Rama: S’na votuan ne, por ndryshimin, Nano dhe Berisha e mbaruan misionin

Postuar në 06 Korrik, 2013 13:29

Kryeministri i ardhshëm në një rrëfim nga politika, piktura e fundit, filmat apo telefilmat e preferuar e deri tek “Makiaveli i ri”, libri që së fundi i ka bërë më shumë përshtypje. Përballë gazetarit Baton Haxhiu, Rama flet ndër të tjera dhe për filozofinë e re të qeverisjes që ka ndër mend pas shtatorit, marrëdhëniet me LSI, Presidentin dhe drejtësinë, por edhe për 3 grupet e këshilltarëve për ekonominë, territorin dhe artin.

 

Cilat kanë qenë pritshmëritë tuaja për rezultatin e zgjedhjeve. Keni pritur më shumë apo më pak, apo kështu siç ndodhi? Keni shëtitur në një Shqipëri gati tribale dhe keni arritur në një Shqipëri plebishitare?

T’ju them të drejtën, ne ishim përgatitur për të fituar, por edhe ne jemi të befasuar pozitivisht nga ky revolucion i heshtur me votë i shqiptarëve. Dhe mbresa më e fortë vjen nga harta e Shqipërisë, e cila është e gjitha e purpurt nga veriu deri në jug, si një shprehje e qartë vullneti që shqiptarët nuk duan të vazhdojnë me politikën e ndasive të vjetra, as me ndasinë e vjetër të së shkuarës komuniste ne dhe ata, dhe as me ndasinë e më të vjetërve që e kanë ushqyer shumë armiqtë e Shqipërisë; veri jug.

Dy gjëra që janë interesante në këto zgjedhje: e ndërrove ngjyrën e kuqe për arsye se në fillim ke qenë pjesë e një revolucioni edhe politik, edhe kulturor, edhe ideologjik në vitet 1990, dhe tash ju pret një revolucion tjetër, ikja nga tranzicioni. Dhe ky është po aq i rëndë sa ai i dikurshmi…

Ngjyra e purpurt është në fakt ngjyra që bashkon të kuqen dhe blunë dhe ne sot kemi një koalicion që shkon nga e purpurta tek e kuqja, por njëkohësisht që ka detyrë madhore që i bashkoi shqiptarët përmes një rruge të re komunikimi me ta dhe përmes një mënyre të re shërbimi ndaj tyre, pa i ndarë në ne dhe ata, pa i ndarë në ata të veriut dhe këta të jugut, duke çuar përpara atë mision që shqiptarët na ngarkuan me votën e tyre për t’u dhënë fund dasive dhe dhënia fund e dasive është guri i themelit në rrugën që ndan tranzicionin nga Shqipëria europiane.

Ju keni fituar betejën me dy liderë, Fatos Nanon dhe Sali Berishën. Dhe natyrisht, këta janë dy liderë që vijnë nga periudha komuniste… a do të thotë se fitorja ndaj tyre është gjithashtu përtej së majtës dhe së djathtës?

Unë nuk dua që të jem medoemos modest, por sinqerisht besoj që ne duhet t’i japim fund edhe kapitullit të një politike, ku edhe fitorja konsiderohet fitorja mbi dikë apo një humbje konsiderohet humbja me dikë, sepse besoj që në fakt këto dy figura dominante të një tranzicioni shumë të vështirë e kanë mbaruar misionin e tyre. Njëri më parë, tjetri më pas, dhe këtu jemi në momentin ku duhet të jemi shumë të vetëdijshëm se mandati që na kanë dhënë shqiptarët nuk është një mandat për të ndryshuar thjesht qeverinë, por është një mandat për një ndryshim shumë rrënjësor të vetë vendit, të modelit qeverisës dhe të mënyrës sesi ne shqiptarët në këto vite e kemi parë dhe trajtuar shtetin, kur kemi pasur në dorë ta ndërtojmë atë. Unë besoj se ky mandat na ngarkon ne me një barrë më të rëndë sesa barra e një fitoreje, me barrën që ne vetë të shkojmë përtej fitores dhe të jemi shumë modestë dhe të përulur në çuarjen përpara të rrugës, për të cilën shqiptarët na vunë në krye të detyrës. Na vunë në krye të detyrës për të hapur një rrugë të re, ku e përsëris nuk duhet të ketë ne dhe ata, në kuptimin e dasisë, por sigurisht palë që janë në korsi të ndryshme drejt Shqipërisë europiane.

A mund të merrni nismën e shkëputjes nga modeli i koncentrimit të plotë të pushtetit qeveritar tek lideri dhe si mund ta bëni këtë, sepse ekziston një traditë e keqe e besimit tek lideri dhe jo e punës në ekip? A keni ekipin e besueshëm që e ka të ngjashëm qoftë shijen për të bukurën, qoftë shijen për një Shqipëri tjetër europiane?

