme një bashkëbisedim me banorët e Fushës së Aviacionit në kryeqytet, të cilëve u premtoi se me ardhjen në pushet të PS do të zgjidhet përfundimisht çështja e legalizimeve si një çështje që lidhet jo vetëm me individin, por edhe me ekonominë kombëtare.

“Çështja e legalizimeve është një çështje kyçe në jetën e qyteteve të mëdha dhe në të gjitha zonat e Tiranës. Dhe kjo nuk është vetëm çështja e marrjes në dorë të një letre, pasi unë besoj se është një çështje e lidhur me ekonominë tonë kombëtare. Legalizimi vë në lëvizje kapitalin që është shtëpia, pasi shkon në bankë dhe kërkon kredi për të hapur një biznes apo të mbjellë drurë frutore dhe për të marrë të ardhura. Kështu dilet nga varfëria dhe papunësia, del nga qorrsokaku, nga ky kapital që e mban të vdekur. Por ky është edhe kapital kombëtar pasi duke i vënë ato në lëvizje, ato kthehen në të ardhura për shtetin”, tha Rama.

Rama premtoi edhe një herë se do ta ndjekë personalisht çështjen e legalizimeve, duke mos e lënë në dorë të ALUIZN-it apo ndonjë strukture tjetër.

Sa i përket çështjes së punësimit të të rinjve, kreu i PS deklaroi se kjo është një nga plagët më të mëdha të shoqërisë shqiptare, që mund të shërohet vetëm përmes hapjes së shkollave profesionale nga të dalin njerëz të përgatitur në një zanat të caktuar, dhe jo të shkojnë të gjithë në universitet e më pas të ngelen pa punë.

“Sot kemi shumë të diplomuar, por zanate asnjë, se janë të gjithë me universitet dhe ëndërrojnë të bëhen kamarierë. Futuni në kafene dhe i keni tërë kamarierët me master. Sepse ka ndodhur një deformim i madh i marrëdhënieve ndërmjet shkollës dhe punës. Të rinjve ne do t’u japim dy rrugë: universitet ose zanat”, tha kreu i PS.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.