Rama: Komision i posaçëm për pronat

Postuar në 01 Qershor, 2013 10:50

Fundjava elektorale e gjeti Edi Ramën në një bashkëbisedim me banorët e Orikumit në Vlorë, një prej zonave më të nxehta në vend me konflikte pronësie. 

I ndërgjegjshëm se problematika e pronës është komplekse, Rama parashtroi vizionin e Qeverisë së pas 23 Qershorit, për ta futur atë në rrugën e zgjidhjes.

"Ne do të ngremë një komision fuqiplotë me mandatin e Parlamentit për të bërë transparencë të plotë me kthimet dhe kompensimet e pronave dhe do të bazohemi tek arkivi origjinal, kopja origjinale e pronësisë. Ne do t'i kthejmë popullit shqiptar ato prona që i janë marrë pa të drejtë. Do t'i japim 

certifikatën e pronës atyre që punojnë tokën. Nuk meriton të trajtohet si bujkrob në mes të Europës. Ne nuk do të lemë më njerëzit që kanë ndërtuar shtëpi për t'u strehuar atje. Do t'i japim titullin e pronësisë, ajo shtëpi të kthehet në pasuri të patundshme, ajo pasuri e patundshme të bëhet kapital aktiv", tha Rama.

Rama tha se do të aplikohet tolerancë zero për ndërtimet kuturu, siç e cilësoi ai, tjetërsimin prej tyre të  vijës bregdetare.

"Për gjithë bregdetin shqiptar dhe nuk diskutohet dhe për Jonin, ne do të ndërtojmë një Agjenci Kombëtare të Bregdetit dhe do të bëjmë një ligj të posaçëm për vijën bregdetare, e cila është pasuria jonë e përbashkët dhe ne do ta trajtojmë si të tillë. Nuk do të lejojmë më ndërtime kuturu që e kthejnë vijën bregdetare sikur të jenë lagje periferish", tha Rama.

Kryesocialisti në fjalën e tij i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe turizmit duke mos harruar të bëjë ironi me shifrat e deklaruara nga Kryeministri.

"Do të zhvillojmë një turizëm të saktë, jo si turizmi i Saliut, që thotë që jemi rritur në shifrat e turizmit dhe të ardhurat kanë rënë më qindra milionë euro. Ika unë në Turqi, erdha, bashkë me Endri Frugën jemi dy turistë më shumë. Kjo histori duhet të marrë fund dhe ne do t'i japim fund", tha Rama.

Gjatë paradites Edi Rama vizitoi Shtëpinë e Fëmijëve në qytetin e Vlorës nga ku i ka uruar të gjithë fëmijëve shqiptarë për ditën e tyre. Rama i shoqëruar nga kryebashkiaku qytetit bregdetar Shpëtim Gjika i dhuroi fëmijëve në këtë jetimore disa kompiutera, duke thënë se të tilla tablete eklektronike do të sjellin risi për shkollat.
 

 

 

TOP CHANNEL

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.