Rama: Ndëshkim për ata që abuzuan pas 23 qershorit

Postuar në 07 Korrik, 2013 04:38

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">

Më të mirët - Nuk duhet të harrojmë gjithashtu se ne na kanë votuar 1 milion shqiptarë. Në këtë masë gjigante njerëzish ne duhet të kërkojmë më të mirët, më të talentuarit, më të zotët, ashtu sikundër duhet të respektojmë çdo zotësi ndër ata që nuk na kanë votuar

Apeli ndaj Berishës - Një thirrje qeverisë në detyrë, Kryeministrit në detyrë, që të pajtohen me realitetin e imponuar nga populli sovran dhe të kalojnë në një fazë kujdestarie, pa marrë më tutje vendime në funksion të vizionit apo të programit të tyre

Programi

Auditim i huaj për transparencën e financave të shtetit

BLEDAR HOTI

“Ky nuk është mandati i radhës për një qeveri të radhës. Ne na vë përballë dy mundësish, ose të bëjmë histori, ose të ndëshkohemi pas katër vjetësh në mënyrë historike”. Ky ka qenë mesazhi i kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë, Edi Rama, në Asamblenë Kombëtare të PS-së, organizëm që u mblodh pas fitimit të zgjedhjeve të 23 qershorit. Në një fjalim që ka zgjatur rreth 50 minuta, lideri i PS-së ka renditur ato që synon qeveria e majtë në këtë mandat 4-vjeçar, reformat dhe njëherësh me një paralajmërim se ndëshkimi i popullit mund të vijë nëse nuk realizohen për ato çka u votuan. “Kundërshtarët tanë na kanë lënë një libër shumë të çmuar, ku janë të rreshtuar dhe të nënvizuara në 8 vite rresht të gjitha gabimet, që ne nuk duhet të përsërisim në qoftë se nuk duam ta zhgënjejmë popullin shqiptar. Periudha 2005-2013 do të hyjë, besoj unë, në historinë e këtij tranzicioni si periudha e kalimit nga një qeverisje e korruptuar tek kapja e shtetit, një periudhë ku kthimi i partisë në shtet dhe i administratës në zyrë partie shënoi një degradim që çoi në rrënimin që shqiptarët e refuzuan me votë. Unë nuk kam bërë, këtu, asnjë analizë shteruese të gjithë kësaj periudhe, por duke nënvizuar këto pika, që besoj gjejnë konsensus mes gjithë atyre që me një numër marramendës votash, 1 milion vota, e refuzuan këtë model dhe na ngarkuan ne që të ndërtojmë një model të ri në qoftë se nuk duam të përfundojmë edhe më keq se ç’përfunduan në gjykimin e publikut kundërshtarët tanë”, tha Rama në fjalën e tij.

Paralajmërimi për Berishën

Lideri i PS-së, Rama, i kërkoi me forcë kryeministrit në detyrë që të mos marrë vendime, por vetëm të qëndrojë në detyrë. “Unë dua të përfitoj nga ky rast për t’i bërë një thirrje qeverisë në detyrë, kryeministrit në detyrë, që të pajtohen me realitetin e imponuar nga populli sovran dhe të kalojnë në një fazë kujdestarie, pa marrë më tutje vendime në funksion të vizionit apo të programit të tyre, që u ndëshkua me votën e qytetarëve. Nga ana tjetër, jam i detyruar t’u bëj thirrje të gjitha subjekteve, që përfshihen në bashkëpunim me këtë qeveri në detyrë që është ndëshkuar nga populli shqiptar, që të mos vazhdojnë bashkëpunimin. Ne do të jemi jashtëzakonisht të rreptë me çdo produkt të bashkëpunimit të subjekteve private me qeverinë aktuale që lidhet me periudhën pas zgjedhjeve të 23 qershorit”, theksoi Rama. Sipas kryesocialistit “është e pamundur që të konceptohet për Europën ku jetojmë dhe për Shqipërinë që synon të integrohet në Europë, që një qeveri e ndëshkuar në mënyrë plebishitare nga populli të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe të marrë vendime mbi pasurinë e përbashkët të këtij populli, në vazhdën e atyre vendimeve që ishin një prej arsyeve kryesore, që e kthyen këtë qeveri në një objekt të gjykimit shumë të ashpër të popullit me votë më 23 qershor”.

