KQZ ndan paratë e fushatës, PS 260 milionë, PD 250

Postuar në 30 Maj, 2013 03:06

KQZ ndan 650 mln lekë, PS 10 mln më shumë se PD

Përfitojnë gjithsej 66 parti, sipas numrit të votave të marra në zgjedhjet e vitit 2009.

 

Partia Socialiste, pavarësisht se në parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 2009-ës ka më pak deputetë se Partia Demokratike, për zgjedhjet e 23 qershorit të këtij viti do të përfitojë më shumë lekë nga buxheti i shtetit, sesa partia kryesore e mazhorancës. Kjo falë formulës që përcakton Kodi Zgjedhor, i cili parashikon që lekët që buxheti i shtetit jep për subjektet politike në një palë zgjedhje, të jepen mbi bazën e votave që ka marrë një forcë politike dhe jo të mandateve që ka fituar. PS, pavarësisht se nuk mori dot të drejtën e qeverisjes më 2009-ën, ka arritur që të marrë në ato zgjedhje 10 mijë vota më shumë se demokratët, çka sot u jep mundësi atyre që të marrin 10 milionë lekë të vjetra më tepër. Thënë në mënyrë të plotë, PS do të përfitojë nga përllogaritja e KQZ-së 260.1 milionë lekë të vjetra, ndërsa PD, 250.6 milionë.

Përllogaritja

Kjo pasi, në bazë të ndryshimeve të bëra vitin që shkoi në Kodin Zgjedhor, përllogaritja e ndarjes së parave që akordon buxheti i shtetit për subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje, bëhet mbi bazën e numrit të votave që ka fituar secila forcë politike në zgjedhjet pararendëse. Kodi përcakton se, 95% e shumës së vënë në dispozicion nga buxheti, pjesëtohet me numrin e votave të vlefshme në zgjedhjet e shkuara, të marra nga partitë që kanë fituar më shumë se 0.5 për qind të votave, duke nxjerrë në këtë mënyrë vlerën e 1 vote. Vlerë kjo që shumëzohet më pas me numrin e votave që ka marrë secila parti. Ndërkohë që 0.5 për qind e fondit u shpërndahet në mënyrë të barabartë të gjitha partive që kanë marrë më pak se 0.5 për qind të votave në zgjedhjet pararendëse.

Ndarja

Bazuar në këtë formulë, KQZ ka përgatitur projekt-aktin që do kalojë për miratim shumë shpejt, i cili bën ndarjen e 650 milionë lekëve të vjetra që qeveria ka vënë në dispozicion për partitë politike në kuadër të zgjedhjeve parlamentare. PS, me 620 586 vota që ka marrë në 2009-ën, do të marrë plot 261 145 960 lekë, duke kryesuar kështu listën e subjekteve që përfitojnë më shumë para. Në vend të dytë renditet PD-ja, e cila me 610 463 vota do të marrë 256 886 150 lekë. Menjëherë pas saj vjen LSI-ja, e cila me 73 678 vota do të marrë 31 004 100 lekë. E kështu me radhë renditen edhe 10 parti të tjera që përfitojnë para nga pjesa kryesore e fondit, pasi kanë marrë më shumë se 0.5 për qind të votave. Ndërkohë që 53 subjekte të tjera politike që janë regjistruar në listën e votimit, do të marrin në mënyrë të barabartë nga 610 mijë lekë. Jo më vonë se dje përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj ngriti shqetësimin për moslëvrimin e parave që partitë duhet të përfitojnë nga buxheti i shtetit për pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare.

 

 

 

 

Tabela e ndarjes së parave për secilin subjekt politik

 

PS                    261 145 960 lekë

PD                   256 886 150

LSI                  31 004 100

PR                   13 461 570

PSD                 11 235 510

PBDNJ            7 607 320

PDIU              6 092 000

PDK                5 600 000

 

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.