Pyetja besoj lidhet me një pyetje tjetër, a i ka Shqipëria potencialet për ta ndërtuar këtë ekip dhe unë besoj që po. Dhe detyra jonë më parësore është të ndihmojmë që këto potenciale të dalin mbi sipërfaqe, të ndërtojmë një proces transparent ndaj apelimit të këtyre potencialeve dhe të thithjes së këtyre potencialeve që mund të vijnë nga rrugë të ndryshme. Në këtë fushatë unë kam njohur njerëz fantastikë që kanë kontribuuar për fitoren e Partisë Socialiste, por ka edhe shumë të tjerë, që unë s’i kam njohur, apo që ne s’i kemi njohur, që janë pjesë e atyre 1 milion votave që ka marrë Aleanca për Shqipërinë Europiane. Dhe është një pjesë akoma që nuk janë pjesë e atyre votave e që jetojnë jashtë shtetit ose edhe që nuk na kanë votuar, por që kanë çfarë t’i ofrojnë këtij vendi. Ne duhet t’u japim të gjithëve mundësinë që ta bëjnë ofertën e tyre. Sigurisht, kjo nuk do të thotë që gjithkush të gjejë një vend pune në shtet, por kjo do të thotë që shteti t’u gjejë punëve që ka njerëzit e duhur dhe jo njerëzve punën. Kjo është e mundur dhe unë dëshiroj dhe do të bëj çmos që vetë Kryeministria të jetë një shembull i krijimit të një skuadre brilante, me talente brilante, me njerëz që nuk vijnë thjesht nga rruga e bashkëpunimit me mua, por vijnë edhe nga rrugë të tjera duke propozuar dhe duke ofruar kontributin e tyre.

A mund ta keni për projekte të mira një tender të hapur, sepse njerëzit vijnë, por e kanë të pamundur të trokasin në dyert burokratike për faktin se u frikësohen projekteve të mira?

Për këtë po flasim, që të krijojmë mundësinë që në këtë proces të ndërtimit të një shteti të besueshëm të kujdesemi për burimet njerëzore të këtij vendi, duke u kujdesur që ata të cilët janë në punë sot, me meritë, jo sepse janë kushërinjtë e dikujt që deri dje ishte në pushtet ose sepse kanë paguar dikë, ose sepse vijnë nga një shërbim fanatik partiak por jo nga aftësitë e tyre, pra ata që janë në punë realisht nga merita e tyre, të qëndrojnë në punë. Por sigurisht edhe ata që kanë kontribuuar për fushatën dhe kanë aftësitë. Fitorja jonë nuk duhet të përjashtojë askënd tjetër që nuk ka qenë pjesë e fushatës. Shqipëria ka nevojë për një ekip. Ne kemi detyrën t’u japim mundësinë atyre që të bëhen pjesë e një ekipi.

A jeni gati që ju si kryeministër ta bëni transferimin e pushtetit nga njeriu tek pushteti?

Mos harrojmë edhe një gjë tjetër që është më prozaike, por është shumë e rëndësishme. Ne kemi fituar në një koalicion, në një Aleancë për Shqipërinë Europiane dhe kemi një partner që është strategjik dhe është shumë i rëndësishëm për të gjithë ekuilibrat e qeverisjes, çka do të thotë se sot më shumë se më parë është e qartë se nga bashkimi i PS-së me LSI-në, përfituesit më të mëdhenj do të ishin ata që e kundërshtuan këtë bashkim, që do të thotë se ata që e kundërshtuan këtë bashkim në emër të moralit, sot janë përfituesit më të mëdhenj, sepse të dyja këto forca do të jenë shumë të kujdesshme që të jenë në lartësinë e arsyeve që i kanë bashkuar dhe të mos provojnë si të vërteta të gjitha ato arsye që janë rreshtuar pse nuk duhej bërë bashkimi. Dhe thënë kjo, shtoj që ky bashkim është garancia e parë për faktin se modeli qeverisës nuk mund të jetë modeli i pushtetit të një njeriu dhe qeverisja nuk mund të jetë shfaqja e një njeriu.

85 mandate janë 1 milion vota kundër qeverisjes së shkuar ‘Berisha’, por që pati brenda edhe Metën. Ju do jeni një qeverisje Rama-Meta. A i frigoheni se mund të ndëshkoheni rëndë nëse së paku provoni të jeni si qeverisja e kaluar?

Mendoj se kjo votë plebishitare është mesazh i qartë: “Nuk kemi zgjedhur ju, kemi zgjedhur domosdoshmërinë për ndryshim. Bëjeni ndryshimin, ose do ta paguani ndoshta edhe më keq se ç’e pagoi ky që na çoi në rrënim”. Kështu e lexoj unë këtë votë.

A do rrisni numrin e ministrive?

