Nishani: Reforma në drejtësi, në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca

Postuar në 03 Qershor, 2015 06:51

Kritika të forta vijnë nga Presidenti Bujar Nishani për reformën në drejtësi. Kreu i shtetit tha se reforma po zhvillohet në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca dhe se tryezat e organizuara kanë qenë formale. Ai bëri thirrje për bashkëpunim mes palëve.

Nishani foli në mbledhjen e dytë të Komitetit të Aktorëve të Interesuar, EURALIUS IV, me temë: “Konsolidimi  Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri”.

“Kam konstatuar me keqardhje që reforma po zhvillohet në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca, pa përfshirjen e opozitës. Kam bërë thirrje që palët politike të gjejnë gjuhën e përbashkët përmes dialogut politik dhe të orientohen në realizimin e kësaj reforme të rëndësishme, e cila medoemos duhet të jetë konsensuale. Përveç kësaj, kërkoj që në vijim, për realizimin serioz të reformës në drejtësi të ketë një bashkëpunim real, konstruktiv mes të gjitha palëve të interesuara dhe angazhim të vazhdueshëm të Komisionit të Venecias”, ka deklaruar Presidenti Nishani, njëherazi edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Kreu i shtetit ka shprehur edhe rezervat e tij lidhur me miratimin e ligjeve në mënyrë të përshpejtuar, për të cilët, sipas tij, ka pasur kritika edhe nga Bashkimi Europian.

“Më lejoni të shpreh rezervat e mia, që pavarësisht kritikave të Bashkimit Europian, përmes progres-raportit më të fundit në drejtim 'miratimit të ligjeve në mënyrë të përshpejtuar, pa një proces gjithëpërfshirës dhe tërësor reformash bazuar në konsultime të gjera dhe nën orientimin e Komisionit të Venecias’, vazhdohet me praktika të tilla që miratohen ndryshime ligjore të përshpejtuara, pa u konsultuar me Komisionin e Venecias, si rasti i ndryshimeve ligjore në lidhje me Gjykatën e Lartë. Kjo nismë erdhi në një kohë që Gjykata e Lartë është pjesë e paketës të reformës në drejtësi dhe në një kohë kur Kuvendi pretendonte që në 6 muaj Komisioni i Posaçëm të kishte përfunduar punën e tij për analizimin e gjendjes aktuale të sistemit të drejtësisë, hartimit të dokumentit strategjik për objektivat e reformës në drejtësi, si dhe propozimin e një pakete ligjesh, përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese”, tha Nishani.

Në mbledhjen e drejtuar nga shefi i Misionit të EURALIUS, Dr. Rainer Deville, ishin gjithashtu të pranishëm; Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin; ministri i Drejtësisë, Nasip Naço; kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, kreu i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Fatmir Xhafaj; kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori; Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla; deputetët Eduard Halimi dhe Oerd Bylykbashi, ekspertë ligjorë vendas dhe të huaj, si dhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë e të grupeve të interesit lidhur me njërën prej reformave më jetike për vendin.

/ Top Channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.