MSA nënshkruhet në pranverën e vitit 2014

Postuar në 18 Korrik, 2013 15:09

Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule ka paralajmëruar se deri në pranverën e vitit 2014 do të mbyllen negociatat ndërmjet Kosovës dhe BE'sa rreth Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Pas një takimi që ka pasur me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, Fule ka thënë se hapja e negociatave për MSA'në është shpërblimi që e ka marrë Kosova duke treguar konstruktivitet në dialogun me Serbinë.

Pas hyrjes në fuqi të MSA'së, vendit formalishti i hapet rruga drejt kandidaturës për anëtarësim në BE, por vetëm pasi të ndërmerren një sërë reformash politike, ekonomike, tregtare, politike dhe të drejtave të njeriut dhe në fusha tjera.

Por siç dihet shteteve të rajonit, për një gjë të tillë siç i dihet, u janë dashur vite të tëra për të marrë statusin e kandidatit.

Kosova në këtë drejtim mund të ballafaqohet me pengesa të natyrës politike pasi 5 vende anëtare ende nuk e kanë njohur.

Ky zyrtar i BE'së ka lavdëruar edhe konsensusin politikë që ekziston në Prishtinë sa i përket integrimeve europiane.

"Jam inkurajuar me pajtimin ndërpartiak në Kosovë. Deputetët kanë votuar sot tetë ligjet që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave", ka shtuar ai.

Duke folur për MSA'në, Fula ka deklaruar se kjo është një arritje shumë e madhe e qytetarëve dhe e politikanëve të Kosovës

"Kjo është arsye e madhe për t'i uruar ata", ka thënë ai.

Komisioneri për Zgjerim i BE'së, Stefan Fule ka kërkuar në Prishtinë zbatimin e marrëveshjes në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se të gjithë janë duke pritur implementimin e të gjitha pajtimeve që kanë ndodhur nën lehtësimin e Catherine Ashtonit.

"Tash është koha për zbatimin e marrëveshjeve. Kjo është brenga kryesore e vendeve të BE'së, pra zbatimi i marrëveshjeve", ka thënë Fule.

Stefan Fule ka thënë se ka ardhur në Kosovë për të treguar se Prishtina ka ecur përpara sa i përket normalizimit të raporteve me Serbinë.

"Ju keni arritur përparim impresiv në kuptimin e normalizimit të raporteve me Serbinë", ka thënë Fule, në konferencën e përbashkët me Kryeministrin Hashim Thaçi.

"Ne e vlerësojmë shumë qasjen konstruktive dhe pragmatike të kryeministrit të Qeverisë së tij dhe të autoriteteve këtu në Prishtinë ashtu që të arrihet përmes këtij dialogu të arrihen edhe hapat konkret drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit", ka thënë ai.

Në anën tjetër, Kryeministri Thaçi ka premtuar se marrëveshja e arritur në Bruksel do të zbatohet dhe se do të plotësohen edhe kriteret e BE'së sa i përket MSA'së.

Ai e ka njoftuar zyrtarin e BE'së për zbatimin e marrëveshjes së arritur me Serbinë, Ligjin për Amnistinë dhe për Fondin për Veriun.

"Mendoj se procesi i ardhshëm të filloj më një shtator. E njoftova për zgjedhjet që do të mbahen më tre nëntor. Bashkërisht do të punojmë edhe me bashkësinë ndërkombëtare për t'i mbajtur zgjedhjet në mënyrë të rregullt", ka thënë Thaçi.

 

 

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.