Imami, fushatë me fëmijët romë dhe thotë: Gratë s’kanë besim te Rama, ndaj votojnë Berishën

Postuar në 19 Qershor, 2013 15:40

Tashmë përfshirja e fëmijëve në fushatë nuk përbën më lajm. Këtë gjë ka bërë edhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, me fëmijët e shtresës më të diskriminuar. Ai i ka detyruar fëmijët romë që të mbajnë në duar pankartat e tij, gjatë një shëtitje që u ka bërë atyre dhe prindërve të tyre, në tunelin e Elbasanit.

Ndërkohë, pak më parë ka organizuar një takim me të rinjtë dhe gratë, sipas të cilit, këto të fundit votojnë më shumë Berishën se Ramën, pasi nuk kanë besim tek kryesocialisti.

“Gratë nga natyra e duan jetën, sepse e prodhojnë jetën, janë më trime se burrat. Kush njeh jetën nuk ka frikë nga vdekja, prandaj e keni marrë me guxim, dhe ky guxim na shtyn, na mbështet emocionalisht. Jam shumë i lumtur që jam me ju vajza dhe gra për të bërë edhe këtë etapë të fundit të një fitoreje të madhe. Në Shqipëri do të fitojmë dhe kjo është e sigurt. Sulmi i PS është në një ose dy qarqe, ne jo vetëm që nuk do të jepemi, por ne do të ecim përpara dhe do të dalim shumë më mirë kësaj radhe”, tha Imami.

“Edi Rama është i verbuar nga dëshira për pushtet dhe nuk i sheh investimet që janë realizuar. Është një filozofi që 70 vjet e ka drejtuar këtë parti, sepse e dimë se kjo është Partia Komuniste. Dhe janë sërish ata, të cilët mendojnë se kur ata janë në pushtet, Shqipëria është mirë. Ne i themi mos dil nga autobusi Edi, rri në autobus dhe vazhdo se nuk ke për të shkuar askund. Gratë shqiptare e votojnë Sali Berishën më shumë se Edi Ramën. Nuk mund të kesh besim tek Edi Rama, ai nuk e mban fjalën. Dhe nuk e kam fjalën tek raportet private, por kur ai nuk i mbajti fjalën atyre që hynë në grevë urie dhe i nxori jashtë liste, apo premtimet për Tiranën duke e bërë bojëra – bojëra si një cinik ndaj qytetit të tij, nuk i dhëmb vendi i tij, qyteti i tij”, vijoi Imami./b.l

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.