Kjo është një çështje që do të duhet të diskutohet imtësisht me aleatin tonë strategjik. Por ajo që unë mund t’ju siguroj, edhe nëse do të ketë, nuk e di, mund të ketë më pak ose më shumë. Pavarësisht numrit të ministrive, ju siguroj që do të ketë më pak shpenzime qeveritare.

Zakonisht, kur ikin nga detyra njerëzit që e kryejnë detyrën mirë harrohen nga të gjithë dhe ky është zakon ballkanik. A keni një dëshirë që ta kemi diku Ina Ramën, për mua një prej personaliteteve që e ka mbajtur peshën edhe të detyrës, edhe të situatave mjaft serioze gjatë gjithë kësaj…?

Unë kam respekt për të, por nuk dua të spekuloj, sepse bëhet fjalë për një person konkret. Është një pyetje që ju duhet t’ia bëni asaj nëse ajo ka dëshirë. Ne duam të përfshijmë të gjitha talentet dhe potencialet më të mira të këtij vendi brenda apo jashtë Shqipërisë, për të kontribuar në këtë përpjekje të madhe, për të rilindur këtë vend dhe për të ecur më shpejt drejt Bashkimit Europian. Tani edhe sloganet i kemi bashkuar.

A mendoni se mund të riktheni Edi Ramën e vitit 2001, kur keni qenë një nga personalitetet më popullorë?

Nuk kam asnjë dyshim.

Me çfarë po flasim për skenën politike të Kosovës, sa e përcillni dhe çfarë mendoni për partitë dhe për Vetëvendosjen?

Është e vërtetë që e kam vlerësuar Vetëvendosjen, siç është e vërtetë që nuk e kuptoj më Vetëvendosjen. Por, mbase është caku im i aftësive për të kuptuar edhe pse shumë dashamirësisht do t’u sugjeroja miqve të Vetëvendosjes që ta rishohin shumëçka në aksionin e tyre politik.

Si e ndjeni veten kur udhëtoni nëpër autostradën Kosovë -Shqipëri. A ndjeni falenderim për kryeministrin Berisha që me taksat e qytetarëve të Shqipërisë të ndërtojë rrugën?

Unë ndjej gjithmonë dy gjëra. E para, dallimin e madh të standardit estetik midis dy anëve të rrugës, ana këtej dhe ana andej. E dyta, duke qenë absolutisht i bindur se rruga ishte një projekt i domosdoshëm strategjik, nuk e amnistoj dot vjedhjen e miliardave nga ajo rrugë, duke e kthyer flamurin kombëtar në thes për ta mbushur me para.

Nuk do të merreni me këtë vjedhje më?

Ajo është një çështje që me sa unë, jam në dijeni, është mbyllur për arsye procedurale, por në raport me drejtësinë si koncept, jo në raport me qeverinë, sepse ne duhet të qeverisim me drejtësi, por ne nuk kemi tagrin të bëjmë drejtësi, sepse s’jemi prokuror apo gjykatë.

Nëse duhet gjykuar sipas asaj që do të ndodhë, ndoshta zoti Basha mund të jetë kryetar i PD-së. Të gjithë thonë që Aleanca për Shqipërinë Europiane do t’i ketë tri parti, për faktin se  z. Meta ka lidhje shumë të forta me z Basha…

Unë mund të bëj vetëm një koment për atë që po ndodh në PD, duke shprehur kënaqësinë time që inercia e kopimit vazhdon, sepse pa e pasur në statut zgjedhjen e kryetarit me një anëtar, një votë dhe pasi e kanë anatemuar sa kanë mundur zgjedhjen me një anëtar, një votë të kryetarit në PS dhe vënien në statut të këtij parimi nga ana ime, tani po e aplikojnë. Është një gjë shumë e mirë që po e aplikojnë, pavarësisht nga cilësia e aplikimit, por rëndësi ka që po e aplikojnë.

Kur e keni realizuar pikturën tuaj të fundit?

Dje, sepse sot kam qenë gjithë kohës i angazhuar me takime.

Çfarë mendimi keni për artin kontemporan? Sa i përcillni trendet, sidomos që keni dy miq, që së paku njërin do e kthesh në Shqipëri….

Kush është ai ?

Anri Sala

Jo, ai nuk kthehet në Shqipëri për të jetuar, por vjen në Shqipëri. Unë po përpiqem dhe jemi në proces të realizimit të tri grupeve. Një grup me njerëz të shquar në fushën e ekonomisë dhe të zhvillimit social, një grup me njerëz të shquar në fushën e planifikimit urban dhe një grup me artistë. Po flasim për tri grupe njerëzish shumë të shquar, të cilët do të jenë tri grupe që unë do t’i mbaj vazhdimisht në kontakt qoftë për të marrë këshillat e duhura, qoftë me këta të dytët dhe të tretët për të bërë punë dhe do t’i japim artit dhe kulturës një prerje tjetër.

“Zona e debatit”, Klan Kosova

 

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.