Rama në Kavajë: Saliu nxjerr spote për 200 mijë vende të reja pune, papunësia plaga më e madhe

Postuar në 29 Maj, 2013 15:44

Partia Socialiste e ka zhvendosur të ashtuquajturin “Këndi i fjalë” në Kavajë, ku shefi i selisë rozë, Edi Rama në krah të kreut të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi dhe kandidatit për deputet Parid Cara , zhvilluan një bashkëbisedim me banorët e këtij qyteti. Në fjalën e tij kryesocialisti Rama theksoi se qeveria është treguar e pabesë me rininë, pasi ato mbarojnë shkollën dhe pas gjithë sakrificave është fat i madh nëse gjejnë punë si kamerier.

“Program të veçantë për të ndërtuar korpusin e të rinjve, që duan të përfshihen në shërbimet sociale dhe komunitare që do pasurojë jetën e rinisë”, tha Rama. Kreu i opozitës ironizoi premtimet e kryeministrit për hapjen e 200 mijë vendeve të reja pune. “Më kishte bërë përshtypje se nuk kishte gra dhe vajza, sot si rrallë herë ka përfshirje të madhe gra dhe vajzave. Saliu nxjerr spot se kemi hapur 200 mijë vende pune, ndërsa INSTAT thotë ka humbur vende pune. Problemi është të hapim vend pune reale, dhe vende te reja punë hapim duke nxitur investime prodhuese”, tha Rama.

Ai ka premtuar projekte si ngritjen e xhamisë së re në Kavajë, stadiumin e ri, sheshin e qytetit, etj.

“Mendoj se frytet e para Kavaja ka nisur ti marrë. Unë vij hera pas here dhe kam kaluar, por këtu nuk shihje një fytyre duke qeshur, votojnë atje me dy gishta lart dhe nuk qeshnin. Sot është qytet model për nga pastërtia. Përpara kishte letra shishe, tmerr i madh. Ne do bëjmë shumë më shumë. Kemi projektin e ri për sheshin e Kavajës. Dy gishtat do ja çojmë Saliut. E kemi atë plan. Do bëjmë një shesh të bukur si sheshet e qyteteve mesdhetare. Kemi projektet e xhamisë së re, që kreu i bashkisë e ka shumë për zemër, sa herë e takon thotë aman xhaminë. Projekte për lagjet komunitet, kemi projektin e stadiumit”, theksoi Rama.

Duke premtuar zgjidhje për legalizimet dhe sistemin e shëndetësisë, lideri i socialistëve ka ripërsëritur apelin ndaj qytetarëve që më 23 qershor të marrin me vete një person që nuk ka votuar në zgjedhjet e shkuara.

“Ishte e paimagjinueshme që PS të votonte në Kavajë, po sot në shenjë maksimale besimi vendosëm të kemi një deputet nga Kavajë në dhjetëshen e parë në skuadrën e Tiranës. Kush do ndryshimin më 23 qershor duhet të marrë me vete një tjetër që nuk ka votuar herën e kaluar”, bëri thirrje Rama.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.