Transparenca dhe projektet

Rama bëri të ditur se do të realizohet një monitorim ndërkombëtar i fondeve të përdorura deri më tani. “Na duhet të auditojmë sistemin shtetëror shqiptar, për të pasur një pasqyrë të Shqipërisë reale dhe për të mos vazhduar betejën politike me dy pasqyra; Një pasqyrë e Shqipërisë reale, sipas nesh dhe një pasqyrë imagjinare sipas opozitës. Por, duke kërkuar një pikë të përbashkët referimi me një auditim ndërkombëtar të të gjithë sistemit të funksionimit të shtetit shqiptar, duke e filluar nga auditimi i financave të Shqipërisë dhe i të dhënave të ekonomisë shqiptare brenda këtij viti. Është një proces i domosdoshëm, është një proces që mund të nxjerrë të dhëna drithëruese jo vetëm për ne, por për gjithë komunitetin ndërkombëtar, si komunitet politik dhe si komunitet sipërmarrës. Është një proces i domosdoshëm për të hedhur bazat e një qeverisjeje përmes së vërtetës dhe për t’u ndarë nga një qeverisje përmes gënjeshtrës”, theksoi Rama. Sipas tij, ky model suksesi është ndjekur dhe në Sllovaki. Ndërsa bëri të ditur se “na duhet një kryeministër për punë dhe jo për përfundim punimesh. Unë, sigurisht, që do të përmbush me përpikëri detyrën kushtetuese për të drejtuar qeverinë e Shqipërisë, por i konsideroj çështje të një rëndësie parësore kombëtare dhe prioritete urgjente çështjet e ujit, legalizimeve, mbrojtjes së tokës dhe klimës së biznesit. Për këto çështje do të angazhohem në mënyrë të posaçme personalisht”.

 

Databazë me burimet njerëzore

Kryetari i PS-së tha në fjalën e tij se “duhet të jemi shumë seriozë në trajtimin e çdo letre motivimi dhe të çdo CV-je të tyre, ashtu sikundër në të gjithë territorin duhet me shpejtësi, deri në shtator, të disponojmë regjistrin e plotë të burimeve njerëzore, që kemi në dispozicion, burime njerëzore që janë identifikuar, janë zhvilluar e janë shtuar gjatë gjithë këtyre viteve dhe gjatë fushatës. Ata që kanë kontribuar e meritojnë një shans për të shërbyer, por duhet të tregojnë se vendi i punës që kërkojnë është vendi që u takon, sepse ajo punë i kërkon ata dhe jo sepse ne u kërkojmë atyre punë”.

 

 

Mungon Blushi, Meidani dhe Pëllumbi

Në Asamblenë e PS-së kanë rënë në sy mungesa e deputetit të PS-së, Ben Blushi, Rexhep Meidani apo dhe Servet Pëllumbi. Nga ish-deputetët e PS-së nuk kishin Shegush Ligori, Marko Bello, Albert Çaçi dhe Ilir Gjoni. Ndërsa në këtë Asamble mungoi dhe deputeti i PS-së, Arben Malaj, i cili në këto zgjedhje kandidoi si i pavarur. Ndërsa kanë qenë të pranishëm deputetët e rinj të PS-së, si Koço Kokëdhima dhe Evis Kushi. Edhe pse mund të ketë të drejtën e pjesëmarrjes në këtë Asamble nuk ishte as ish-kreu i PS-së, Fatos Nano. Asambleja e PS-së ka nisur me një urim nga ana e Ruçit në adresë të Ramës për ditëlindjen më 4 korrik. “Meqë nuk ta urova një ditë më parë, po ta uroj sot publikisht”, tha Ruçi përpara se t’i jepte fjalën kryesocialistit.

 

 

Tabela

Premtimet e qeverisjes së re

  • Audit ndërkombëtar për fondet e përdorura nga “Berisha”
  • Ndarja e re territoriale, me një ligj të ri
  • Rëndësi parësore kombëtare çështjet e ujit, legalizimet, mbrojtja e tokës dhe klimës së biznesit
  • Reformim i shpejtë dhe transformim i administratës fiskale dhe ndryshim i gjithë sistemit e menaxhimit të doganave dhe të taksave
  • Unifikim i policisë, një ndarje drastike e menjëhershme e policisë nga krimi
  • Çuarja deri në fund e zgjidhjes së problemit të pronës.
  • Drejt zgjidhjes së shpejtë të legalizimeve, për të garantuar brenda këtij mandati inventarizimin e plotë të pasurisë dhe edhe të njerëzve

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.