Rama: KQZ duhet të riformatohet, askush të mos guxojë të prekë fitoren tonë

Postuar në 29 Prill, 2013 08:23

 

Në një bashkëbisedim me gazetarë, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të rindërtohet, pasi në gjendjen aktuale është një vegël e familjes në pushtet dhe sipas tij, në dy palë zgjedhjet e fundit ai ka qenë në fakt Komisioni Qendror i Vjedhjeve.

“KQZ duhet të riformatohet, por nëse duan të shkojnë në zgjedhje me këtë KQZ, le të shkojnë, por ata që do të cenojnë zgjedhjet do të mbajnë përgjegjësi për aktet e tyre. Kushdo që do të guxojë të prekë fitoren tonë, do të marrë përsipër të paguajë çmimin”, tha Rama.

Kryesocialisti, duke i dhënë përgjigje gazetarëve, u shpreh se koalicioni me Lëvizjen Socialiste për Integrim është një koalicion strategjik dhe solid, i cili ka një objektiv afatshkurtër, që është fitorja e thellë në zgjedhjeve të ardhshme dhe një tjetër objektiv afatgjatë, që është përsosja e qeverisjes së vendit në të gjitha nivelet.

“Marrëveshja me LSI-në është shumë e detajuar dhe është nënshkruar publikisht mbi një tekst prej 15 pikash”, tha Rama, duke shtuar se për listat e kandidatëve për deputetë, PS po punon ende për skuadrën e vet, pasi po zhvillohet një proces konsultimi i gjerë.

Një pikë tjetër, të cilën Rama e preku në fillim të takimit, ishte shqetësimi i ngritur nga një raport i Bankës Botërore për nivelin e lartë të analfabetizmit funksional mes 15-vjeçarëve shqiptarë, të cilin e cilësoi si katastrofik, por më e rëndë sipas kreysocialistit është përpjekja e qeverisë për të fshehur faktet e publikuara nga BB.

“Nivelin e analfabetizmit e nxori edhe BB në raportin e publikuar, ndërkohë që Qeveria na mohon faktet e publikuara. Sistemi i arsimit është i dështuar dhe ne jemi të vendosur për ta kthyer përmbys”, tha Rama.

Ndërsa i pyetur lidhur me mënyrën se si do të reagonte ai pas ngritjes së një komisioni hetimor lidhur me të ashtuquajtur incident të Vjenës, Rama theksoi se ky komision është dëshmia më e mirë e rrënimit ku ka rënë PD, e cila sipas tij është kthyer në një parti familjare, ndërsa ironizoi edhe një herë nismën e kundërshtarëve politikë, duke propozuar që 24 prilli të shpallet si dita e shkuljes së veshit, një ide paqësore kjo, tha Rama për të reflektuar me veten dhe të tjerët në një ditë të vitit.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.