Rama ndalet në Kavajë: PD e harroi këtë qytet

Postuar në 02 Qershor, 2015 12:29

Kavaja dhe administrimi i saj nga Elvis Roshi ka qenë një nga shembujt se përse koalicioni i mazhorancës zgjodhi sloganin “Drejtimi i duhur” për 21 Qershorin.

Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në një takim elektoral në qytetin e Kavajës, ku përpara qytetarëve kërkoi votën për kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane për të vazhduar, sipas tij, rilindjen e Kavajës, ku si një prej shumë  sfidave, renditi ndërtimin e rrugës Kavajë-Pezë-Tiranë. 

Rama akuzoi Partinë Demokratike se e harroi këtë qytet.

“E lanë Kavajën në xhep fals, pa ujë, pa punë, mbytur nga plehrat, mbytur nga gënjeshtrat, mbytur në dëshpërim. U desh fitorja e Elvis Roshit, u desh kthimi i madh i pishtarëve dhe demokratëve të Kavajës, që e kuptuan se drejtimi i duhur ishte Elvis Roshi dhe Partia Socialiste”, tha Rama.

Kryeministri u ndal sërish tek fushata e opozitës, e përqendruar kryesisht tek politika që lidhen me pushtetin ekzekutiv.

“Me kë tallen këta?! Na jepni votën – thonë - se do kemi dritat falas, falas për ata që i vjedhin dhe mbifaturim për ata që i paguajnë. Bëjnë një fushatë që nuk ka lidhje fare me problemet e komunitetit, a thua se më 21 Qershor do të përmbyset bota, me shpresën se do të kthehen tek avazi i vjetër, që Kavaja e ka vuajtur më shumë se çdo qytet tjetër, se i ka dhënë 20 vjet votën Saliut dhe në 20 vjet ka marrë mbrapsht vetëm zhgënjime”, tha Rama.

Kreu i mazhorancës u shpreh se sot Kavaja është shndërruar nga një ndër qytetet më të pista të vendit, në një prej qyteteve më të pastra dhe se transformimet për të do të vazhdojnë.

"Me ndarjen e re administrative, plazhi i Golemit kalon nën administrimin e Bashkisë së Kavajës. Ky plazh, së bashku me parkun e madh të Kavajës, janë dy projekte që do të jenë mushkëri të jashtëzakonshme për bashkinë e re"' tha Rama.

/ Top Channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.