LARG NGA PLOTËSIMI I KRITEREVE PËR LIBERALIZIMIN E VIZAVE

Postuar në 07 Korrik, 2013 04:35

Kosova është ende larg plotësimit të kritereve që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Kanë mbetur edhe rreth shtatëdhjetë kritere që duhet përmbushur, kurse sfidë mbetet sundimi i ligjit dhe krimi i organizuar. Ndërkohë gjatë verës pritet një raport vlerësues i Komisionit Evropës, i cili do jetë një pasqyrë të qartë se cilat kritere mbeten për t’u përmbushur.

Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli ka thënë për kosovares se Kosova ka hyrë në proces të pa kthyeshëm të plotësimit të kushteve që janë paraqitur për liberalizimin e vizave edhe pse sipas tij ka sfida të shumta që kanë të bëjnë me sundimin dhe rendin e ligjit.

Ndërsa, liderët e dy partive më të mëdha opozitare, Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, konsideruan se procesi i liberalizimit është proces teknik e jo politik por që është duke ecur me hapa të ngadalshëm nga Qeveria.

Zëvendësministri Kasapolli ka theksuar se janë duke punuar vazhdimisht për arritjen e objektivave për t’i përmbushur detyrat që iu takojnë.

“Ne jemi çdo ditë në përmbushjen e këtyre objektivave por që liberalizimi i vizave ngërthen në vete dy elemente të brendshme dhe të jashtme. Detyra jonë është të përmbushim detyrat e shtëpisë. Sfidat kanë qenë të shumta, janë ato që kanë të bëjnë me sundimin dhe rendin e ligjit por edhe çështje të tjera të cilat kanë qenë më problematike në kuptim të implementimit të tyre. Kosovës iu kanë parashtruar edhe disa kritere më specifike në kuptim të riatdhesimit të personave të riatdhesuar ka qenë një kusht specifik, por edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit duke e pas parasysh që vetë Bashkimi Evropian, nuk dëshiron vende që kanë probleme të tilla, dhe ne kemi dhënë dëshmi të mjaftueshme që jemi duke punuar në këtë drejtim”, ka thënë Kasapolli.

Ndërkaq, anëtarja e LDK-së në komisionin për Integrime Evropiane, Vjosa Osmani ka thënë për Kosovapress se nga Komisioni Evropian kanë marr një bllok rekomandim prej 70 veprimeve të reja që Kosova duhet të realizojë, ndër to janë sundimi i ligjit, luftimi i krimit të organizuar si dhe luftimi i korrupsionit.

“Nga raporti i fundit i BE-së, sa i përket suksesit të Republikës së Kosovës në plotësimin e këtyre kritereve tregon që kanë mbetur edhe rreth 70 kritere të pa plotësuara. Shumica prej tyre kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe siç e dini ato janë kërkesa shumë konkrete që janë kritere teknike e jo politike. Pra, janë ekskluzivisht detyra të shtëpisë që varen nga Kosova dhe jo nga dikush tjetër”, ka thënë Osmani.

Kurse, nënkryetari i Kuvendit nga radhët e “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, procesin e liberalizimit të vizave e sheh si çështje teknike.

Sipas tij, procesin e liberalizimit e ka dëmtuar më së shumti afera e pasaportave biometrike, që tani po hetohet nga EULEX-i.

“Prej çështjeve, kanë lidhje dokumentet e identifikimit dhe mendoj se procesin e liberalizimit të vizave e ka dëmtuar mjaft shumë çështja e aferës së pasaportave biometrike. Ju e dini se pasaportat biometrike janë të domosdoshme për liberalizimin e vizave dhe ka pas aferë të qartë të korrupsionit që tani po hetohet nga zyrtar të EULEX-it. Kjo qeveri nuk ka qenë shumë e gatshme për plotësimin e disa kritereve për liberalizim të vizave. Njëri prej proceseve më të rëndësishme është kontrollimi i kufijve, kjo qeveri nuk ka arrit të kontrolloj kufijtë e shtetit të Kosovës. Dy herë kufijtë janë djegur padrejtësisht nga veprat kriminale të Beogradit”, ka thënë Konjufca.

Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Kasapolli ka thënë se në shtator të këtij viti presin edhe një raport vlerësues nga Komisioni Evropian, ku do të kuptohet edhe afati i përmbylljes së këtij procesi që qytetarët janë duke e pritur qe një kohë të gjatë.

“Ne besojmë se gjatë muajve të verës, Komisioni Evropian do të dërgoj një raport vlerësues i cili do të ketë një pasqyrë të qartë se ku jemi në përmbushjen e objektivave. Edhe një herë rezistoj për ta thënë datën por besoj që vjeshta e këtij viti do të jetë shumë e qartë në kuptim të afateve kohore dhe besoj se fundi i këtij viti do të jetë nisja shumë e qartë se kur qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza”, ka shtuar Kasapolli.

Në anën tjetër, Osmani ka theksuar se nuk mund të dihet afati kohorë i liberalizimit të vizave, pa e marrë këtë proces seriozisht ministritë përgjegjëse.

“Shumica e kritereve që duhet të përmbushen janë në duart e qeverisë dhe unë nuk mund të parashoh se kur ata mund ta marrin këtë proces seriozisht përkundër asaj se Ministria e Integrimit e koordinon procesin dhe një numër i madh i obligimeve bien në ministritë tjera siç janë Ministria e Punëve të Brendshme, e Tregtisë, e Administratës Publike. Kjo varet nga shumë aktorë dhe për momentin nuk mund të parashikohet. Shpresojmë se do të ndodhë së shpejti sepse është në të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës që të lëvizin lirshëm”, ka shtuar Osmani.

Edhe Konjufaca, ia hedhë fajin Qeverisë duke thënë se sa më gjatë të jetë kjo qeveri aq më të gjata do të jenë vitet e përmbylljes së këtij procesi.

“Liberalizimi i vizave mua më duket proces më i gjatë se një vit, nuk e di me saktësi kur do të ndodhë. Sa më gjatë që ta kemi këtë qeveri më duket se vitet do të jenë më shumë deri në procesin e liberalizimit të vizave”, ka theksuar Konjufca.

Kasapolli dhe Konjufca, gjithashtu kanë theksuar se Kosova ka mbetur peng i këtyre proceseve edhe shkau i mosnjohjes së Kosovës nga pesë vendet e BE-së, të cilat kërkojnë që të luftohen fenomenet e këqija që ende po ekzistojnë në Kosovë.

Ndryshe nga këta dy të fundit shprehet Osmani, duke thënë se liberalizimi i vizave më shumë po pengohet nga shtetet që e kanë njohur Kosovën sepse kanë të bëjnë me çështje si migrimi ilegal sesa nga vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën.

Megjithatë, kjo tregon se Kosova ka mbetur vrimë e zezë në Ballkan dhe në Evropë, pasi që qytetarët e Kosovës janë të vetmit që nuk kanë të drejtë qarkullimi jashtë territorit të vet.

 

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.