Manjani: Askush nuk fiton dot zgjedhjet pa LSI-në, ka një garë kush na bën ftesën më të bukur

Postuar në 12 Janar, 2013 05:57

 

Ylli Manjani, sekretar i LSI-së, duke folur në një intervistë për Ora News, ka thënë se PD dhe PS kanë hyrë në një betejë se kush bën ftesën më të bukur për LSI-në, pasi e dinë që pa këtë të fundit nuk i fitojnë dot zgjedhjet. Por, sipas tij, ato po merren me faktin se kush do ta tërheqë pas vetes LSI-në, duke lënë mënjanë problemet ekonomike dhe çështjet e tjera të ditës.

“Sepse as njëri, as tjetri nuk i fitojnë dot zgjedhjet. Së dyti ka një progres në rritje elektoral dhe politik të LSI, ky është fakt. Është anëtarësia që do marrë vendimin e duhur, në kohën e duhur, për koalicionin. Por, i gjithë ky debat tenton të shmangë vëmendjen nga çështje me rëndësi për vendin, siç është çështja ekonomike, çfarë projekti kanë me të ardhmen ekonomike. Kjo çështje nuk shtrohet dhe për këtë arsye muhabeti kthehet në personal, kush është me këtë apo me atë. Kushdo që është në këtë qasje, pra me thelbin e gjësë, është absolutisht në krahun e LSI. Deri më sot nuk ka asgjë nga asnjëra palë. Mbi këtë bazë ndërtohen dhe disiplinat e aleancave. I gjithë debati është kthyer çka bërë Argita dhe Linda Basha, apo kush do të jetë me Ilir Metën dhe kush e bëri ftesën më të bukur. Ne kemi çështje shumë të rëndësishme përpara”, tha ai.

Manjani tha se në zgjedhjet e 2013 LSI vjen me një fotografi reale të realitetit në vend, ku kryefjalë e kryefjalëve do të jetë ekonomia dhe çështjet sociale në vend. Për Manjanin, Shqipëria ka nevojë për një projekt ekonomik që të sigurojë stabilitet, në mënyrë që të shkohet drejt rritjes së saj.

“Ofrojmë një fotografi reale të realitetit në vend. Shqipëria është kjo që është, ka një përmirësim të dukshëm sidomos në infrastrukturën e vendit, kemi më shumë ujësjellësa, zhvillim të infrastrukturës së vendit dhe kjo është një fotografi e realitetit, pra duhet njohur progresi, ashtu si dhe problemet. Në kuptimin social të fjalës kemi shumë për të bërë, po ashtu edhe në gjyqësor. Ne do ofrojmë më shumë kohezion social, më shumë dashamirësi për shtresat në nevojë, më shumë vëmendje dhe alternativa për rininë, vëmendje ndaj arsimit dhe trajtimit profesional, përfshirja e të rinjve në jetën sociale dhe kulturore. Ashtu si Shqipëria ka nevojë për një projekt ekonomik që të sigurojë stabilitet, në mënyrë që të shkojmë drejt rritjes së saj, këtu do të fokusohemi me të gjitha potencialet tona. Një tjetër problem është edhe mirëmbajtja infrastrukturore, ashtu si edhe reformat e shtetit janë të domosdoshme”,tha Manjani.

  TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.