Krimi në familje, burri vrau gruan se i ktheu dorë, më pas vetëvritet.

Postuar në 20 Maj, 2014 04:03

 Vret bashkëshorten dhe veten, sapo kthehen nga puna në arë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në fshatin Dukas të Patosit dhe viktima janë Jashar dhe Ariste Yzeiraj, të dy 51 vjeç. Sipas policisë, krimi i rëndë ka ndodhur pas një debati për motive banale mes çiftit. Pasi ka vrarë gruan, 51-vjeçari ka marrë në telefon prindërit e tij dhe u ka thënë se do të vriste veten pas krimit që kishte bërë. Burime nga policia kanë bërë të ditur se, ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 15:45 minuta të ditës së djeshme, kur çifti ishte kthyer në banesë.
 
VRASJA NË BANESË
Jashar Yzeiraj ka vrarë mesditën e djeshme bashkëshorten e tij me çiften që mbante në banesë. Ngjarja ka ndodhur kur ata ishin kthyer në shtëpi pasi kishin punuar në arë. Pasi ka vrarë gruan, Yzeiraj i ka dhënë fund jetës duke u vetqëlluar armë. Tragjedia është shënuar në fshatin Dukas të Patosit ku, Jashar Yzeiraj ka qëlluar me shotgan gruan e tij, Ariste Yzeiraj duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas me të njëjtën armë zjarri, ai ka qëlluar në drejtim të vetës duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Krimi ka ndodhur gjatë mesditës së djeshme në një nga dhomat e banesës së çiftit. Krisma e armëve ka alarmuar të afërmit e Jashar Yzeirajt, të cilët janë nisur menjëherë drejt shtëpisë së 51-vjeçarit. Sapo kanë hyrë brenda ata janë përballur me tragjedinë e rëndë dhe kanë njoftuar menjëherë policinë.
 
SHKAQET E KRIMIT
Me të marrë njoftimin, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet. Burime nga policia thanë se, ngjarja mendohet të ketë shkaqe banale, pasi çifti nuk kishte pasur probleme më parë. Sipas tyre, shkak është një sherr i momentit mes bashkëshortëve dhe në këtë moment gruaja e kishte shtyrë me dorë burrin. Në këtë moment, sedra e mashkullit duket se ka ngritur krye dhe 51-vjeçari ka marrë armën dhe ka qëlluar mbi bashkëshorten duke e lënë të vdekur. Në këto kushte ai ka marrë prindërit në telefon duke u treguar krimin dhe në moment ka qëlluar edhe veten.
 
DËSHMITË E BANORËVE
Banorët e fshatit të tronditur nga kjo tragjedi si dhe kanë treguar shumë pak në lidhje me jetën e tyre. “Jashari ishte një njeri i mirë, i qetë dhe i butë. Të dy ishin njerëz të mirë dhe nuk kishin probleme. Nuk di çfarë të them, nuk e prisnim”, - është shprehur një nga banorët. Ndërsa babai i 51-vjeçarit është marrë në pyetje nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore. Çifti jetonte vetëm prej vitesh, teksa djali ishte emigrant në Greqi dhe vajza e tyre ishte e martuar në Vlorë.
 
HETIMET E POLICISË
Blutë e Fierit janë nisur menjëherë në vendngjarje dhe kanë filluar punën për zbardhjen e rrethanave të plota të saj. Policia ka bërë të ditur se: “Rreth orës 13.45 minuta është marrë njoftim se në Dukas Patos në banesën e shtetasit Jashar Yzeiraj janë dëgjuar të shtëna arme. Menjëherë me marrjen e njoftimit në vendngjarje kanë shkuar forcat policore dhe grupi i hetimit i cili ka nisur hetimet”. Në vendngjarje policia ka gjetur trupat e pajetë te dy bashkëshortëve Jashar Yzeiraj dhe Ariste Yzeiraj, përkatësisht nga 51 vjeç. Trupat e viktimave janë dërguar për në morgun e spitalit të Fierit, ku janë ekzaminuar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.